Deri dje dihej që sëmundjet që lidhen me rrugët e frymëmarrjes, si gripi dhe koronavirusi, përhapen përmes ajrit apo prekjes së sipërfaqeve të infektuara.
Mirëpo, studimi më i fundit ka zbuluar se gripi dhe viruse të tjera, midis të cilëve edhe COVID, mund të përhapen edhe nga grimcat më të vogla të pluhurit që qarkullon në ajër.
Kërkimi i publikuar në “Nature Communications” ka zbuluar gjithashtu, se disa kafshë mund të infektojnë njëra-tjetrën edhe përmes gëzofit të tyre.
Më pas, prej tyre virusi mund të përhapet lehtësisht edhe në ajrin që thithet nga njerëzit. Ky është një shqetësim në rritje për ekspertët e shëndetësisë, të cilët do të duhet të përgatiten edhe për gripin sezonal në kushte pandemie.
“Kemi shumë sfida, që nisin nga kapacitetet e testimit. Për këtë arsye, do të na duhet më shumë kohë për të kuptuar nëse një pacient ka grip të thjeshtë, ka Covid apo ndonjë virus tjetër, që do të thotë se pacienti do të duhet të izolohet për një kohë më të gjatë. Ndaj, do të jetë më e vështirë që shkollat apo vendet e punës të qëndrojnë të hapura”.