Në përpjekje për të minimizuar dëmin ndaj reputacionit të qeverisë dhe të vendit, të shkaktuar nga vendimi i Parlamentit holandez, që i kërkoi qeverisë holandeze të kërkojë nisjen e procedurës për kthimin e vizave për shqiptarët, qeveria e Kryeministrit Rama filloi dje një sulm frontal ndaj njërës nga katër deputetët që propozuan mocionin, kristian- demokrates Madeleine van Toorenburg.
Deputeti Taulant Balla, kryetari grupit parlamentar socialist, pohoi se Van Toorenburg ishte “mikeshë e ngushtë e Lulzim Bashës. Populistët përdorin çdo mjet për të denigruar kombin shqiptar. […] Basha lobon për këtë në Holandë”.
Exit.al kontaktoi deputeten holandeze Van Toorenburg, duke e pyetur nëse pretendimi i qeverisë shqiptare se ajo ishte mikeshë e Lulzim Bashës është i vërtetë. Në përgjigjen e saj, Van Toorenburg deklaroi:
“Unë nuk jam lobiste dhe as nuk i njoh këta persona. Kjo më shumë flet për Shqipërinë se sa për mua. Policia dhe zyra e prokurorisë kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave për të patur një panoramë më të mirë për ata që vijnë nga Shqipëria, sepse ata tani përballen vazhdimisht me njerëz që kryejnë krime ose hipin nëpër kamionë, të cilët kur ndalohen thonë se janë thjesht turistë”.