Europa përshëndet kampionët e rinj, ndërsa nga Gjermania, Italia, Spanja dhe Anglia, mediat më të rëndësishme sportive dhe jo vetëm i thurin elozhe Bayern Munich. Bavarezët që ngrenë lart trofeun e Champions League kanë pushtuar faqet e para në të gjitha të përditëshmet, ndërsa me stile të ndryshme titujt kryesorë flasin për një sukses të merituar për kampionët e Bundesligës. Sigurisht entuziazmi më i madh është I mediave gjermane, që ekzaltojnë skuadrën e tyre.
Më të ftohta janë mediat italiane, që thjesht pasqyrojnë pa shumë ngjyrime fitoren e Bayern në finalen e luajtur në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës.
Me fjalët luajnë si gjithmonë të përditëshmet angleze, që flasin për dominimin e skuadrës bavareze në Europë.
Nuk mungojnë edhe “thumbat” në drejtim të Paris SG. Prestigjozja spanjolle “Marca” vjen me një titull krejt origjinal. “Paratë nuk të dhurojnë lumturinë”, shkruan ajo, duke nënkuptuar zhgënjimin e parizienëve, pavarësisht se kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard euro në më pak se dhjetë vjet.
Ndërkohë, të përditëshmet e tjera iberike i bashkohen elozheve të mediave ndërkombëtare për Bayern Munich.
Nuk mund të ndodhte ndryshe dhe mediat franceze nuk e fshehin aspak zhgënjimin. Mjafton të shohësh faqen e parë të “L’Equipe” me Neymar në lot.