Nga Red Varaku
SHBA dhe BE kanë përgëzuar palët për miratimin e reformës zgjedhore dhe njëkohësisht kanë paralajmëruar se kjo reformë e firmosur në territorin amerikan do të vazhdojë të mbetet e pacënuar dhe prioritet i SHBA dhe BE.
Deklaratat paralajmëruese nga Perëndimi për mos prekje të kësaj reforme, ndërkohë që në Tiranë temë e ditës është debati, nëse do të ketë ndonjë pazar politik mes palëve, tregon në të vërtetë zanafillën e kësaj krize artificiale dhe identifikon problemin real.
Prej fillimit të saj rreth një javë më parë është e qartë që kjo krizë nuk u provokua nga interesi publik, sepse nëse vërtet do të ishte për interesin publik, kjo çështje do të ishte në tavolinë që në fillim të procesit.
Kriza e re ka në themel pasigurinë elektorale të këtij kryeministri, i cili e ka kuptuar nëpërmjet sondazheve që po shkon drejt një disfate të rëndë elektorale përballë opozitës së bashkuar.
Pas përpjekjes së tij të dështuar për të bllokuar reformën dhe vazhdimin e përpjekjeve të tij për të kapur komisionet zgjedhore, ai po përpiqet me dinakëri ta rifusë sërish procesin në krizë, duke tentuar bllokimin e koalicioneve, kjo me qëllim negocimin e të ardhmes së tij.
Pra, halli i tij është i qartë. Pas refuzimit të pazarit që ai i ofroi Lulzim Bashës, ai po kërkon një garanci nga faktori perëndimor. Pra, ai po e kushtëzon kodifikimin e reformës zgjedhore me garancinë për të ardhmen e tij.
Por këtë Perëndimi nuk e kupton dot, ndaj po detyrohet të heqë viza të kuqe, duke bërë të qartë se reforma zgjedhore e dakortësuar në pesë qershor nuk do të preket pa konsensusin e të gjitha palëve në Këshillin Politik.
Në fakt kjo është kështu dhe kështu do të mbetet, jo më sepse kështu e kërkon opozita, por sepse kështu e kërkon Perëndimi, i cili ka hyrë garant për një zgjidhje paqësore të krizës politike dhe nuk mund të tolerojë më lojëra të tilla në dëm të interesit publik.
Ky refuzim i Perëndimit në lidhje me pazarin që po i ofron Rama dhe qëndrimi i palëkundur i Perëndimit në lidhje me reformën zgjedhore e bën dëshpëruese situatën në rradhët e mazhorancës, sepse i vendos ata jo vetëm përballë popullit, por i vendos në një kurs përplasjeje të pashmangshme me Perëndimin.
Tani kush beson se Rama është aq i fortë sa mund ta fitojë luftën me Perëndimin nuk ka vetëm probleme me karakterin, por ka probleme dhe me arsyen. Por, ky është një hall shumë i madh që nuk ia zgjidhim dot.