COVID-19 nuk do të largohet, të paktën për njëfarë kohe. Njerëzit e rrezikuar do të kenë frikë të dalin jashtë, do të tkurrin konsumin, bizneset nga ana e tyre do të vuajnë pasojat e kësaj sjelljeje dhe ekonomia do të mbetet nën potencial, edhe të paktën në një afat të mesëm.
Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Askush nuk mund ta thotë se sa do të zgjasë ky normalitet i ri, por një gjë është e sigurt: shumë gjëra kanë ndryshuar. Psikologjia e njerëzve po përshtatet. Në periudha të pasigurta, kur së ardhmes nuk i dihet dhe kur shumëkush mund të ketë humbur apo rrezikon të largohet nga puna, ata tentojnë të kursejnë dhe të shpenzojnë vetëm për produktet e domosdoshme. Një sondazh i fundit gjeti se 59% e tyre nuk planifikojnë të shkojnë me pushime, pjesa më e madhe e të cilëve për faktin e thjeshtë se nuk e përballojnë dot.
Me shtetet që vijojnë të jenë të mbyllura në guaskën e tyre, për t’u mbrojtur nga infeksioni që nuk po i vjen fundi, shpresa se turizmi do të rigjallëronte sadopak ekonominë, sa vjen e po zbehet. Kërkesa për distancim fizik ka zhbërë shumë aktivitete që në periudhën e verës zgjonin konsumin, si festat, dasmat, klubet e natës etj. Vjeshta sjell edhe më shumë dilema, pasi infeksioni i shoqëruar me viroza të tjera mund të bëhet edhe më i egër. Përvoja e këtyre muajve ka treguar se, nëse ka një gjë që mësuam nga virusi është fakti i vetëm se ai është i paparashikueshëm.
COVID-19 nuk do të largohet, të paktën për njëfarë kohe. Njerëzit e rrezikuar do të kenë frikë të dalin jashtë, do të tkurrin konsumin, bizneset nga ana e tyre do të vuajnë pasojat e kësaj sjelljeje dhe ekonomia do të mbetet nën potencial, edhe të paktën në një afat të mesëm.
Për një vend të bazuar te mikrobizneset dhe konsumi i brendshëm, ky normalitet i ri pritet që të jetë pothuajse fatal. Sipas të dhënave të INSTAT, 50% e sipërmarrjeve në vend ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë me pakicë, ose në atë të shërbimeve të ushqimit dhe pijeve (bareve e restoranteve), ku mbizotëron vetëpunësimi. Shumë të tjera janë po në fushën e tregtisë me shumicë, apo në shërbime të pasofistikuara, pa vlerë të shtuar të lartë.
Për një ekonomi me produktivitet të ulët dhe që mbahet në një trup “parazitar”, infeksioni pritet të ulë më tej qarkullimin në venat e tij.
Në qershor, bizneset që kaluan në status pasiv ishin 77% më të larta në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Shumë prej tyre deklarojnë rënien e fuqisë blerëse, si arsyen kryesore për këtë vendim. Ndërsa sipërmarrjet e mëdha mund ta kenë më të lehtë të mbijetojnë dhe të përshtaten dhe kanë rezerva për ta bërë këtë, për të vegjlit, mbijetesa do të jetë pothuajse e pamundur në normalitetin e ri të sjelljes konsumatore.
E gjithë bota po përgatitet të përballet me COVID-19 në planin afatgjatë. Sfida e re tashmë është frenimi i valëve të reja të sëmundjes në mënyrë që sistemet shëndetësore të shmangin kolapsin, por nga ana tjetër duke i lënë frymëmarrje ekonomisë. Gati tre muaj mbyllje ishin fatale dhe e çuan gjithë botën në recesionin më të thellë që nga koha e Depresionit të Madh.
Si kudo, edhe ekonomia jonë ka filluar të përshtatet. Industria e tekstileve po kanalizon një pjesë të burimeve në prodhimin e maskave dhe veshjeve për qëllime mjekësore. Pas një tkurrjeje dyshifrore në mars e prill, eksportet e tekstileve në maj pothuajse kapën nivelet e parakrizës.
Vetë bizneset e kanë treguar gjithnjë se janë të parët që nuk rrinë duarkryq dhe u përshtaten tendencave të reja. Por, të vetme ato nuk mund t’ia dalin. Shumë sektorë që deri tani kanë qenë jashtë radarit, për shkak të normës së ulët të përfitueshmërisë dhe konkurrencës nga importet, me pak ndihmë mund të bëhen të preferuara. Një prej tyre është bujqësia, e vetmja që i ka rezistuar më mirë pandemisë deri tani. Shqipëria siguron edhe sot rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga bujqësia, më e larta në Europë, por industria përpunuese ushqimore zë vetëm 1% të PBB-së.
Për krahasim,në Serbi, bujqësia kontribuon me 6% të PBB-së dhe industria ushqimore sjell 3%. Potenciali është aty dhe fare mirë mund të shfrytëzohet, ashtu si avantazhet e tjera të vendit si pozicioni gjeografik dhe krahu i lirë i fuqisë punëtore mund ta ndihmojnë të integrohen në zinxhirin e shkurtuar të prodhimit (ikjen e kompanive nga Kina, p.sh.), duke hapur vende të reja pune, që do të zëvendësojnë bizneset e mbyllura nga ndryshimi i sjelljes konsumatore. Duhet vetëm pak vizion dhe vullnet, që bashkëjetesa e gjatë me virusin të bëhet sa më e lehtë!/Monitor/