Banorët e Këlcyrës kanë protestuar sot për të katërtën ditë me radhë përpara Bashkisë, për shkak se 30 objekte, banesa dhe biznese rrezikojnë që të prishen për shkak të projektit për pedonalen në qytet. Banorët janë të vendosur se do të protestojnë derisa ata të dëgjohen nga ana e kryebashkiakut Klemend Ndoni, që gjatë ditës së sotme nuk ishte fare në Këlcyrë. Ndoni nuk ka komentuar as vlerën e dëmshpërblimit që banorët e kanë cilësuar qesharake.
Godina e Bashkisë ka qenë sot e mbushur sot dhe me punonjës të policisë për të shmangur çdo incident mes administratës dhe banorëve.
‘’Siç kemi vazhduar protestën prej 4 ditësh, dhe kemi pasur një takim mezor me kreun e Bashkisë, nuk kemi kuptuar asnjë gjë nga ato që shprehu. I gjithë Këshilli Bashkiak është pro nesh, kanë firmosur që këshilltarët nuk dinë asgjë për këtë projekt që do të bëhet dhe për prishjet”, u shpreh banori.
“Ne nuk kemi kërkuar dëmshpërblim, nuk duam lekë, duam vetëm pronat tona. Protesta do të vazhdojë derisa ne të sqarohemi, ne nuk do lejojmë nesër asnjë punonjës që të hyjë në Bashki”, tha më tej qytetari.