Presidenti Ilir Meta, teksa ishte i “Ftuar Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s në Romë, tha se Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, me qëllim që të vijojë më tej rolin e pazëvendësueshëm të forcimit të stabilitetit në Ballkan.
“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme.”-tha Meta.
Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.
Dekani i Kolegjit të Mbrojtjes, Dr. Stephen Mariano, pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Meta, i bëri një prezantim të shkurtër rreth Kolegjit, të themeluar në vitin 1951, nga ish-Komandanti i parë, dhe “babai i NATO-s”, General Dëight D. Eisenhoëer.
Ndër të tjera, ai theksoi se Kolegji i Mbrojtjes së NATO-s, në Romë gjatë 68 viteve, ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimit e mendimit dhe leadership-it strategjik, për çështjet e politikave të sigurisë të vendeve të NATO-s, dhe jo vetëm.
Pas shënimit në Librin e Vizitoreve të Shquar të Kolegjit, Presidenti Meta u ftua të mbajë fjalën e tij përpara një audience të veçantë me ekspertë të shquar të mbrojtjes, të sigurisë dhe përfaqësues ushtarëkë të vendeve anëtare të NATO-s në Romë.