Policia e Shkodrës ka sekuestruar rreth 151 kg drogë dhe ka vënë në pranga tre persona, një nga Shkodra dhe dy nga Mali i Zi. Policia e Shtetit dha sot informacionin zyrtar për drogën e zbuluar dje mes Shqipërisë e Malit të Zi.
Nga Strukturat e DVP Shkodër, mbi bazën e një pune të mirëfilltë operative policore, pasi janë grumbulluar informacione në lidhje me një grup kriminal që ka lidhje me organizimin, financimin dhe transportin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike drejt Malit të Zi, u finalizua me sukses operacioni policor “Bardhaj”, ku u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: Kristjan Pali, 25 vjeç, banues në Shkodër; Radovan Bulajic 42 vjeç, banues në Danilograd, Mali i Zi; Marko Rasovic, 36 vjeç, banues në Nikshiq, Mali i Zi.
Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi nga kontrolli në brendësi të mjetit tip furgon “Volkswagen” me targa malazeze, i cili ishte futur në Shqipëri nëpërmjet PKK të Hanit të Hotit nga shtetasi R.B, u konstatuan 25 paketime polisteroli, 13 nga të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të dyshuar “marijuanë” me peshë totale 151 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 automjete, 5 telefona celularë, 1 palë dylbi dhe një sasi eurosh. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim i mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim”, vepra këto të parashikuara nga nenet 283/a/2, 22 dhe 283/2 të Kodit Penal.