Katër persona janë ndaluar nga policia në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Rinas, gjatë një aksioni që ka nisur që prej pasdites së dielë në Elbasan. Ndërsa sot policia ka zhvilluar kontrolle në disa banesa në këtë qytet.
Burime nga Policia e Shtetit dhe nga prokuroria kanë konfirmuar për RTV Ora se të arrestuarit janë shtetasit Renaldo Sula, Sajmir Çela, F. Beqiraj dhe Ajkon Bengasi.
Këta shtetas janë evidentuar nga provat e mbledhura prej grupit hetimor në lidhje me modifikimin e makinave që kanë përdorur grabitësit në datën 9 prill gjatë vjedhjes së parave në pistën e aeroportit të Rinasit.
Të dielën policia kontrolloi edhe një servis në rrugën e Metalurgjikut në Elbasan ku dyshohet se janë modifikuar automjetet e përdorura në grabitje dhe furgoni me mbishkrimin “hetimi tatimor”.
Burime nga policia kanë pohuar se ditën e sotme pritet publikimi I një deklarate në lidhje me hetimet për grabitjen në Rinas dhe ndalimin e personave të dyshuar.