Pas raportit të organizatës botërore të gazetarëve “Reporter pa kufij”, lidhur me lirinë e medias në Shqipëri, ku vendi ynë kishte zbritur me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, ka reagur edhe presidenti Ilir Meta.
Nëpërmjet një deklarate publike, Meta i ka cilësuar si shqetësuese konkluzionet e këtij materiali, mdërsa shprehet se ky raport është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.
Postimi i plotë:
Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias.
Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.
Angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.
Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.
Neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj.
Liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.
Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit.
Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.
Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik.