Nga Leonard Demi
Sot, në fushatën populiste paraelektorale të Kryeministrit “Për bashkinë që duam”, jemi zënë në pështjellimin e retorikës së tij të rëndë kundër opozitës. Ai po e paraqet veten dhe, deri diku, edhe qeverinë e tij, si zërin e patriotizmit të pastër, mbrojtës të vlerave dhe nevojave të popullit, të cilit po i ndryshon jetën dhe po e çon drejt përparimit; ndërsa ajo, opozita, ka tradhtuar interesat e tyre, të burrave dhe të grave, që punojnë dhe janë në nevojë, sepse ajo është e “rrezikshme, shkatërrimtare, e korruptuar, e paditur dhe e paarsimuar”:
Me këtë shkrim po përpiqem të tregoj se çfarë përfaqëson populizmi si dukuri dhe si po e përdor Kryeministri atë për të mënjanuar shqetësimin popullor nga një krizë shumëplanëshe.
1. POPULIZMI
Populizmi është një karakteristikë strategjike e politikës demokratike dhe po përhapet në vende të ndryshme të botës. Si stil politik, ka tri karakteristika kryesore: (i) i drejtohet popullit “populli kundrejt klasës së korruptuar”, (ii) “sjellje të papërshtatshme” dhe (iii) “krizat”.
Populizmi përcaktohet si një ideologji, që nxit një popull të ndershëm kundër një grupi të rrezikshëm, të cilët portretizohen si vjedhës të popullit sovran, shkelin të drejtat, vlerat, përparimin, identitetin e tij dhe shpreh adhurim për popullin e zakonshëm. Fjalimet publike të Kryeministrit tonë janë shembulli më i qartë i kësaj rrjedhe:
“.. ecim hap pas hapi me ju… dhe ju kemi ju para syve në çdo hap që hedhim.
Vlora që kishim dje ishte vendi i errësirës. …ku të gjithë vinin për të ikur, kur të gjithë kalonin për të mos ndaluar. …nuk kishte shpresë, nuk kishte perspektivë, …Vlora ishte braktisur…” (Bashkia …, Vlorë, 16 shkurt.)
Kjo dukuri është një qëndrim politik, që e konsideron shoqërinë të ndarë në dy kampe homogjene dhe antagoniste, “populli” kundrejt “shkatërrimtarëve, të rrezikshmëve”:
“… futemi tek ajo kasollja e qenve (Kuvendi). …duam s’duam edhe ne me ta, edhe nganjëherë dukemi edhe ne si ata, por një gjë është e sigurt. Ne nuk jemi si ata. Ne jemi ndryshe.” (Bashkia …, Korçë, 8 shkurt.)
Kësisoj, Kryeministri populist nuk mund të ofrojë përgjigje as komplekse dhe as gjithëpërfshirëse pyetjeve politike, që ngërthen shoqëria jonë e sotme. Ai është më shumë “moralizues se sa pragmatik”. Inkurajon një pikëpamje dyfaqëshe, në të cilën çdokush është i ndarë në “mik dhe armik”. Ai që quhet armik nuk konsiderohet si popull që ka “vlera dhe përparësi të ndryshme”, por thellësisht si “i lig”. Për të theksuar pastërtinë e njërit krah kundër imoralitetit “të krahut tjetër”, nga i cili “populli” duhet të mbetet i pastër dhe i paprekur:
“Ajo që kishim ishte ferr. Fushë Arrëzi, ku ishte si të kaloje ferrin dhe sot ka filluar të marrë një tjetër hije…” (Bashkia …, Pukë, 19 shkurt)
“…ata kanë interesin …e shkatërrimit, interesin e kthimit pas.” (Bashkia …, Durrës, 29 mars.)
“Kukësi dhe e gjithë Shqipëria kishin një qeveri, e cila gabonte shumë, mendonte pak dhe nuk reflektonte kurrë.” ( Bashkia …, Kukës, 5 prill.)
Një qasje e fundit e konsideron populizmin kryesisht si një stil folklorik të politikës, që liderët dhe partitë e tyre e përdorin të mobilizojnë masat. Në këtë kuptim, amatorizmi dhe sjelljet politike joprofesionale të populizmit kanë për qëllim të rrisin në maksimum vëmendjen e medias dhe mbështetjen popullore. Duke mos respektuar veshjen e rregullt dhe shprehjet e përshtatshme gjuhësore, Kryeministri populist praqet vetveten jo vetëm si të ndryshëm dhe me risi, por edhe si lider kurajoz, i cili qëndron me “popullin” në opozitë me “të rrezikshmit”.
“…kryetari… vjen …dhe jashtënxirret…, duke lëshuar në mes të Kuvendit të lartë të Shqipërisë, të gjitha të trashat…” (Opozita nuk ka asnjë shans …, 31 Janar.)
“Kanë mbetur rrugëve. Rrugët e lëna rrugëve. Nxori Partinë Demokratike rrugëve. Kujt t’i dorëzohemi ne?! Atyre atje te kthesa, që në kthesë janë e në kthesë do mbeten dhe kthesën s’kanë për ta marrë.” (Bashkia …, Fier, 9 mars.)
“…do hapim negociatat me këta ne, kur opozita hipën nëpër pemë” (Bashkia …, Durrës, 29 mars.) “…patjetër që të kujdesemi edhe për të
gjithë miqtë tanë demokratë, të cilët u tradhtuan nga përfaqësuesit e tyre në mënyrën më të habitshme dhe në një mënyrë që historia e demokracive parlamentare nuk e njeh.” (Bashkia …, Gjirokastër, 22 shkurt.)
Në Europë, populizmin e konsiderojnë si tranzitor dhe një numër konceptesh të kësaj dukurie jetojnë aq sa mund t’i rezistojnë kohës aktorët e vet. Në këtë qasje, populizmi nuk konsiderohet si fenomen që sjell ndryshime.
Në shekullin e 21-të populistët e njësojnë veten me “zërin e popullit” dhe, zakonisht, të kombinuar me frymë nacionalizmi, si, p.sh.: Hugo Chavez, (Venezuelë), Pim Fortuyn dhe Geert Wilders (Hollandë), Jörg Haider dhe Norbert Hofer (Austri), Vladimír Meèiar (Sllovaki), Marine Le Pen (Francë).
2. POPULLI
Një pjesë e madhe e debatit rreth konceptit dhe fenomenit të populizmit përqendrohet në gjerësinë e termit “popull”. Pothuajse, çdo njeri pranon se “popull” është një koncept, që, më së shumti, i referohet një interpretimi të veçantë dhe të thjeshtëzuar të realitetit dhe Kryeministri e përdor rëndom këtë koncept:
“Kjo qeveri kurrë nuk bën gabime të qëllimshme për të përfituar në kurriz të popullit dhe duke tradhtuar interesat e atdheut dhe interesat e publikut. Asnjëherë! Në çdo rast këto janë ato që ne na udhëheqin e do të na udhëheqin gjithmonë.” (Bashkia …, Fier, 9 mars.)
Disa studiues argumentojnë se është, pikërisht, kuptimi i papërcaktuar i termit “popull” që e bën populizmin një dukuri dhe fenomen ideologjik të fuqishëm. Kështu, Kryeministri u drejtohet grupeve apo shtresave të caktuara për të artikuluar kërkesat e tyre, përpiqet të krijojë një identitet të përbashkët ndërmjet grupeve të ndryshëm dhe e përdor mbështetjen e tyre për një çështje të mirëpërcaktuar. Kudo, në kumtimet e veta publike, ai u thotë qytetarëve:
“Nuk ka nevojë fare të shkosh zyrë më zyrë. Më ra goja, lërini zyrat, ju mjafton një triminutësh në kompjuter te Shqipëriaqëduam… dhe …brenda 10 ditësh do marrësh përgjigjen. Nëse të takon, do marrësh letrën.” (Bashkia …, Korçë, 8 shkurt.)
“Shqipëria që duam” është një Agjenci (Agjencia per Dialog dhe Bashkeqeverisje) e krijuar nga Kryeministri, që ka si mision “të ofrojë sherbime publike, të sigurojë pergjegjshmerine e institucioneve te administrates publike gjate nderveprimit me qytetaret”:
“… bëmë ankesën tonë te portali i zotit Rama…” (Bashkia …, Fier, 9 mars.)
Ky institucion ngërthen dy veçori: (i) është varrmihës i administratës shtetërore dhe minon shtetin e së drejtës; (ii) shpreh hapur një krizë legjitimiteti brenda vendit, që vjen nga humbja e besimit tek institucionet e administratës shtetërore, edhe pse ato kanë autoritet ligjor për të qeverisur.
Kryeministri, kësisoj, kumton se administrata jonë, që është sistemi legjitim shtetëror, nuk gëzon besimin, që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Ajo nuk është në gjendje të vendosë struktura normative në atë masë saqë sistemi të funksionojë në rregull. Dhe, meqë shteti ka humbur besimin e publikut, populli shqiptar është i ftuar të ketë besim te Kryeministri, i cili me 35 vajza dhe djem risjell besimin dhe legjitimitetin sepse ka pushuar nga puna 300 drejtues dhe punonjës të zyrave (Bashkia …, Fier, 9 mars.) dhe diku tjetër thotë se ata janë 600 (Bashkia …, Durrës, 29 mars.).
3. KRIZA
Kriza është një karakteristikë e brendshme e populizmit e konceptuar si stil politik. Sipas studiuesve, vetë kriza gjeneron populizëm, gjithashtu, duhet marrë parasysh se populizmi përpiqet të veprojë si një gjenerues krizash. Kriza nuk është kurrë një fenomen neutral ose objektiv, por duhet të kryhet dhe të ndërmjetësohet nga disa aktorë, gjë që populistët tentojnë ta bëjnë mirë. Konceptimi i krizës si “shfaqje e dështimit” përdoret nga Kryeministri për të nxitur audiencën e vet kundër opozitës, thjeshtëzon terrenin për debat publik dhe bëhet avokat i një lidershipi të fortë, si dhe të veprimit politik të shpejtë.
Ngjarja më e madhe politike e vitit, që përcollëm, ishte protesta e studentëve. Ajo befasoi me masivitetin, forcën, vendosmërinë, gjeografinë, mungesën e strukturës dhe të lidershipit, qëndresën ndaj përpjekjeve për t’u kuptuar nga partitë politike ekzistuese. Protesta gjeti një mbështetje të gjerë popullore sepse grisi parullat e sukseseve dhe manifestoi krizën sociale, ekonomike, qeverisëse dhe institucionale të vendit.
Kryeministri nuk e zgjidhi krizën dhe masat që mori, përfshirë kundërvënien student – pedagog, nuk kanë të bëjnë aspak me arsyet e vërteta të krizës, sepse ai është viktimë e politikës së vet, peng i logjikës së vet, të cilën as nuk mundet ta braktisë, as nuk është i zoti ta bëjë këtë “Unë dhe ne nuk do të mjaftohemi vetëm me përgjysmimin e tarifave, apo vetëm me pagesën e bursave…” (Takim me ekselentët, Universiteti “Fan Noli”, Korçë, 8 shkurt.)
“Kaq pula jeni ju që rrini mbyllur edhe prisni? Çfarë prisni? Shkoni dhe kërkoni të drejtën tuaj! Të gjitha këto që kërkoni ju, duhet t’i bënin ata, Mark Markët …” (Autonomia, jo vetëm …, Konviktet e Mjekësisë, 2 shkurt.)
Në deklaratat e veta, Kryeministri e ka përkrahur protestën dhe ka thënë se do të marrë pjesë në të, por, në të vërtetë, nuk mundi të bëhet pjesë e saj. Kanë kaluar afër tri dekada dhe ajo kohë shpresëdhënëse e ka braktisur. Besimi dhe mbështetja po i bien nga dita në ditë, sidomos, tek ata që e kanë të vështirë të mbyllin muajin me të ardhurat që marrin, kur çmimet ngrihen dhe “reformat” po u japin rezultate vetëm njerëzve më të kamur të këtij vendi, miqve të tij.
Mbase Kryeministri ka kuptuar se sa e rëndësishme është të emërojë njerëzit e mësuar dhe me përvojë. Individë të paformuar për detyrat e rëndësishme, që u ka besuar, qëllimisht injorojnë apo përçmojnë dijen dhe personalitete me përvojë të fituar nëpërmjet arsimimit dhe praktikës. Ata rrezikojnë shkatërrim ekonomik të vendit, futin marrëdhëniet e Shqipërisë në pështjellim, krijojnë kriza ligjore, etj..
Vaniteti, dashuria pamasë për veten, vetëvlerësimi ekstrem apo “superioriteti” shkakton zemërim, indinjatë dhe urrejtje dhe situata e sotme është pasojë e kësaj politike.
4. LIDERI POPULIST
Lideri populist është “zemra e mobilizimit populist”. Ai bën fushatë dhe tërheq mbështetje në bazë të thirrjes personale. Mbështetësit, më pas, krijojnë një lidhje vetjake me liderin. Retorika populiste e z. Rama i mundëson të pretendojë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë me “popullin” dhe, në shumë raste, të personifikojë “popullin”, duke e paraqitur veten si “zëri i tij”:
“Por sot, Vlora dhe Shqipëria kanë zot. …por ama ka vetëm një fuqi që mund t’i zgjidhë problemet, që mund të adresojë hallet e mund të bëjë ato që duhen bërë. …unë dhe ne kemi aleat njëri-tjetrin, Partia Socialiste dhe populli i ndershëm i Shqipërisë.” (Bashkia …, Vlorë, 16 shkurt.)
Liderët populistë, zakonisht, e paraqitin veten më shumë si njerëz të aksionit sesa si njerëz të fjalës, bisedojnë për nevojën, për “aksion të fortë” dhe “zgjidhje praktike”.
“…deri dje helikopteri i Urgjencës ngrihej vetëm për emra të njohur, sot helikopteri i Urgjencës Kombëtare bën qindra shërbime në vit për këdo që ka nevojë të marrë një shërbim urgjence dhe për këdo ku puna nuk pret.” (Bashkia …, Vlorë, 16 shkurt.)
“…unë …komunikoj me Amerikën drejtpërdrejt.” (Opozita nuk ka asnjë shans …, 31 Janar.)
Liderët populistë shprehen duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe vulgare, me qëllim që ta paraqesin veten si “njeri i zakonshëm” ose “një nga djemtë”. Ata e distancojnë veten e tyre nga liderët politikë të zakonshëm, duke u përqendruar në parashtrimin e premtimeve dhe sesi duhet të sillen dhe të veprojnë politikanët. Ata e paraqesin veten si mëshirues të popullit, zakonisht nëpërmjet tregimit të forcës, shëndetit dhe burrërisë.
“Kush mendon se mund ta bëjnë ata, ka një problem. Ose duhet të vizitohet nga sytë, …ose pastaj duhet të vizitohet nga mendja e kokës…”
“Luli ka vetëm një problem, si të më takojë mua.” (Bashkia …, Lezhë, 12 shkurt)
5. RILINDJA
Pavarësisht retorikës revolucionare të zotit Rama:
“…mos harroni që ne po bëjmë një revolucion shtetndërtues, …po bëjmë gjithçka për të transformuar të gjithë strukturën e shtetit…” (Bashkia …, Vlorë, 16 shkurt.);
Një revolucion që zëvendëson fytyrat e vjetra me të reja nuk është aspak revolucion. Revolucion kemi kur trashëgimia e vjetër dhe institucionet e politizuara zëvendësohen me institucione të reja, të cilat i kërkon opozita dhe me të cilat Shqipëria do të gjejë vendin e vet në Europë.
Kryeministri ynë nuk arriti të rilindë, por po kthehet në politikanët e fundit të një tranzicioni të gjatë dhe të dhimbshëm dhe le të shpresojmë të jetë përfaqësues i fundit i një oligarkie, që shqiptarët nuk e tolerojnë.
* Shembujt janë marrë nga fjalime të z. Rama të këtij viti dhe referencat paraqiten në formë të shkurtuar: titulli (Bashkia …), vendi, data.