BallinaKultureGozhdë të ndryshkura/Poezi nga Petrit Nika

Gozhdë të ndryshkura/Poezi nga Petrit Nika

Fryn erë e ftohtë…

Fryn erë e ftohtë, del dielli, re, prapë diell, prapë erë,

Nuk e mas dot kohën, kan ikur shumë stinë,

Kam parë aq shumë mjerime, aq ndarje dhe mnerë,

Sa nga vrulli i jetës s’ka mbetur më grimë.

Gjaku po më ngrin, sytë e mi janë veshur me tis,

Dhe ritmi në gjoks shpesh marrtas më ngërthen,

Hapi mu rëndua, këmbët më rëndojnë si plis,

lotët më vijnë lehtë dhe pse loti s’vlen.

Ç’të kujtoj më parë? Jeta m’u nda në thërrime,

Si qelqe e flakur pas murit të vjetër,

Por prapë një vogëlushe më vjen në kujtime,

Pas ditës së ngathët mes njerëzve të egër.

 

Më vjen në kujtime nga kohë shumë e largët,

Më vjen nëpër ëndërra e mitur, pa brengë,

Dhe sytë ia ngul hapësirës së zbrazët,

Ku koha rri varur si mëngë.

Si mëngë e boshatisur ku dikur ishte një krah,

Dhe tashmë bosh ka mbetur përjetë.

Fryn erë e ftohtë … Fati më trajton si gjah,

Si një peshk të vockël zënë me rrjetë

 

Zarf pa adresë

Fillim maji. Bie shi si në epokën e Noes. Me ditë.

Në mëngjes një diell i lëmekur na shfaqet sall pak;

trishtimi yt, thyerja e shpresës të cysin në zgrip,

të paketojnë në zarf. Pa adresë. Pa cak.

Dhe ligatina hap krahët, të merr fshehurazi në gji,

s’të lë të dalësh matanë, ku ende ka shpresë,

pemëzat e njoma qajnë mbi kodër plot melankoli,

dhe dielli i lëbyrtë zhduket mbi strehëza reshë.

Eja! Le t’i grahim me galop të krisur si dikur,

kalit alegorik përmes kësaj lugine të rrëpirtë, pa anë!

Sa vjen dhe më shumë do ngrihet më i lartë ky mur,

dhe jeta vetë do kthehet më tepër në muranë.

 

Aq gjëra buzëmbrëmjes e presin kthimin tonë,

për ato dhe botën tash jemi një zarf pa adresë;

s’e dinë nëse kthehemi, s’e dinë nëse shkojmë,

në heshtje lutet porta e ndryshkur të mos vdesë.

2 maj 2016

Në vendlindje bie shi

Kjo imshtë e re në erë hepohet,
përmbi luginë si shkrim korsiv;
mes dherash uji krejt harbohet,
dhe njolla lë si kopjativ.

Zbret mall’ i mbrëmjes si një zilkë,
për vitet tretur në vendlindje;
të rinjtë këtu as nuk e dinë,
sa shumë e desha nëpër dhimbje.

Sa shumë e desha nëpër derte,
dhe me sa zjarr e ëndërrime;
kam parë male, fusha, dete,
me shpresë se gjej Itakën time.

Pak janë këtu që tash më njohin,
kan’ ndrruar viset, tjetër jetë;
në rrugë çuditshëm pemët shohin,
flokët e mia zbardhur krejt.

Kaluan vitet, dy dekada,
me ankth e gas, me mall e shpresë;
askush s’më pa me kokën mbrapa,
veç zemra e di se si nuk vdes.

 

Si uji

Ato ëndërra ikën
në mendje ka ngelur hija

në heshtje gjinkallat e thara

kapur pas fosileve të së djeshmes

dhe lodhja shtriq këmbët mbi barin e tharë.

Lodhja është lodhur së qeni e palodhur,

është lodhur nga të ecurit nën hijen e një tjetri

është lodhur nga pranimi i fajit

dhe tash shtriqet në skaj të ditës

kur dielli është ulur në plazh.

Ato ëndërra ikën duke

lënë pas erozionin gëlqeror të kujtimeve.

Çdo vit ka një fund

çdo fund është një rifillim

por asgjë s’është si në fillim.

Në të djeshmen luhatet litari i një  lumi të tharë,

ndërsa e sotmja rrjedh nëpër duart tona të pafuqishme,

si uji,

si rëra e një klepsidre.

Arie fundvjeshte

Zymton zemërimi i nëntorit në fushë,
Dhe nata me batalione brengash godet,
Këtë zë që jeh nga deti s’e ndjen askush,
Këmbor’ e ajrit të mesnatës troket.

Dera rri hapur. Shiu jashtë në errësirë,
Pahitet mbi brengat që presin agsholin,
Fryn era furishëm në det dhe ani’
E fundit të vjeshtës puthitet me molin.

Ah, nuk ka kohë të zbresësh në sterë,
Ani’ e vjeshtës në zgavër fut ujë,
Mbi syprinë kalojnë ditët – heterë,
Me stres të tepërt e bujë.

Zemërimi i nëntorit zymton në fusha,
Dhe nata pi lëngun e saj të zi,
Të fundit gjethe përpëliten ndër legusha,
Këmbor’ e mesnatës thërmohet n’ani’.

20 nëntor 2018

Gozhdë të ndryshkura

Ne të gjithë i njohim qytetet në të cilat nuk jetojmë,
ndonëse duke mos qenë aq shumë kalimtarë,
natën bredhin rrugëve shpirtërat tanë ikanakë.

Pemët duket sikur janë, stacioni i trenit duket sikur është
ndoshta dhe autobusi fizarmonikë i palodhur
që vejevinte pambarim
me punëtorët e lodhur që ndërronin turnin.
Ende hidhërimi zbret me aromën e kafesë
nga degët e zhveshura të pinuseve që nuk janë.

Aty në rininë tonë ne uleshim për orë të tëra
dhe bisedonim për Murin e Berlinit,
për Murin Kinez dhe për murin e xha Sokratit,
duke djegur kohën e ardhme në cigaret Rozafa.

Është zëvendësuar tabela Mapo
dhe nuk është më në xham pusulla e pafajshme:
“Jam për furnizim”.

Aq kujtime rrinë varur kokëposhtë në kujtesë
dhe shohin betonin enigmatik që vetëm hesht,
kur ne e pyesim për emrat tanë të fëmijërisë.

Kaq gjërat të vogla që vëmë re,
por nuk na njohin.

Tani ndjehemi si ca gozhdë të ndryshkura
që nuk i hyjnë në punë askujt.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular