BallinaEkonomiErdhi ora për Deklaratën Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA), gjithçka që...

Erdhi ora për Deklaratën Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA), gjithçka që duhet të dini

Një vështrim i përgjithshëm mbi rëndësinë e kësaj deklarate dhe perspektivën në fushën fiskale

Nga Msc.Alketa Çabej

Në vitin 2011, qeveria shqiptare, për herë të parë miratoi vendosjen e një deklarate tatimore për të ardhurat personale individuale të realizuara gjatë këtij viti, por që duhet të deklaroheshin deri në prill 2012 (më pas afati i dorëzimit të kësaj deklarate, për arsye të mosnjohjes nga ana e individëve u shty deri në shtator 2012).

Qëllimi i vendosjes së kësaj deklarate ishte: deklarimi i të gjitha të ardhurave personale, të përfituara gjatë vitit fiskal dhe reflektimi i tyre, si dhe i tatimit të paguar në një deklaratë të vetme, e cila do t’u nevojitej tatimpaguesve individë për justifikimin e të ardhurave personale, si dhe tatimin e paguar për to.

Duke qenë se vendet e rajonit, por edhe ato europiane e kanë një nga deklaratat më të rëndësishme, lindi nevoja që edhe Shqipëria ta ndërmerrte këtë hap për deklarimin e të ardhurave të individëve të saj, duke shtuar në dispozitat e ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar (nenet 13 deri 13/10).

Në këto nene përcaktohen: kushtet kur tatimpaguesit individë duhet të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA); afatin e dorëzimit të DIVA-s; të drejtën e dorëzimit të deklaratës së ndryshuar nga tatimpaguesi individ, si dhe afatet e këtij ndryshimi; penalitetet në rast mosdorëzimi në afat të DIVA-s.
Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) është deklarata më e rëndësishme për deklarimin e të ardhurave vjetore individuale.

Kjo deklaratë është e rëndësishme si për individin deklarues, i cili pasqyron në të, totalin e të gjitha të ardhurave personale vjetore dhe tatimet e paguara për to, ashtu edhe për administratën tatimore në rolin e kontrolluesit të saj.

Detyrimin për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA–s në administratën tatimore, e kanë të gjithë tatimpaguesit individë:
• Individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, për të ardhurat personale të tatueshme, të realizuara nga të gjitha burimet brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
• Individët jorezidentë në Republikën e Shqipërisë, për të ardhurat personale të tatueshme, vetëm me burim në Republikën e Shqipërisë.

Në rastin e individit rezident në Republikën e Shqipërisë, deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit.
Ndërsa, në rastin kur individi është person jorezident në Republikën e Shqipërisë, si kod fiskal shërben numri i identifikimit personal në letërnjoftimin e individit.

Detyrimet e tatimpaguesve individë për plotësimin e DIVA-s

Detyrimin për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA-s e kanë të gjithë tatimpaguesit individë rezidentë dhe jorezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura buto vjetore në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.
Por, DIVA-n e plotësojnë dhe e dorëzojnë në administratën tatimore edhe individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që kanë të ardhura bruto vjetore deri 1,050,000 lekë, por jo më e lartë se kjo shumë të cilët, duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme që janë:

• shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari;
• shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm
shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Tatimpaguesit individë jorezidentë nuk përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme.

Kategoritë e të ardhurave personale që deklarohen në DIVA
Ligji parashikon disa kategori që i nënshtrohen detyrimit për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, dhe ato renditen si më poshtë vijon:

• Të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët.
• Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;
• Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;
• Të ardhurat bruto nga interesa bankarë;
• Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
• Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
• Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;
• Fitimi kapital nga dhurimi;
• Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

Afatet e dorëzimit të DIVA-s

Nga ana tjetër parashikohet qartë edhe afati për dorëzimin e DIVA-s, në administratën tatimore është data 30 prill i vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi.

Në rast se deklaruesi, konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme deri në dy herë pa u penalizuar.

Nëse tatimpaguesi individ nuk e korrigjon vetë deklaratën individuale brenda afatit 3-mujor atëherë ndaj tij aplikohen sanksionet.
Sanksionet përcaktohen në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Penalitetet që zbatohen

Janë disa raste kur në ligj parashikohen penalitete, që lidhen kryesisht me mosplotësimin në kohë apo plotësimin e pasaktë të deklaratës tatimore vjetore të të ardhurave. Po çfarë parashikon më konkretisht ligji:

1. Tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar në deklaratën tatimore (30 prill të vitit pasardhës), për të cilën detyrohet sipas ligjit të deklarojë, dënohet me gjobë në masën 5,000 lekë.

2. Dorëzimi i një deklarate tatimore të pasaktë dënohet me një gjobë të barabartë me 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, gjatë së cilës pagesa nuk është kryer.
Në asnjë rast, gjoba nuk llogaritet për një periudhë më të gjatë se 365 ditë kalendarike.
Për qëllime të këtij neni, shuma e papaguar e detyrimit tatimor është diferenca ndërmjet detyrimit tatimor, që duhet paguar dhe shumës së tatimit të paguar.

3. Në rast kur tatimpaguesi, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ligji për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.

E ardhmja e DIVA-s

Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) është një deklaratë e re dhe padyshim një nga deklaratat tatimore më të rëndësishme. Individi rezident apo jorezident pasqyron në këtë deklaratë totalin e të gjitha të ardhurave të përfituara gjatë një viti fiskal.
Gjithashtu, në këtë deklaratë individi pasqyron tatimet e paguara gjatë vitit për të ardhurat personale të përfituara prej tij, por ai mund të paguajë edhe detyrimet tatimore të papaguara gjatë vitit fiskal.

Nisur nga kjo, nuk ka asnjë dyshim se kjo deklaratë pritet të zërë një vend të rëndësishëm në regjimin fiskal, në të ardhmen, nisur kjo edhe nga përvojat e tjera të ngjashme qoftë të vendeve të rajonit, apo edhe më gjerë. Rritja e ndërgjegjësimit tek individët do të jetë një faktor kyç në rritjen e peshës së kësaj deklarate tatimore në sistemin fiskal shqiptar.

Vëmendje!

Tatimpaguesit individë të punësuar në më shumë se një vend pune dhe janë të detyruar të dorëzojnë DIVA-n, duhet të llogarisin sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 9 të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi për shumën totale të të ardhurave bruto nga pagat. Tatimit të llogaritur nga bashkimi i të ardhurave bruto nga punësimi (pagat) i zbritet tatimi i paguar nga punëdhënësit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular