BallinaOP EDKushtetuta e 2008, origjina e të këqijave që çuan në rënien e...

Kushtetuta e 2008, origjina e të këqijave që çuan në rënien e demokracisë

Besnik Aliaj

Me rënien e komunizmit, partitë politike në Shqipëri ranë dakord të hartonin një paketë ligjore që do të përbënte shtyllat kryesore të parimeve kushtetuese për kalimin nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut, nga monizmi në pluralizëm, dhe krijimin e kushteve për liritë bazë të një shoqërie demokratike. Në vitin 1994, maxhoranca e kryesuar nga PD tentoi në mënyrë të njëanshme miratimin e Kushtetutes së Re, por referendumi u kundërshtua nga PS dhe aleatet e saj, për t’u rrëzuar më pas me votë popullore.

Pas dështimit të firmave piramidale në ’97 dhe kolapsit social-ekonomik që pasoi atë, maxhoranca e kryesuar nga PS ngriti një ekip ekspertësh dhe politikanësh që draftuan po në mënyrë të njëanshme Kushtetutën e Re. Sidoqoftë, kjo e fundit këtë rradhe u votua nga populli në Referendumin e vitit 1998. Pavarësisht qëndrimeve ndaj kësaj Kushtetute, shkruesit e saj (midis të cilëve edhe disa personalitete të së djathtës) bënë një përpjekje deri diku të lavdërueshme për të bërë një analizë jo thjesht teknike-juridike, por edhe antropologjike të problemit shqiptar me demokracinë! Thelbi ishte: duke qenë se Shqipëria kishte një spektër politik me dy pole kryesore politike (e majta-PS, dhe e djathta-PD), të cilat tentonin të trashëgonin konfliktin historik dhe përjashtimin ndaj njëra-tjetrës për shkak të ndasive të forta ideologjike të së kaluarës, u propozua një skemë e balancuar tripolare politike.

Poli i tretë i fragmentuar i partive të vogla (të majta, të qendrës, e të djathta) u stimulua qëllimisht nga “baballarët” e Kushtetutës në mënyrë që të nxiste formula fluide koalicionesh pas-elektorale me synimin pragmatik që të favorizohej një produkt politik dhe një balancë e imponuar pas-elektorale parlamentare, e cila duhej të ishte sa më konsensuale ose të kishte një maxhorancë sasiore në favor të paqes sociale dhe mirëkuptimit politik relativ midis palëve kryesore politike. Kjo logjikë imponohej edhe nga emergjenca e ngjarjeve të ’97-ës. Sot e dy dekada më pas, nuk mund të themi se kjo logjikë nuk dha rezultat! Kështu, me gjithë problemet e tranzicionit të vështirë, incidenteve të caktuara, dhe protagonizmit elektoral të disa individëve të diskutueshëm, mund të thuhet se nëse ka një periudhë të qartë stabiliteti social-politik dhe rritjeje ekonomike është ajo e viteve 2000-2010 (3-6% rritje e GDP-së në vit). Realiteti politik, fryma relativisht pozitive sociale, treguesit dhe indikatorët social-ekonomikë vendas e ndërkombëtarë, dhe një lloj liberalizmi politik, etj, e konfirmojnë këtë! Natyrisht kjo ishte rezultat sa i arritjes së një fryme paqeje sociale relative, aq edhe i logjikës së hartimit të Kushtetutës dhe parimit të saj kryesor demokratik të konkurrimit pa kaluar “vijën e kuqe”!

Por që atëherë shumë ujëra kanë rrjedhur, dhe situata sot nuk është kaq e bukur sa dekada e “artë” e viteve 2000. Tashmë kemi gati 8-9 vjet në recension ekonomik e demografik, rritje të informalitetit e krimit të organizuar, ndërkohë që po biem çdo ditë e më shumë drejt konfliktualitetit dhe autoritarizmit politik. Natyrisht një Kushtetutë nuk është shkruar në gur, por në një vend normal ku duhet të funksionojnë institucionet dhe mekanizmat e demokracisë, Kushtetuta mbetet në thelb një formulë gati e “shenjtë”. Sepse nëse një shoqëri dëshiron të ketë rregulla loje, e t’i qëndrojë një projekti afatgjatë kombëtar zhvillimi; nëse një shoqëri bën me veten një pakt social-politik në një moment historik – atëherë respektimi ndaj ligjit themelor të shtetit bëhet kusht jetik për ecjen para! Në këto kushte mbrojtja e Kushtetutës dhe e parimeve e vlerave të saj duhet të ishte një mision për të gjithë faktorët e forcat politike në vend, dhe për shoqërinë në tërësi. Por qartësisht ky nuk rezulton rasti jonë! Ndërkohë që vendet më të zhvilluara sot, janë aty ku janë, pikërisht për merita të angazhimit e seriozitetit maksimal ndaj Kushtetutave të tyre dhe etërve themelues!

Por çfarë ka ndodhur ndërkohë në Shqipëri? Për shkak të interesave të çastit, lojërave politike të momentit, dhe mbijetesës së lidershipit politik, Kushtetuta është sakrifikuar sistematikisht. Zgjedhje pas zgjedhjeje ajo është “kafshuar” pjesë-pjesë, duke e çmontuar atë dhe shpërfytyruar në atë masë sa sot është thuajse pa asnjë lidhje me projektin fillestar për të cilat u projektua e votua gjatë periudhës 1992-1998, dhe për më tepër shumë larg idealit për ta bërë Shqipërinë si gjithë bota e zhvilluar!

Ju besoj e mbani mend “Dushkun” e vogël dhe ate të madh? Ju kujtohet që sa herë kemi zgjedhje ne ndryshojmë kodin zgjedhor? E mbani mend besoj se si kompetencat kanë levizur sa nga Presidenti tek Kryeministri? Ju kujtohet edhe marrëveshja blitz e liderave të pozitë-opozitës në 2008, si dhe KRRT-ja çuditërisht konsensuale e Tiranës atë kohë? Ju kujtohet besoj edhe “fluturimi” me vrik mbi tavolina dhe greva e urisë e LSI-së me partitë e tjera të vogla? Ju kujtohet edhe votimi i çuditshëm në rresht dhe “pro” i të gjithë deputeteve socialistë e demokratë pa asnjë përjashtim i “skemës zgjedhore rajonale”; në një kohë kur për ligje të tjera dhe pa shumë rëndësi valonin debatet, sharjet, vuvuzelat, bilbilat, grevat dhe bllokimet pa fund në Parlament dhe në bulevard!

Ju e mbani mend padyshim edhe Reformën e njëanshme me qëllime të pastra elektorale të ndarjes Administrative-Territoriale. Ju jeni dëshmimtarë edhe se si pas 2008-ës zgjedhjet lokale e parlamentare filluan të kishin përsëri probleme dhe të ulnin standardet. Ju e shikoni se pas 2009-ës s’ka më asnjë referencë ideologjike dhe programore në asnjë parti dhe në Parlament! Ju e shikoni se sidomos pas 2013-s shkuam përtej të majtës dhe të djathtës dhe vendi u mbyt gradualisht nga informaliteti dhe droga, ndërsa vetë Parlamenti u mbush me njerëz pa shkollë, të paaftë, servila, pa identitet, pa karakter, madje edhe të akuzuar per vjedhje, vrasje apo tregtare prostitutash. Ju e shikoni se të shkolluarit, të diturit dhe të mençurit gjjthmonë e më shumë s’kanë më hapësirë në këtë Parlament dhe në këtë vend! Ata detyrohen të emigrojnë ose përndryshe poshtërohen nga media e kontrolluar dhe sistemi super-monopolist i oligarkisë, dhe sidomos nga pushteti e politika e dhunshme!

Dhe së fundi, ju e mbani mend Reformën e famshme të Drejtësisë dhe Vetingun e trumpetuar aq shumë se do të na sillte begati, e që ironikisht duhej të votohej nga vetë ata që supozohet të ndëshkonte! Edhe në këtë rast mes një teatri spektakolar me fishekzjarre dhe melodramë çuditërisht 140 deputetë votojnë “pro” në rresht për të kafshuar Kushtetutën, shumica pa patur as idenë më të vogël çfarë votuan dhe për çfarë ranë dakord liderat politikë dhe ambasadorët hiperaktive! E gjitha kjo nën presionin e një shantazhi shumë të keq mes vetes dhe nga të huajt. E pra të gjitha këto “pseudo-ndryshime” të paballafaqura realisht me shoqërinë janë bërë në kurriz të vetë shqiptarëve, të shtetit të së drejtës dhe të Kushtetutës, në kurriz të parimeve themelore të demokracisë dhe të trasparencës, në kurriz të vlerave dhe projektit tonë kombëtar të aprovuar me mirëkuptim (1992) dhe/ose me referendum (1998). E gjitha kjo është bërë krejt ndryshe edhe nga modelet më të mira të vetë SHBA-së dhe Europës! Dhe në këtë histori përgjegjës janë sa liderat kryesorë politikë në vend aq edhe përfaqësuesit më të largët diplomatike nga Europa e Amerika që janë partnerët tanë strategjikë!

Çuditërisht këto ndryshime u bënë nën bekimin dhe presionin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë (sidomos në 2008, por edhe tani në reformën për drejtësi) të cilët ndryshe nga morali që predikojnë në takime publike, konferenca e projekte zhvillimi të financuara prej tyre, jo vetëm që mbyllën sytë, por në prapaskenë inkurajuan ‘de fakto’ liderat e partive kryesore drejt finalizimit të një pakti politik ‘de fakto’ anti-kushtetues me logjikë bipolare. Kjo sepse në vend që të vihej gishti dhe të ndëshkoheshin sistematikisht ata që kanë shkelur e devijuar kushtetutën, u ndryshua sistematikisht vetë Kushtetuta!

Në këto kafshime fatale të Kushtetutës në emër të rritjes së “stabilitetit” dhe përmes promovimit të një sistemi politik “bi-partizan”, ndërkombëtarët vetëm sa ndihmuan në konsolidimin përfundimtar të kontrollit të plotë të liderave politikë mbi partitë politike dhe mbi grupet parlamentare respektive, duke zhdukur në këtë mënyrë përfundimisht identitetet e pavarura dhe intelektuale. Në këtë mënyrë u eliminua gara dhe demokracia e brëndshme e forcave politike; për të kaluar nga një sistem më i balancuar “tripolar” (edhe pse jo perfekt dhe jo pa korrupsion), në një sistem thellësisht të korruptuar, e të kontrolluar për ironi të fatit nga një parti ose një individ! Ky fatalitet konstitucional të kujton ato rastet kur mjeku i paaftë tenton të operojë “kancerin” por jo vetëm që s’ja del dot, por vetëm sa e provokon atë që të përhapet me agresiv, duke i shkaktuar vdekje të shpejtë dhe maksimalisht të dhimshme pacientit. Shqipëria sot nuk ka më elementët dhe institucionet me bazike të demokracisë dhe shtetit ligjor! Ajo nuk ka më asnjë “këmbanë” për të sinjalizuar problemet e mëdha, e madje se dëgjon më kush as në Europë e as në Amerikë. Stabilokracia tashmë i ka dhënë derman çdo sistemi dhe çdo punë të mirë të ndërtuar plot kosto e vështirësi në 3 dekada. Sot shqiptarët janë pa shpresë, me rini të arratisur e njerëz të frigur nga hijet e të kaluarës!

Pikërisht ky operacion dramatik me karakterin gati të një “komploti” kushtetues ka kaluar qëllimisht në heshtje e larg debatit publik, dhe në indiferencë të plote nga media e intelektualët për pasojat negative afatgjata që do të sillte ndaj shoqërisë shqiptare dhe ndaj stabilitetit social-ekonomik të vendit! Përdhunimi i Kushtetutës në këtë mënyrë vetëm sa riktheu zyrtarisht konfliktualitetin ideologjk dhe individual të prijësve politikë, si dhe zyrtarizoi rikthimin e “djajve” në mendjet e politikës në vend, gjë që gjeneroi edhe rikthimin e mungesës së plotë të besimit, mungesën e stabilitetit social-ekonomik, rritjen e krimit, papunësisë dhe emigrimit dramatik në nivele të frikshme! Pikërisht ky “kafshim” i pabesë i Kushtetutës nga aktorët kyç vendas e të huaj, dhe nga faktorët ekstra-politike për interesa të vogla të mbijetesës së çastit është rrënja e problemit dhe mëma e konfliktualitetit që kemi sot! Konsiderimi i Shqipërisë nga të huajt si një eksperiment social në një vend të dorës së tretë është një nga ngjarjet më të shëmtuara të tranzicionit tonë të dhimshëm, që do mbetet për fat të keq i pandëshkuar!

Ndërkohë mekanizmat rregullues-balancues si antidoti i anti-kushtetutshmërisë ka kohë tashmë që janë eksterminuar! Dhe sot mund të themi se pikërisht aktorët (ekstra)politikë që kanë ideuar dhe realizuar këto deformime të qëllimshme kushtetuese janë edhe autorët kryesorë të krizës së demokracisë që po na çon drejt një konflikti të pashmangshëm!

Për fat të keq shoqëria shqiptare në asnjë rast nuk është sensibilizuar dhe pyetur për këto ndryshime? Nuk ka patur asnjë fushatë informuese reale, asnjë debat mediatik e publik të sinqertë, asnjë analizë fizibiliteti, dhe asnjë referendum popullor për një çështje që është përcaktuar që në fillesat e veta përmes institucionit jetik të Referendumit nga Sovrani! Asnjë nga politikanët, deputetët, konstitucionalistët, gazetarët, opinionistët, aktivistët, ambasadorët apo intelektualët më të shquar në vend nuk kanë guxuar të flasin për këtë çështje (me ndonjë përjashtim të caktuar)! Ky është një fatalitet i madh për në si shoqëri që e kemi pësuar me së paku një herë në këtë mënyrë! Të prekësh ligjin themelor të shtetit dhe të shoqërisë në mënyrë të njëanshme dhe pa e konsultuar sovranin është një ngjarje shumë e rëndë, dhe më e pakta është komplot e tradhëti ndaj vlerave të demokracisë dhe kombit!

Ndaj jo vetëm lidershipi i “tranzicionit” deri më sot, por të gjithë ata që kanë votuan në këto vite derr në thes pazaret anti-kushtetuese me “Dushk”, “Lista Rajonale” e “Veting” duhet të ndëshkohen ose largohen vetë një orë e më parë nga politikëbërja dhe vendimmarrja, nëse nuk dëshirojnë që këtë një ditë ta bëjnë turmat! Shkurt nuk kemi nevojë për pseudo-reforma dhe kafshime djallëzore të Kushtetutës e shtetit ligjor, që vetëm sa synojnë komplotin për kapjen e mëtejshme të sistemit. Në të kundërt na duhet të rikthehemi urgjent tek parimet dhe vlerat origjinale të kushtetutës së miratuar nga sovrani përmes instrumentit legjitim të referendumit në vitet e përmbysjes së madhe e të sinqertë demokratike! Na duhet të mbrojmë me fanatizëm kushtetutën e vërtetë edhe në kohë dallgësh si këto tani!

Për këtë na duhet një sistem i ri gare dhe vlerash, i cili rivjen vetëm përmes një përmbysjeje si ajo e viteve 91-92. Sa për “Vetingun”: po edhe ai na duhet! Por për këtë nuk ka nevojë më për teatër, mjaft të verifikohet kush ka shkelur ligjin themeltar të shtetit duke “kafshuar” Kushtetutën, qoftë edhe duke heshtur apo duke mos guxuar të flasë e kontestojë, thjesht për të qenë në rregull me xhepin, ambasadat, partinë dhe shefin! Këtu fillon pikërisht edhe kthesa e bekuar e zgjidhjes për të korrigjuar veten dhe për të rigjetur mbështetësit e sinqertë të sistemit të ri, që të gjithë e kërkojnë një orë e më parë me dëshpërim! Askush nuk mund të kompromentojë dot as idealin e Demokracisë dhe as Sistemin e garës së hapur dhe të vlerave! Kushtetuta stabile e sovranit dhe jo ajo e kulisave është garancia e vetme për këtë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular