BallinaAktualitetZëri i Amerikës: Shqipëri, opozita drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale

Zëri i Amerikës: Shqipëri, opozita drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale

Në Shqipëri opozita duket se përfundimisht ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 30 qershorit. Kryesia e Partisë Demokratike miratoi sot një propozim të kryetarit Lulzim Basha sipas të cilit “PD të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Sipas Partisë Demokratike “kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave”.

Por përveç mospjesmarrjes, PD-ja sipas propozimit të zotit Basha do të angazhohet dhe për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve. “Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale”, thuhet në vendim ndërsa saktësohet se angazhohet gjithashtu dhe që “të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Vendimi i kryesisë u miratua në mbrëmje dhe nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Zoti Basha pas mbledhjes nuk dha detaje të tjera sei si do të konkretizohet ky aksion i opozitës. Ndërsa thirrjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë për një dialog mes palëve, ai ju përgjigj dhe sot se “parakushti për një dialog të vërtetë është largimi i Edi Ramës”.

Në të njejtën linjë dhe Lëvizja socialiste për integrim. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, zëvendëskryetari Luan Rama u shpreh se sipas tij “Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik dhe qytetar të opozitës, do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre.”

Vendimet individuale të dy partive kryesore të opozitës pritet të jenë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në të cilën do të bëhen pjesë dhe partitë e tjera opozitare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular