Unpublished zbulon planin e qeverisë, për të dhënë me koncesion testimin për COVID-19, përmes partneritet publik-privat. Deklarata është bërë nga deputetja socialiste Klodiana Spahiu, pjesë e komisionit të shëndetësisë. Ajo pohoi për dokumentarin Unpublished në Euronews Albania, se Komiteti Teknik ka hedhur opsionin e ofrimit të këtij testimi me koncesion përmes PPP-ve, njësoj siç u veprua me shërbimet laboratorike.
Por duket se ky vendim po mbahet ende i fshehtë dhe as nuk po konsultohet me specialistët për të parë nëse është rasti, që procesi ti besohet koncesionarëve. Edhe në rastet e mëparshme kur është aplikuar, ky partneritet është shoqëruar me debate të ashpra për favorizime klienteliste, mosfunksionim apo dëme të kapura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kjo me sa duket është edhe arsyeja e moslejimit të kryerjes së tamponëve nga klinikat apo spitalet private. Gjithashtu ky plan justifikon edhe numrin e ulët të testimeve që po bëhen në popullatë, për të zbuluar rastet pozitive.
Ish ministri i shëndetësisë Leonard Solis deklaron se testet sot kryen me pajisje kineze, në një kohë kur autoritetet në vend nuk lejojnë kompani amerikane të bëhen pjesë e procesit. Ai ngre alarmin se testime nuk po bëhen as në stafet e spitaleve private, duke rrezikuar që edhe ato të kthehen në vatra infeksioni.
Por çfarë po nxit Ministria e Shëndetësisë, përmes numrin të ulët të testimeve? Ky menaxhim i ka hapur rrugë ilegalitetit të kryerjes së testimeve në vendin tonë. Unpublished, sjell dëshminë e një zonje nga Tirana, bashkëshorti i të cilës ështe prekur nga virusi. Ajo tregon kalvarin e telefonatave ditë pas dite në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe refuzimin e tyre për t`i bërë tamponin, pavarësisht shenjave që kishte. Pas përkeqësimit të shëndetit të të shoqit dhe përcjelljes që iu bë nga 127, familjarët e bënë testimin në një strukturë private jashtë Tiranës.
Kryefamiljari rezultoi pozitiv me COVID-19, ndërsa e shoqja negative. Burime, i thanë Unpublished se ky nuk është rasti i vetëm kur ndodh kjo gjë. Duke qenë se të sigurosh tamponin është shumë e vështirë, qytetarët po gjejnë rrugë të tjera për ta siguruar atë, ilegalisht.
Përmes zërave të specialistëve dhe analizës së të dhënave, dokumentari Unpublished analizon situatën epidemiologjike në vend, që rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Vetëm me një rritje të numrit të testimeve në një ditë të vetme, u kapën 30% më shumë të infektuar. Ata do të vijonin të ishin përhapës të sëmundjes, nëse nuk do ta dinin se ishin Covid pozitiv.
Ndërsa ish drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Besnik Jakaj ngre shqetësimin për vdekshmërinë nga virusi, dhe mosraportimin e rasteve nëse nuk janë të shtruar në Infketiv. Sipas Jakaj të gjitha këto tregojnë për një mungesë strategjie, që po përkthehet me shifra reale të sëmurësh afër shifrave të Italisë apo Spanjës./ Euronews Albania