Vilson Kulemani, është i riu që u kthye në ‘heroim’ eprotestës së16 marsit kur policia sulmoi turmën me gaz helmues. Ai mori në krahë ata që mbetën të shtrirë në rrugë dhe i largoi nga sheshi përpara parlamentit. I riu, që ka marrë pjesë edhe ne protestën e studentëve, në një intervistë për Shijak TV hedh akuza mbi policinë për mungesë profesionalizmi dhe përgjegjshmërie.
Intervista:
Ju kemi parë dje në krye të protestës teksa ndihmoni të lenduarit nga gazi, po vetë ju si jeni? A ndikoi në shëndetin tuaj gazi helmues? Patët nevojë për të marrë ndihmë në spital?
Duke qenë se nuk ishte hera e parë që isha pjesë e turmës së sulmuar nga gazi, mendoj që trupi im kishte krijuar imunitet ndaj tij. Në momentin kur ka ndodhur shtyrja unë nuk kam qenë në rreshtin e parë të protestës por kam qenë me një grup studentësh me të cilët protestojmë gjithmonë. Sigurisht jam futur brenda në parlament për të tërhequr një djalë të ri që qëndronte i shtrirë dhe i pamundur për t’u larguar. Problemet më të mëdha në shëndet m’i ka krijuar sprajti verbues që policë të papërgjegjshëm më hodhën mua teksa përpiqesha të tërhiqja një burrë të moshuar që ishte dëmtuar dhe qëndronte i shtrirë në tokë.
Çfarë ndodhi? Përse u përdor gazi helmues?
Përdorimi i gazit mendoj se është mungesë profesionalizmi dhe papërgjegjshmëri nga policia. Një grup shumë i vogël, lehtë i neutralizueshëm ishin duke u shtyrë, por hedhja e gazit irritoi masën dhe ndodhën ato që ndodhën.
A u kërcënuan protestuesit?
Policia kërcënoi protestuesit me thirrjet ku ju kërkonte të largoheshin ose do të përdorte dhunën. Kjo polici po tregon mungesë profesionalizmi. Po jetojmë në një shtet policor. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Nuk mund të ketë parlament gjithmonë dhe të qëndrojnë 1200 trupa policie jashtë. Këtë herë më shumë se kurrë po vërtetohet se sa herë ka seanca parlamentare, populli helmohet, deri para tre javësh nga vendimet që merreshin aty dhe tani po helmohen me gaz.
Kishte edhe fëmijë të pranishëm, por policia nuk u step të përdorte gazin helmues?
Kishte shumë fëmijë, ishte një protestë me organizim surprizë. Jo të gjithë të pranishmit ishin për dhunë. Kishte prindër që largoheshin me fëmijë në krahë dhe në disa raste turma i ndante nga fëmijët e tyre.
A do të merrni pjesë përsëri në protestë?
Mezi po pres protestën e radhës. Deklaroj që në çdo protestë shkoj paqësisht por nuk mund të lejoj provokimet dhe paaftësinë e policisë.