Nga Edmond Stojku
Shumë njerëz u tronditën nga lajmi se Holanda – një vend mik dhe investitor i rëndësishëm në Shqipëri – kërkoi nga tribuna e saj parlamentare që ndaj shqiptareve të rivendoset regjimi i vizave për udhëtimet në zonën Shengen. Dhjetë vjet pas liberalizimit të tyre, ky hap mbrapa do të ishte fatal për krejt procesin tonë të integrimit europian. Por në fakt ky nuk është lajmi.
Debati i hapur në parlamentin holandez është pasqyra më e qartë që shqiptarët të shohin në sy si është shkatërruar ditë pas dite imazhi i tyre në botë. Dhe si të reagojnë ndaj kësaj politike vetëvrasëse.
Lajmi është se Holanda pret që shqiptarët të ndërgjegjësohen për të larguar menjëherë nga pushteti trafikantët – që në mënyrë direkte apo indirekte po i prodhojnë vendit një izolim të ri politik. Nuk do të merrem me pasojat në rast se një kërcenim i tillë do të përmbushej.
Si europianist dhe mbështetës pa kushte i vizionit evropian për Shqipërinë unë, mbetem me besim se Bashkimi Europian nuk do ta ndëshkojë kolektivisht një popull të tërë për shkaqe që lidhen me një kastë të korruptuar dhe kriminale, e cila ka uzurpuar pushtetin.
Unë mbetem me besim se vendet mike të BE-se nuk mund të dënojnë çdo shqiptar të ndershëm për hatër të cinizmit politik të ministrave të Ramës apo të një sistemi tashmë të rrezuar moralisht nga dyfytyrësia e leadership-it.
Ndëshkimi kolektiv bie ndesh me të drejtën europiane dhe unë besoj se Europa nuk do të dhunojë parimet e saj themelore – qoftë edhe në emër të politikes populiste të vendeve të veçuara anëtare. Është detyra e çdo shqiptari të besoje tek vlerat europiane.
Në krahun tjetër – sa herë përmendet Holanda, me kujtohet një kompani arkitekture me një emër që të kujton gripin e shpendëve, të cilën Rama e solli ne Tirane nga Amsterdami si alibi të vizionit te tij europian të zhvillimit. Ai e përdori atë për të shitur leje ndërtimi, përmes një drejtori bashkie që me vonë u bë kryetar në të gjithë tenderat e projektimit që bëheshin në Tirane.
Ndjeshmëria shume e ulët ndaj të drejtës, standardeve demokratike të barazisë e ndershmërisë së garës në një treg të lirë – edhe pse të vogël si Shqipëria – ka qenë një fenomen i shpeshte i tranzicionit. Shpesh tek konkurrentët europiane kompanitë shqiptare nuk kanë parë modelin e duhur të vlerave europiane – por konkurrencën e pandershme, pazarin politik, korrupsionin si “raison d’etat”; Shpesh mediat kanë denoncuar lobingun e ambasadave dhe arsyetimet kallpe “integrim në shkëmbim të favoreve”…
Të mos harrojmë se politikanet shqiptarë i ka korruptuar gjithmonë ai që paguan më shumë: për fat të keq sot kriminelët shqiptare i paguajnë ata me shumë se interesat europiane të vendit. Në kushtet kur rrugët e financuar me buxhetin e shtetit (apo me PPP) kushtojnë 10 herë më shtrenjtë se rrugët e financuara nga BERZH, BEI apo BB (partneret financiare ndërkombëtare te vendit) – do të ishte fatkeqësi që kjo kastë e korruptuar politike të duartrokitej për futjen e vendit në BE. Ata thjesht do të fusnin duart në thesin e madh të financimeve europiane – duke vjedhur masivisht të ardhmen e shqiptarëve, siç kanë vjedhur deri më sot nderin e tyre në botë.
Në këtë kuptim – diskutimi parlamentar dhe propozimi holandez për rivendosjen e vizave – duhet lexuar drejt si një thirrje e vëmendjes ndaj shqiptarëve të thjeshtë, votuesve dhe krejt komuniteteve shqiptare – brenda e jashtë vendit – për t’i dhënë fund një politike që mbështet krimin dhe korrupsionin në kurriz të imazhit të vendit dhe të fatit të çdo qytetari të tij.
Një izolim i ri i vendit do të ishte vetëm në favor të kastës sunduese- që pasi ktheu në pushtet gjithë pinjollët e diktaturës enveriste të kthente në fuqi edhe regjimin e tyre politik – një Shqipëri të izoluar “shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, e cila vdes me forcat e veta, një vend ku do të lulëzojnë vetëm trafikantët e liçensuar të kanabisit, aziatikëve të dëshpëruar dhe të krimit.
… [Trackback]
[…] Read More on that Topic: startnews.news/2019/04/17/10307/ […]
Comments are closed.