BallinaKulturePërkthyesja rumune Oana Glasu: Shqipëria dhe Rumania janë kombet më të vjetra...

Përkthyesja rumune Oana Glasu: Shqipëria dhe Rumania janë kombet më të vjetra në rajon

spot_img
spot_img

Ndodhi shumë shpejt që Shqipëria të më bëjë për vetë, sa as sot, pas më shumë se dy dekada, nuk mund të shpjegoj si ka qenë e mundur dhe sidomos pse ndjej kaq dashuri për atë dhe gjithmonë i mbroj në biseda shqiptarët sikur jam dhe vetë pjesë e këtij kombi

Bisedë midis poetit Petrit Nika dhe përkthyeses rumune Oana Glasu*

Shqipëria dhe Rumania janë kombet më të vjetra në rajon dhe bashkë duhet të vazhdojmë të jemi në familjen e madhe evropiane, ku në fakt edhe kemi qenë gjithmonë.

Përshëndetje Oana! Ju jeni një dashamirëse e gjuhës shqipe, e kulturës shqiptare dhe e shqiptarëve në përgjithësi. A mund të shpjegoheni vetë nga buron kjo lidhje e juaja me Shqipërinë?

Përshëndetje, Petrit! Faleminderit për këtë pyetje e cila më jep rastin të flas për lidhjet e mia me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Unë akoma konsiderohem shqiptare dhe vazhdoj të sillem si shqiptare midis miqve të mi, ose ambienteve ku ndodhem, varet nga rasti, por e vërteta është vetëm një; jam rumune nga jugu e Rumanisë, e lindur në qytetin Corabia, në bregun e Danubit.

Kontakti im i parë me Shqipërinë, e cila do të bëhej më vonë Atdheu im i dytë, ka ndodhur në nëntor 1996, kur erdha për studime në bazë të një protokolli midis dy shteteve tona në fushë të arsimit dhe u regjistrova si studente për gjuhën shqipe, me qëllim që pasi të mbaroja shkollën të kthehem në Rumani me një gjuhë të rrallë dhe shteti im të përfitojë nga kjo gjë. Unë isha me bursë studimi, e paguar nga Rumania.

Nuk mund të them se dija shumë gjëra për Shqipërinë, veçse çfarë kisha mësuar në klasën e pestë për disa fjalë për gjuhët rumune dhe shqipe (si për shembull: buzë – buză; qafë – ceafă; gurmaz – gurmaz; gushë – gușă; gropë – groapă; baltë – baltă; shkrum – scrum; avull – abur; këmishë – cămașă; furkë – furcă; bredh – brad; stan – stână; shtrungë – strunga; vjezhdull – viezure etj.), që bëjnë pjesë në fondin e përbashkët leksikor të të dyja gjuhëve. Kisha mësuar gjithashtu në historinë e lashtë për ilirët dhe e dija nga historiani rumun, Nikolae Iorga (i cili ka shkruar dhe historinë e parë shqipe) se rumunët dhe shqiptarët janë kushërinj gjaku.

Në vitin e parë të qëndrimit tim në Shqipëri, përveç mësimeve për gjuhën, që i mora në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë, shoqërohesha me shumë kolegë shqiptarë, (të cilët tashmë i kam miq), për të thelluar gjuhën, por edhe për t’i njohur më mirë zakonet, karakteristikat, temperamentin, jetën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.

Ndodhi shumë shpejt që Shqipëria të më bëjë për vetë, sa as sot, pas më shumë se dy dekada, nuk mund të shpjegoj si ka qenë e mundur dhe sidomos pse ndjej kaq dashuri për atë dhe gjithmonë i mbroj në biseda shqiptarët sikur jam dhe vetë pjesë e këtij kombi.

Një shpjegim i thjeshtë mund të jetë se kam qenë trajtuar shumë mirë, kam qenë e respektuar jashtë mase nga kolegë, komshij të konviktit, apo familjet që i bëra miq dhe deri te pedagogët, ose zyrtarët e ndryshëm nëpër ministritë kur kisha për të zgjidhur ndonjë punë.

Besoj ju kujtohet Tirana e vitit 1997. Ishte kohë e rrëmujave të mëdha që çuan vendin në një krizë që i ngjante një lufte civile. Si jeni ndjerë ju mes shqiptarëve në atë kohë?

Po, sigurisht që e mbaj mend. Ka qenë një ndër sprovat e forta të jetës sime, një përvojë që e përjetuam me vëllain tim Mihain bashkë me shokët tanë shqiptarë. Pavarësisht se ishin momente të vështira (dyqanet mbylleshin në orën tre pasdite, ushqimet shpesh gjendeshin me vështirësi, rrugët ishin plot me kamionë e autoblinda policie dhe pastaj ngjau hapja e depove të armëve në të gjithë vendin), ne studentët rumunë kishim njëfarë mbrojtje në radhë të parë nga vetë miqtë tanë shqiptarë të cilët me trup na kanë mbrojtur duke u siguruar për ditë nëse jemi mirë dhe pastaj, ambasada jonë në Tiranë, ku më në fund shkuam, por me vështirësi pranuam të largoheshim nga konviktet dhe nga shokët tanë. Në ato ditë, në dhomat e njërit prej nesh, mblidheshim bashkë me shokët shqiptarë dhe i binim kitarës, këndonim shqip (sidomos këngë nga Veriu) dhe rumanisht, hanim bashkë dhe pinim verë italiane. E mbaj mend grevën e urisë së studentëve shqiptarë në Qytetin Studenti, pastaj gjithë ato marshime protestuesish, por për mua si e huaj ishte e rëndësishme mënyra se si organizohej populli për të drejtat e tij, dhe për këtë akoma më shumë i vlerësoja shqiptarët, sepse ka një diferencë të madhe midis meje që i kam njohur aty, në shtëpinë e tyre, dhe atyre që flasin për Shqipërinë duke u nisur nga raportime cerebrale, apo më keq akoma, e njohin vetëm nga televizioni dhe lajmet e këqia.

Si i mendojnë rumunët në përgjithësi lidhjet e lashta me shqiptarët?

Rumunët e thjeshtë, domethënë ata që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë fushë konkrete biznesi apo ndërkulturore, nuk mendojnë asgjë, ashtu siç edhe shqiptarët. Njerzit e thjeshtë janë të lidhur pazgjidhshmërisht me përditshmërinë e problemeve të jetës së tyre dhe nuk iu bie të mendojnë aq shpesh për historinë e popujve të tjerë.

Nga ana tjetër, ekzistojnë ende njerëz që i studiojnë këto fenomene përbashkuese në historinë tonë të lashtë, siç janë historianët dhe filologët e ndryshëm të të dy vendeve tona, të cilët janë marrë me këtë punë gjithmonë. Pastaj profesorët që unë i kam pasur në fakultet ishin shumë të përgatitur, kishin studiuar fenomenet e përbashkëta të gjuhëve, ashtu si dhe pikëtakimet e fatit historik që i ka lidhur në epoka të ndryshme shqiptarët me rumunët. Kam parasysh këtu veprimet e diasporës shqiptare në Bukuresht që ka përgatitur kuadrin e Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë gjithë periudhës së Rilindjes në rajon. Dhe janë shumë shembuj për të vërtetuar ngjashmërinë midis nesh si popuj.

A mund të na thoni sa njihet letërsia shqiptare në Rumani?

Letërsia shqipe njihet aq sa ka qenë e promovuar, por ajo që mund të them me siguri është fakti se shkrimtari shqiptar më i njohur dhe më i lexuar në Rumani është Ismail Kadare. Kjo për arsye se Kadare është dhe shumë i përkthyer. Unë që lexoj në origjinal letërsinë shqipe e di shumë mirë se kjo letërsi është akoma më e madhe. Prandaj jemi ne, ata që e dimë shqipen. Të shohim çfarë ka përtej, të evidentojmë dhe të bëjmë të njohur dhe të tjerë. Unë për shembull, jam bashkëpunëtore në një revistë me përhapje kombëtare këtu në Rumani dhe po përgatis për numrin e ardhshëm një artikull në lidhje me influencën e poetëve rumun si George Coșbuc dhe Mihai Eminescu ndaj lirikës së Asdrenit. Pastaj do të shkruaj edhe për Teodor Kekon dhe Dritëro Agollin. Besoj se kjo është një mundësi nëpërmjet së cilës rumunët do të njohin diçka më shumë për shqiptarët.

Këta emra i përkasin një periudhe historiko – letrare të mbyllur tashmë, përveç rastit të Kadaresë. Për letërsitë e mëvonshme të të dy vendeve sa po bëhet në epokën tonë?

Është e vërtetë se disa nga emrat e përmendur mund t’i përkasin asaj periudhe, por mendoj se nuk ka mundësi të parashikojmë të ardhmen pa njohur mirë të shkuarën dhe për sa i përket poezisë për shembull është e pamundur të krijosh pa leximin edhe të këtyre autorëve. Kanë qenë autorë me ndikim. Në Rumani kemi emra të shquar që u imponuan mbas viteve 1980, si Nichita Stănescu ose Marin Sorescu, por nuk mund të studiohen pa Eminescun, sepse fijet dhe lidhjet janë shumë të forta akoma, madje modernizmi aktual bie shumë mbrapa krijimtarisë së atëhershme.

Për të ardhmen e letërsisë nuk më duket se po bëhet ndonjë gjë e jashtëzakonshme dhe ndoshta as nuk është e mundur përderisa nuk ekzistojnë tipare dhe konstatojmë një përhapje të madhe për vargun e lirë, që duhet të ketë parasysh disa aspekte lidhur me shkrimin korrekt në çdo gjuhë që shfaqet, me përdorimin me gramatikë të fjalëve, me ritëm etj.

Në çdo shtet ku funksionon Lidhja e Shkrimtarëve si entitet i njohur nga shteti, vendimet mbi jetën dhe zhvillimin e letërsisë i marrin po ata anëtarë që mund të ndikojnë me përvojën e tyre zhvillimin kulturor të vendit, pastaj ne të gjithë bashkë autorë, studiues e përkthyes, që jemi në një farë mënyre të angazhuar në jetën letrare, mbajmë linjat apo jo.

Ju shkruani kryesisht poezinë dhe gjithashtu e përktheni atë nga shqipja në Rumanisht dhe anasjelltas. Duke patur parasysh një klimë pothuajse vrasëse ndaj poezisë kudo në botë, do donim të fokusoheshim pak në Rumani. A ekziston kjo klimë edhe në poezinë e sotme rumune?

Unë kam shkruar poezi në varg të lirë dhe i kam publikuar shumë prej tyre nëpër revista kulturore, por nuk kam botuar akoma një vëllim. Është e vërtetë se merrem edhe me përkthimet, sepse prapë ky është një modalitet që autorët shqiptarë të njihen nga rumunët, sidomos kur këta poetë janë shumë të arrirë dhe konsoliduar në krijimtarinë e tyre dhe fatmirësisht mund të them se publiku rumun i ka mirëpritur me kënaqësi. Këtu e kam fjalën për poetë ose shkrimtarë bashkëkohorë dhe me moshë mesatare. Në Rumani shkruhet shumë. Nuk ka censurë ndaj atyre që publikojnë shumë dhe keq, sepse shtëpitë botuese u marrin lekët, autorët dalin me vëllim të publikuar, u bë puna, të gjithë kënaqen. Nga ana tjetër ekziston një farë vrasje ndaj gjuhës, ndaj normës dhe ky është një problem i madh soc-kulturor, por askush nuk i ndalon, askush nuk kontribuon ende që të vendoset një kriter. Ka ende pak botues librash që respektohen dhe nuk publikojnë çdo gjë, ashtu siç ka edhe kritikë të ashpër që ndërhyjnë nganjëherë, por prapë aty dalim, gjithçka përfundon në biznes.

Fenomenet që përmendët më lart janë shumë të pranishme edhe tek ne në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Cili është shkaku i “divorcit” të madh me lexuesin sipas jush; niveli i dobët i kësaj poezie bashkëkohore, apo shkaqe të tjera që lidhen me epokën në të cilën po jeton njerëzimi i sotëm?

Poezia. Degradimi i suksesit letrar, nëse flasim për poetë ose prozatorë, mendoj se ndodh në shumë vende të botës dhe shkaku i pranuar është një dhe universal: nuk lexohet më, sepse shkruhet më shumë se sa lexohet. Nuk njihen as respektohen më rregulla e parime estetike. Shtëpitë botuese nuk kanë më redaktorë, as korrektorë, sepse këta kushtojnë. Fusha e botimeve funksionon mbi parimin e biznesit. Teknologjia nga ana tjetër iu vjen në ndihmë të gjithëve për t’u vetëshpallur.

Pastaj, niveli i dobët i poezisë bashkëkohore ndodh edhe për arsye se autorët nuk lexojnë as vetë. Nuk kanë formimin e duhur kulturor. Ata nuk kanë më kohë për të gjitha këto aspekte që lidhen me cilësinë e krijimit letrar, kanë probleme të tjera, janë të angazhuar në biznese, politikë etj., dhe këto aktivitete nuk përputhen me natyrën e ndjeshme të njeriut poet si qenie sociale. Nga ana tjetër duan të kenë zërin e tyre në letërsi dhe krijojnë këtë kakofoni të mërzitshme.

Distanca midis nesh dhe brezit të ri që po shfaqet akoma edhe më i dobët, po krijohet sepse këtij brezi në më të shumtën e rasteve i mungon fare kultura letrare. Nuk kam asnjë shpresë se diçka do të ndryshojë, të paktën për një kohë të gjatë, sepse vendin e librit tek të gjitha moshat pothuaj e zuri teknologjia dixhitale e kibernetike. Instrumentet elektronike janë të vetmet gjëra që njeriu i sotëm i mban në duar nga mëngjesi deri në darkë. Edhe një fëmije sot është shumë e vështirë t’ia heqësh telefonin apo tabletin nga dora. Pastaj në shkollë mungon lënda e gramatikës, përveç klasave në arsimin fillor dhe atyre të gjimnazit me profil humanist. Shumë njerëz sot e shkruajnë gjuhën ashtu siç e flasin. Në kohën tonë letërsia ka shumë “armiq”.

Vërtetë ka shumë “armiq”. Ndoshta më shumë se kurrë. Duke u ndalur te teknologjia, do doja të ndaja një pyetje të cilën në fakt kam dëshirë ta ndaj me shumë njerëz. Martin Puchner, i cili është një profesor në Universitetin e Harvardit, vëren se libri i parë i erdhi njerëzimit në tablet. Është fjala për “Epin e Gilgameshit”. Tashmë jemi pas 4000 vjetësh nga kjo ngjarje dhe po sipas z. Puchner, njerëzimi u kthye përsëri te tableti. Si e përfytyroni zhvillimin e teknologjisë së shkrimit në këtë trajektore? A mos është ky fundi i saj?

Si formë, pak a shumë ngjajnë. Tableti i lashtë sumer ishte fillesa, por çfarë ndodh sot vjen si rrjedhojë e zhvillimit kulmor të qytetërimit, zhvillim që nuk njeh ende kufij dhe nuk dihet ku do të ndalet. Janë shumë vende të botës që e përdorin kompjuterin shumë vite para nesh, por popullsia e atyre vendeve është shumë në rregull kulturalisht, sepse kompjuteri e tableti shënojnë shkallën e zhvillimit dhe problemi nuk qëndron në përdorimin e teknologjisë, por në ekzagjerimin si përdorues. Për moshën time, gjithmonë do të mbetet i dashur libri i shtypur. Më pëlqen akoma ta lexoj librin, më pëlqen ajo aroma e tij e pazëvendësueshme. Kjo nuk mund të pretendohet më brezin e ri që tableti iu ofrua si dhurata e parë e fëmijërisë në vend të lodrës. Në fund të fundit, mbetet një progres i padiskutueshëm.

Shqipëria dhe Rumania në fillimin e viteve “90 ishin dy vende që dolën nga regjimet komuniste. A ka lënë gjurmë periudha e regjimit komunist në letërsinë rumune? A ka një qëndrim të caktuar nga studiuesit dhe opinioni letrar në Rumani për letërsinë që u vu në shërbim të regjimit?

Jo, komunizmi nuk la gjurmë në veprën e shkrimtarëve rumunë, gjithësesi mbas viteve “90 letërsia ka njohur një periudhë lulëzimi në kuptimin e plotë të fjalës. Shumë shkrime të mira dhe të mëdha dolën në dritë dhe ky fakt ua ka kthyer dinjitetin shkrimtarëve që pa dyshim (disa prej tyre) në vitet e komunizmit i kanë kënduar partisë ose bashkëshortëve Ceaușescu, por nga të gjitha pikëpamjet e represionit të egër të organeve të partisë, censura ishte problemi numër një.

Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe askush nuk merret më me çfarë ka qenë dhe si ka qenë, pastaj shumë prej tyre kanë vdekur tashmë dhe tani përqendrimi i shoqërisë është orientuar drejt demokracive më të konsoliduara të botës, drejt parimeve të Evropës, sepse është koha kur, për fëmijët tanë të paktën, duhet të shikojmë në të ardhmen pa kthyer kokën mbrapa, sidomos sepse brezi i ri nuk ka asnjë lidhje me ato kohërat që asnjëherë, askush nuk do t’i ringjallë më.

Për të dy shtetet tona, komunizmi ka kenë një e keqe e madhe dhe nuk duhet ta qajmë, por e vërteta është se duke qenë pjesë e ekzistencës sonë historike, nuk e fshijmë dot nga ndërgjegjia. Shqipëria dhe Rumania janë kombet më të vjetra në rajon dhe bashkë duhet të vazhdojmë të jemi në familjen e madhe evropiane, ku në fakt edhe kemi qenë gjithmonë.

_______________

*Oana Glasu u lind, më 13 shtator 1975 në qytetin Corabia, në jug të Rumanisë. Ka krijuar studimet universitare në Fakultetin e Historisë dhe i Filologjisë, dega e Gjuhësisë, pranë Universitetit të Tiranës, të cilat i mbaroi në vitin 2001, duke vazhduar për gradën shkencore master në gjuhësi, specialitet që e mbaroi në vitin 2003. Në vitin 2010 ka mbrojtur edhe një diplomë tjetër në Fakultetin e Psikologjisë, në Rumani.

Është bashkëpunëtore e përhershme të revistës kulturore Oltart, ku publikon artikuj specialiteti dhe poezi. Ka publikuar poezi dhe përkthime nga autorë shqiptarë në revista të tjera rumune si: Sintagme literare, Întrezăriri, Caligraf, Parnas XXI dhe në vitin 2018 ka marrë çmimin “Euterpe” në Konkursin Kombëtar të poezisë Panait Cerna, i zhvilluar në qytetin Tulcea të Rumanisë. Ka në përgatitje vëllimin e parë me poezi, me titullin “Çupa e kuqe, 13”. Aktualisht punon në bibliotekën e rrethit, ku merret me kërkime në fushën gjuhësore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular