Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë nga Pogradeci në lidhje me krizën politike ku është përfshirë vendi.
Sipas Metës kjo krizë nuk është e re dhe arsyet i ka dhënë edhe më parë.
‘Jam i gatshëm që nga dorëzimi i mandatit tim si President e deri tek sakrifikimi i jetës time si Salvator Allende për të mos lejuar instalimin e një junte’, është shprehur presidenti Ilir Meta në Pogradec.
Pyetje: Zoti President, vazhdimisht jeni shprehur se jemi në një krizë përfaqësimi dhe kushtetuese. Kur shpreheni kështu, çfarë keni parasysh?
Meta: Duhet ta theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re. Dhe arsyet dhe argumentet besoj se i kam dhënë edhe më parë pse jemi në një situatë të tillë, ku jo vetëm prej kohës nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe jo vetëm sistemi gjyqësor është i paralizuar, por janë minuar përpjekjet, apo qoftë edhe iniciativat, interesimi i veçantë i Presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar. Pra, kemi një krizë që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe që ka rrezikuar seriozisht rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe po kështu, jo vetëm garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve e grupeve të caktuara të interesit.
Tani kriza është thelluar dhe rënduar më tej pas veprimit të paprecedentë të opozitës shqiptare, i cili është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë, që është institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
Në vlerësimin dhe bindjen time, institucionale, Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm përfshirë edhe 3 deputetë e opozitës, që nuk pranuan të djegin mandatet, sipas vendimit politik të partive përkatëse.
Çdo numër tjetër përtej këtij jo vetëm që e thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon në kapërcimin e kësaj situate, si çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet, si në planin kushtetues, ligjor, procedurial, politik, moral dhe absolutisht në vendin tonë, si një vend tërësisht pro europian, mund të thërriten edhe një milion qytetarë që e kanë mbushur moshën për të qenë deputetë dhe që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, për të votuar në parlament ligjin në emër të reformave të integrimit europian, por kjo duhet të siguroj të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë përfaqësimi njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Nuk mund të ketë zgjidhje për krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik, të shpejtë, serioz edhe të përgjegjshëm që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet duke respektuar Kushtetutën, ndarjen e pushteteve, të gjitha ato angazhime që Shqipëria duhet t’i plotësojë urgjentisht për të marrë mesazhe pozitive për çeljen e negociatave së afërmi.
Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi, kriza jo vetëm nuk tejkalohet, por përshkallëzohet dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme, që janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas 30 vitesh përvojë.
Pyetje: Në kushte të tilla, roli juaj mbi palët cili është? A jeni i gatshëm për t’i ulur palët në dialog?
Meta: Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që Presidenti Ilir Meta nga dita e parë e deri më sot ka bërë të gjitha përpjekjet për të parandaluar këtë krizë, e cila ka shumë dimensione. Këto janë të dokumentuara dhe nuk do të doja t’ju merrja kohë për ato që çfarë unë kam bërë për të parandaluar këtë situatë dhe për të dhënë mesazhin para Bashkimit Europian që këtë projekt ne e kemi kombëtar, projekt të përbashkët të mazhorancës, të opozitës, që ne jemi të aftë dhe të përgatitur për të çelur negociatat, që ne jemi të aftë pozitë dhe opozitë për të zgjedhur një kryenegociator të përbashkët dhe ka Shqipëria ka shumë të tillë me integritet, me profesionalizëm, me reputacion ndërkombëtar, që ne punojmë së bashku për 5 prioritetet kyçe, pavarësisht që ndahemi për shumë çështje të tjerat, por sigurisht duke respektuar gjithmonë rregullat e demokracisë. Të gjitha këto përpjekje për fat të keq deri tani kanë dështuar, por jo për përgjegjësinë time, por për faktin se aktorë të caktuar nuk kanë dashur të marrin përgjegjësitë e tyre dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri tani.
Tani, e rëndësishmë është çfarë do të bëjmë?
Atëherë, ajo që mund t’ju them juve, që mund t’i them zotit Rama si kryetar i shumicës në parlament, që mund t’i them edhe zotit Basha si kryetar i opozitës dhe që mund t’i them të gjithë qytetarëve shqiptarë, socialistë e demokratë apo pa parti, që kanë shqetësimin e stabilitetit të vendit dhe duan siguri dhe nuk duan vetëm ka, por edhe çelje të negociatave dhe ecje përpara drejt anëtarësimit në BE:
Presidenti Ilir Meta është shumë i ndërgjegjshëm për rrënjët e kësaj krize. I ka paralajmëruar aktorët vendas dhe ndërkombëtarë prej kohësh që situata mund të shkojë drejt zhvillimeve të paparashikuara. Është e rëndësishme të evitojmë çdo përshkallëzim të krizës, e cila mund të sjellë konfrontime, të cilat i kemi parë në të kaluarëm dhe që kanë cenuar rëndë interesin e vendit, kanë kërcënuar jetën e shqiptarëve dhe të drejtat e pronat e tyre por edhe kanë vonuar proceset integruese të Shqipërisë.
Për këtë qëllim unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojnë vendin, askush, për karriget apo ambicjet e veta. Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar, edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë për të parandaluar një situatë dhe krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm, unë i pari, të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik, në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave me BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet, që nga dorëzimi i mandatit tim si President, pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore kushtetuese solide që e çon përpara e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende, për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas. Pra, Ilir Meta është i përgatitur për të dyja dhe i gatshëm për të dyja, sepse asnjëherë pavarësisht nga ambicjet e tij nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij dhe as për ambicjet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri. Dhe unë do t’i qëndroj betimit tim që midis pushtetit dhe demokracisë, do të mbaj gjithmonë krahun e demokracisë, sepse vetëm demokracia garanton një pushtet për popullin shqiptar në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë.
… [Trackback]
[…] Read More Info here to that Topic: startnews.news/2019/03/20/meta-gati-te-le-mandatin-dhe-deri-jeten-time-per-zgjidhjen-e-krizes/ […]
Comments are closed.