Ergest Alija 29 vjeç me origjinë nga Librazhdi është shqiptari që është therur për vdekje nga dy rusë në burgun e Trikalës. Sipas policisë greke, shqiptari u qëllua me thikë nga 2 të burgosur rusë, megjithëse rrethanat e krimit ende nuk janë zbardhur plotësisht.
Alija dyshohet se ka humbur jetën pas një përleshjeje me thika në burgun e Trikalës. Policia greke tha se i dyshuari kryesor për plagosjen dhe vrasjen e Alisë është një rus, që më pas ka tentuar të kryejë vetëvrasje.
Edhe pse shqiptari u dërgua në spital, sërish nuk mundi që të shpëtonte. Ai kishte marrë plagë të rënda në gjoks, brinjë dhe këmbë. Trupi i tij u dërgua në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Prokuroria e Trikalës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.
Një nga kushërinjtë e largët të shqiptarit që mbeti viktimë në burgun grek ka rrëfyer se prindërit e tij kishin humbur edhe dy vëllezërit e tij më të vegjël kohë më parë e tani dhimbja i ka pushtuar trefish pas humbjes së djalit të madh. Rusi që plagosi për vdekje shqiptarin më 1 maj, pasi u vetëplagos u dërgua me plagë nëpër trup në Spitalin e Ndihmës së Parë në Trikala.
Nuk dihet ende gjendja shëndetësore e rusit, të dyshuar si vrasës i Ergest Alijës. Kujtojmë se në burgjet greke, sidomos në atë të Trikalës kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të bujshme kriminale, ku viktima kanë mbetur edhe shumë të burgosur shqiptarë.