Samitit të sotëm të Berlinit dhe vendimeve të dala prej tij i ka dhënë hapësirë edhe Zëri i Amerikës.
Përmes një artikulli të detajuar me titull “Merkel dhe Macron kërkojnë zgjidhje për Kosovën që nuk dëmton rajonin2, VOA shkruan se, dy liderët kryesorë të Bashkimit Europian dolën haptazi kundër idesë së hedhur së fundmi për një ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.
Ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës:
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, thanë të hënën në Berlin se çdo zgjidhje e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të shmang tensionet dhe nuk mund të jetë në dëm të vendeve tjera të rajonit.
Ata i bënë këto komente në fillim të takimit me vendet e Ballkanit Perëndimorë, ku çështje kryesore është procesi i bisedimeve tashmë të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kancelarja Merkel tha se nuk pritet zgjidhje nga takimi por do të ketë shkëmbim pikëpamjesh dhe se kjo nuk i zëvendëson negociatat e drejtuara nga Bashkimi Evropian. Ajo tha se takimi është një hap në rrugën e gjatë përpara, ndërsa theksoi se zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk synohet “imponimi i një zgjidhjeje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të mundësive që janë në tryezë”.
Para se të fillonin darkën e punës me të ftuarit, të dy zyrtarët e lartë evropianë morën shembull marrëveshjen që Shkupi dhe Athina arritën për emrin e Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se ajo është shembull se si mund të zgjidhen konfliktet.
Në një dokument që ata shpresojnë të miratohet në takim, thuhet se “Serbia dhe Kosova janë pajtuar që të përshpejtojnë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të përfshihen sërish në mënyrë konstruktive për në bisedimet për normalizimin me qellim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare”.