Nga Ilir Nikolla
Tashmë punët janë bërë të thjeshta. Në njërën anë është Edi Rama, i cili u thotë shqiptarëve “qeverisë s’keni ç’t’i bëni, por vetë do të varfëroheni edhe më shumë po vijoi kriza” dhe nga ana tjetër, koalicioni më i madh i forcave politike që ka parë historia pluraliste, që nga 1991-i, që kërkon largimin e qeverisë, në mënyrë që vendi të mos zhytet në një përplasje civile. Si dekor i këtyre qendrimeve, spikat vendimi i parlamentit holandez me dy të tretat e votave, që i kërkon Brukselit kthimin e vizave për shqiptarët, sepse Shqipëria është kthyer në problem sigurie për Holandën, dhe përkundrejt tij, interpretimi i Ramës se Holanda e mori këtë vendim, por s’besoj se Amsterdami do ia mbushë mendjen Brukselit.
Kush ka dy pare mend, e merr me mend se duhet të kemi drojë nga votimi i parlamentit holandez dhe duhet të qeshim me garancinë prej Ali Komiku të Edi Ramës se ndoshta Brukselit s’do t’i mbushet mendja të dëgjojë arsyetimet holandeze. Në të njëjtën ditë, shkrimi i një profesori italian, Vinçenco Muzakio, ekspert për narkotrafikun dhe kartelet e Evropës Juglindore ngrinte alarmin tek publiku i përtejdetit se Shqipërinë një hap e ndan nga shndërrimi në një narko-shtet, nga shndërrimi i Shqipërisë në një “Meksikë” që përmbyt italinë njësoj si SHBA-të me drogë e kriminalitet.
Zërat nga Perëndimi gëzojnë ndër shqiptarët besueshmërinë e Perëndisë, sepse siç thotë Naimi, për shqiptarët “dielli lind andej nga perëndon”. Parlamenti holandez me dy të tretat nuk mund të manipulohet nga askush, as nga Donald Trump, as nga Angela Merkel, imagjinoni nga opozita shqiptare.
Plaga është e hapur dhe po majiset. Shqiptarëve, që prej vitesh u është tjetërsuar vota, tani po varfërohen në tejskaj, po u rivihen vizat e po vendosen në kushtet e “të keqes së domosdoshme”, pra, në geton ku qeveris satrap Rama. Satrapit s’i intereson asgjë përveç karriges dhe e shqipton hapur, teksa në parlament u thotë deleve se qeverisë së tij s’do t’i hyjë gjemb në këmbë. Mbetet që ata që s’ndihen mirë në geton e Ramës të bashkojnë forcat për ta prishur njëherë e mirë “status-quo”-në.
Nuk është turp të deklarosh se e ke gabim. Cilido socialist që e ndjen se ka bërë gabim që e ka mbështetur Edi Ramën kaq gjatë, thjesht “për ideal të partisë”, nuk ka pse të ketë asnjë drojë të deklarohet sot, se është kundër getos që po ngre kryeministri. Loja tani është shumë e thjeshtë: do lexojmë leksionin holandez (dhe të ekspertit italian) që ta ndalim Shqipërinë të shndërrohet njëherë e mirë në një narko-shtet, apo do presim që për të udhëtuar në Itali e Greqi (për gjetkë e shoh shumë të vështirë në të ardhmen e mesme) t’i marrim leje kartelit të Niçes në Durrës apo atij të Habilxhafëve në Vlorë.
Është kaq thjeshtë, sa u lehtësohet zgjedhja edhe nostalgjikëve të “idealit të partisë”.