Nga Dionesa Ebibi
Gjatë muajit prill do të jepen dhjetë shfaqje në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Aktorët janë të gatshëm të ngjiten në skenë edhe pse ka shtatë muaj që nuk janë paguar për punën e tyre, shkruan Gazeta “Zëri”.
Situata e ngjashme që mbizotëron nëpër teatrot e Kosovës e ka rrëmbyer edhe Teatrin e Gjilanit, i cili numëron 12 aktorë dhe 10 punëtorë të stafit teknik. Pakënaqësitë e tij për gazetën “Zëri” i shpalos aktori i këtij Teatri Alban Shahiqi. Shahiqi ka bërë dy dekada qëkur është pjesë e rregullt e skenës në këtë Teatër. Ai ka treguar se për ta është shumë e vështirë, që përpos punës që e bëjnë në Teatër dhe që e kanë profesion, borxh i kanë edhe qytetarëve të cilët edhe në repriza të shfaqjeve i mbushin sallat plot. Ai ka konfirmuar se edhe këtë muaj do ta realizojnë programin, edhe pse tash e shtatë muaj nuk janë paguar. “Teatri i Gjilanit është teatër në gjithë kuptimin e fjalës, ka stafin e kompletuar, repertor të kompletuar, me dy-tri shfaqje në javë, statusi i të cilit akoma është i pazgjidhur dhe funksionon në bazë të subvencionove, që shpërndahen. Ne jemi minus me shtatë paga ose kanë kaluar 210 ditë që nuk jemi paguar. Kemi borxhe të vitit të kaluar, por edhe të këtij viti”, njofton për “Zërin” Shahiqi.
Ai ka theksuar se ashtu si kanë qenë institucionet para luftës edhe teatrot i kanë lënë po në atë mënyrë, pa ndryshime pozitive. E për Shahiqin ky është një problem serioz kur dihet se teatri është institucioni më i lartë kulturor, i cili ngre vetëdijen kulturore.
Shahiqi thotë se ata vazhdimisht janë ankuar edhe atë në forma të ndryshme, duke bërë kërkesa, ankesa me shkrim, po ashtu duke organizuar edhe protesta. “Statusi, ligji i parregulluar na bie në këtë gjendje kur nuk dihet çka të bëhet më. Ky është një faj i madh kombëtar, sepse kur nuk vlerësohet kultura që e përfaqëson një shtet e që është institucioni më i lartë kulturor i një shteti, ky në realitet është një faj kombëtar”, tha Shahiqi, i cili vlerëson se është uniteti në mesin e aktorëve, pa të cilin ai thotë se nuk do të mundë të funksiononin që të mbajnë në jetë edhe Teatrin, edhe shfaqjet dhe të gjitha anët e tjera që e plotësojnë si teknikisht, por edhe profesionalisht. E merita tjetër është te publiku, që ai e vlerëson si të mrekullueshëm dhe i cili di ta vlerësojë punën e tyre. “Çdo vit pranohen nga 12 aktorë, por nuk e kanë një institucion ku ata do të mundin të punojnë dhe ta zhvillojnë profesionin e vet. Rreth 300 aktorë sillen nëpër Kosovë, që janë edhe jashtë Teatrit. Ne jemi duke pritur ta zgjedhim statusin tonë me ligj me Ministrinë e Kulturës dhe të Financave. Në kohën kur ka ardhur Erson Zymberi si drejtor i Teatrit na ka gjetur me minus gjashtë rroga, ai është munduar gjithmonë t’i barazojë, por filli ka humbur që nga 2017-a kur gjithmonë kemi pasur probleme. Prej 2017-s ka vazhduar kjo parregullsi, borxhi vazhdimisht e nxë borxhin”, tha Shahiqi.
Ai ka njoftuar se Asociacioni i Aktorëve të Kosovës është i angazhuar tërësisht për ndryshimin e ligjit, për hartimin e statusit, kurse tash po vlerëson se ka ardhur në një proces përfundimtar, ku presin që Qeveria ta kalojë këtë.
Drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, për gazetën “Zëri” ka konfirmuar se aktorët e këtij teatri qe shtatë muaj nuk janë paguar. “Ndodhemi në një gjendje shumë të vështirë financiare, gjendje kjo e cila i ka përcjellë që nga paslufta e deri te ne. Aktualisht mendoj se ka arritur kulmin e dëshpërimit sa i përket gjendjes financiare. Kjo vjen si pasojë e papërgjegjësisë së institucioneve relevante, qe 20 vjet nuk kanë arritur ta zgjidhin problemin e teatrove”, vlerëson drejtori Zymberi e sipas tij subvencionet që ndahen nga Komuna e Gjilanit këtë vit ata kanë marrë vetëm 8 mijë euro subvencione dhe ato i kanë ndarë në pagesa të angazhimeve, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ai njofton se Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë kaluar një konceptdokument për teatrot, ku në këtë komision është hapur rruga e plotësim-ndryshimit të ligjit, janë përfaqësuesit, drejtorët ose menaxherët të secilit teatër të qyteteve.
Zymberi thotë se janë duke punuar që përmes anës juridike të ndryshojnë çështjen e financimit të teatrove të të gjitha qyteteve. Ai njofton se shtatë komuna kanë bërë kërkesat e tyre për shkak se tash është koha kur ato klasifikojnë buxhetin e vet për vitet në vijim në kornizat buxhetore për vitet 2020, 2021 dhe 2022. “Të gjitha komunat kanë dërguar kërkesat e tyre në drejtim të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë së Financave nga ku kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet përgjithmonë, duke kërkuar të themelohen kodet buxhetore për teatrot, të rrisin numrin e punëtorëve nëpër komuna, përkatësisht në drejtoritë e kulturës, konkretisht në teatrot e qyteteve, të bëhen kontratat e rregullta me punëtorët teknikë, me aktorët, me stafin artistik”, njofton Zymberi.
I pari i Teatrit të Gjilanit ka theksuar se rritja e numrit të punëtorëve po është problem për Ministrinë e Financave, por ai thotë se nëse kjo zgjidhet do të arrihen të shlyhen njëherë e përgjithmonë borxhet dhe t’i zgjedhin këto probleme. Ai kërkon që më në fund Teatri të trajtohet si institucion që prodhon kulturë dhe jo si institucion, i cili ka gjithmonë probleme të kësaj natyre.
Shpresa Hajdari, drejtoreshë për kulturë në Komunën e Gjilanit, për “Zërin” ka komentuar gjendjen e pagave të aktorëve. Ajo thotë se procedura shkon në atë mënyrë që Teatri paguhet përmes subvencioneve. Ata kanë një vendim të Kuvendit, i cili do t’ia lëshojë një shumë të mjeteve këtë muaj, pastaj këtë çështje duhet ta zgjidhë drejtori ngase ai i shpërndan mjetet. “Kështu ka funksionuar deri më tani, unë kështu e kam gjetur, teatri subvencionohet, mjetet shpërndahen, drejtori i ri do t’i shpërndajë dhe në këtë formë unë mendoj se ata do t’i zbusin disa paga. Ne mundohemi të i ndajmë gjithmonë sipas vendimeve të Kuvendit”, tha ajo për “Zërin”.
Zeri.info