Zbardhet dinamika e vrasjes së Jurgen Kurtit në rrugën “Zef Jubani” në Tiranë. Pamjet e kamerave të sigurisë e disa mesazhe telefonike, janë provat e para të forta që implikojnë në krim, të arrestuarit, Olsi Qalliaj, Elsi Levendi dhe Alesio Berberi dhe të shumëkërkuarin Klodian Bane (Buxhaku).
Në dosjen hetimore zbardhen të gjitha lëvizjet e të dyshuarve para dhe pas ngjarjes dhe provat që i implikojnë në krim, por nuk del i qartë motivi se përse është ekzekutuar Kurti dhe kush ishte porositësi, pasi dyshimet janë për një vrasje me pagesë.
Pas ekzekutimit të 26-vjecarit, hetuesit u vunë në ndjekje të një makine tip Mercedez Benz, E Clas, ngjyrë gri, e cila u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Kamerat e sigurisë në zonë kishin fiksuar makinën në fjalë, e cila kishte disa karakteristika dalluese; kishte një antenë në pjesën qendrore të xhamit të pasmë dhe kur frenonte, drita e frenës tek pjesa e bagazhit, nuk ndizej e plotë.
Dyshimet janë shtuar, për faktin se automjeti është fokusuar për herë të parë rreth orës 20:00, teksa hyn kundravajtje pikërisht në vendin ku dy orë më vonë, u vra Kurti dhe bën tri xhiro. Nga aty, del tek posta nr.8 më pas në rrugën “Sulejman Delvina”. Targa e mjetit rezultonte e vjedhur.
Referuar pamjeve, automjeti që më vonë rezultoi të ishte në pronësi të Klodian Banes, shkon tek vendi i ngjarjes dhe ndalon për rreth një orë. Drejtuesi del disa herë dhe shfaqet teksa fotografon shkallën e pallatit të Jurgen Kurtit. Elsi Levendi ndërkohë dallohet që vjen nga posta dhe ulet tek kafja ngjitur me hyrjen e një palestre, ne të cilën ndodhej Kurti.
Katër orë më parë, ai kishte marrë porosi me mesazh që të mbante nën vëzhgim Jurgen Kurtin.
“Kalo pak tek lagjja mbrapa postës dhe shiko Jurgen Kurtin. Më thuaj nëse e sheh këtë person”.
Levendi shkruan se nuk e njihte personin, por i ka ardhur sërish një mesazh tjetër, “vetëm rri aty, nëse e shikon më njofto”.
Në momentin kur Jurgen Kurtika dalë nga palestra, Levendi shkruan: “Doli një person, por nuk jam i sigurt nëse është Jurgen Kurti”.
“Është një djalë i gjatë, i bëshëm”, i përgjigjet mesash shkruesi.
Momentet kur Levendi shkëmben mesazhet janë fiksuar nga kamerat. Fill më pas vritet Kurti. Edhe ekzekutimi i të riut është filmuar. Nga këqyrja rezulton se prej Benzit del një person dhe pasi merr diçka në dorë, bën veprime të njëjta me ato të qitjes me armë. Benzi fillon lëvizjen drejt ish-lokal Shushicës e më vonë konstatohet tek Kopshti Zoologjik.
Ndërkaq, Levendi del përpara postës dhe merr një taksi e niset drejt digës së Liqenit. Aty ndalon për të blerë një paketë cigare. Rikthehet në makinë dhe më vonë shfaqet në afërsi të Liqenit të Thatë. Aty ngjitet në automjetin Benz.
Pranë Benzit mbërrin dhe një automjet tip Audi, në pronësi të Olsi Qalliajt, që shfaqej në kamera pranë vendit të ngjarjes. Pasi bëhen bashkë të rinjtë, njëri prej tyre shkëputet me një qese dhe shkon drejt liqenit të Thatë, ndërsa dy të tjerët, ikin ne drejtim të pallateve. Të tre dalin 25 minuta më vonë. Njëri ikën me Audi, tjetri shkon merr qesen, ndërsa i treti kthehet në shtëpi.
Të nesërmen ata lëvizin Benzin, ndalojnë fillimisht në një market ne zonë, e më pas fillojnë lëvizjen normale.
Në ndihmë të policisë erdhën sërish kamerat, që fiksuan targën e makinës, e cila rezultoi në pronësi në Klodian Banes. Në këtë mënyrë, u ra në gjurmët e personave të dyshuar, tre prej të cilëve gjykata caktoi “masën e arrestit me burg”.