BallinaBotaTakimi Kosovë-Serbi: A do të realizohet ambicia e Trumpit?

Takimi Kosovë-Serbi: A do të realizohet ambicia e Trumpit?

spot_img
spot_img

Para takimit Kosovë-Serbi në Uashington palët paraqiten me pritshmëri të kundërta. Takimi mund të zhvillohet edhe në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Delegacionet e Serbisë dhe të Kosovës shkojnë në Uashington në takimet e organizuara nga administrata amerikane. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç pret „ide të reja” dhe „surpriza”. Takimi i delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës i paralajmëruar prej kohësh do të zhvillohet të premten më 4 shtator e ndoshta edhe në praninë e presidentit amerikan Donald Trump. Pas anulimit të datës së parë dhe caktimit të së dytës që tani mund të thuhet është një takim, rreth të cilit ka rrjedhur në publik një sasi e madhe informacionesh.

Ndërsa rreth takimeve në Bruksel nuk ka shumë mistere, bisedimet e ardhshme në Uashington shoqërohen nga pritshmëri krejt të kundërta të të dyja palëve. Prishtina takimet në Amerikë i paraqet si ngjarje, që do të ndiqen nga njohja reciproke, ndërsa Beogradi me këmbëngulje përpiqet ta mohojë këtë. Që Amerika ndoshta përpiqet të ofrojë me të vërtetë një zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës, mendon edhe një pjesë e opozitës serbe, e cila pretendon se Vuçiçi u ka premtuar të huajve se do nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, por që nuk guxon ta bëjë.

USA Washington Weißes Haus Rosengarten (picture-alliance/White House/Cover Images)

Politika e temave ekonomike

Bisedimet në Uashington zyrtarisht janë cilësuar si vendi ku do të diskutohen vetëm tema ekonomike, por Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështjet Evropiane, mendon se pritshmëri të tilla janë naive: „Kur kanë nisur bisedimet, në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike, të gjithë kanë mohuar të ketë negociata të tjera përveç atyre „teknike”. Me kalimin e kohës dialogu teknik ka kaluar në nivelin politik e që atëherë kemi mohime se flitet për statusin, që në fakt është e pavërtetë. Që prej fillimit është diskutuar për statusin politik të dy entiteteve e në fakt të gjitha marrëveshjet aty të çojnë. Nuk ekziston mundësia që liderët të takohen dhe të mos e prekin çështjen e pavarësisë së Kosovës. Tani nuk bisedohet për këtë, por pritet qartë nga Beogradi që në një moment bisedimet të rezultojnë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila të përfshijë pavarësinë”, mendon Beshiri.

Ambiciet historike të Trumpit

Prognozat e presidentit të Serbisë, se në Uashington mund të priten ide të reja, por edhe surpriza për Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike kanë bazë në radhë të parë për faktin se gjithçka do të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë: „Kjo iniciativë ka ardhur nga Donald Trump, i cili me letrat e tij drejtuar Thaçit dhe Vuçiçit ka treguar ambiciet historike për ta zgjidhur këtë problem, dhe e gjitha kjo flet për dimensionin e fortë politik të takimit. Për Trumpin me siguri që do të jetë një mundësi, që për shkak të mënyrës së tij të komunikimit, të thotë që kjo është një ngjarje historike, ashtu si marrëveshja e Izraelit dhe Emirateve, dhe se është hyrë në fazën e paqes, se është arritur një sukses i madh, por kjo nuk është asgjë e re kur është fjala për administratën aktuale amerikane dhe presidentin amerikan”, vlerëson Janjiç.

Naim Leo Beshiri mendon se deri tani kanë qarkulluar aq shumë ide rreth çështjes së Kosovës, saqë bëhet pyetja nëse mund të shtrohet diçka e re, por ai konstaton: „Ajo që mund të jetë ide e re është, që të kënaqësh orekset e Beogradit thjesht me premtimin e parave dhe me mundësinë e një të ardhmeje të mirë evropiane. Nëse Trump për një kohë të shkurtër siguron 10 miliardë dollarët e përmendur për investime dhe ndihma, së bashku me disa koncesione ndaj Serbisë lidhur me territoret, pasuritë natyrore dhe eksterritoritetin e manastireve e ndoshta me Bashkësinë e komunave serbe, këtë Vuçiç mund ta shpallë si fitore në mjedisin mediatik të kontrolluar fort prej tij. Pyetja e vetme është se në ç’masë kundërshtarët e zgjidhjes do të bënin protesta dhe liturgji, të organizuara pjesërisht nga faktori i huaj, rus”, thotë Beshiri.

Njohja e ndërsjellë nuk është temë

Pala serbe ditët e fundit ka njoftuar opinionin se shpesh dëgjohet që në Amerikë do të bisedohet për njohjen reciproke, por kjo është dementuar disa herë nga autoritetet e larta serbe. Mund të thuhet se ky është një lloj presioni nga pala shqiptare në procesin e bisedimeve – disa e shohin edhe si provokim – sepse siç thekson kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti „në çdo takim që kam patur dhe do të kem me përfaqësuesit e palës e Serbisë njohja reciproke është tema e vetme”. „Njohja reciproke është politika amerikane, e këtë e kemi dëgjuar shumë herë”, thotë Dushan Janjiç. Ky është edhe qëndrimi i disa vendeve të tjera perëndimore, që e kanë njohur Kosovën dhe ata do të donin që Serbia t’u lehtësonte problemin me njohjen reciproke me Kosovën”.

Kosovo Treffen des Premierministers Avdullah Hoti mit EU-Vertretter Mirosllav Lajqak (Office of the Kosovo prime minister )Takimi i kryeministrti Hoti me të ngarkuarin e BE për Kosovën, Miroslav Lajçak

Konflikt i heshtur diplomatik

Takimet në SHBA kanë sjellë përsëri në plan të parë një konflikt të heshtur mes Amerikës dhe Bashkimit Evropian rreth procesit të Kosovës. Administrata amerikane përpiqet të marrë iniciativën dhe ndoshta edhe dafinat, në rast se në këtë proces arrihet ndonjë sukses më i madh. Analistët e pyetur nga DW, vlerësojnë se Bashkimi Evropian (BE) në një farë mënyre është vetë fajtor për ofensivën aktuale amerikane: „BE në kohën e Federika Mogherinit ka lejuar që këto bisedime të mos zhvillohen aspak, dhe që nga viti 2016 vetëm për sy e faqe. Prej gati 20 muajsh nuk kemi patur asnjë takim të dy palëve, kemi patur taksat, të cilat ndërprenë arritjen më të rëndësishme të marrëveshjes së Brukselit, lirinë e tregtisë. Richard Grenell këtu i dha një mësim BE se si mund të zgjidhen problemet, metodologija e tij rezultoi më e sukseshme dhe BE dhe Miroslav Lajçak treguan se nuk kanë mësuar asgjë nga përvoja e keqe e Mogherinit”, tërheq vemendjen Dushan Janjiç.

Kështu e sheh edhe Naim Leo Beshiri këtë konflikt apo ngërç diplomatik mes SHBA dhe BE: „Paaftësia e Federika Mogherinit, në fakt e Evropës për të shpejtuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, krijoi vakuumin, që e shfrytëzuan SHBA. Për Brukselin është e vështirë të kthehet në rrugën e duhur, nëse SHBA arrijnë të alokojnë dhe të implementojë një shumë më të madhe, drastike, parash. Procesi i Berlinit e ka premtuar autostradën Nish-Prishtinë që para pesë vjetësh. Kështu që burokracia e ngadaltë evropiane, në kombinim me administratën e paaftë lokale dhe korrupsionin e lartë pengon që të realizohet ajo për të cilën janë bërë marrëveshje dhe të gjithë humbasin durimin. Megjithatë mendoj se partneri më i natyrshëm për Serbinë në zgjidhjen e problemit politik është para të gjithëve Bashkimi Evropian”, përfundon drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane. DW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular