Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka listuar si debitorë të gjitha bashkitë në vend, 11 njësitë bashkiake në Tiranë dhe të gjitha ish komunat, kryesisht për sigurimet shoqërore të papaguara. Bashkitë rritën të ardhurat nga taksat vendore me 19% gjatë 2018-s, por performanca e shpenzimeve u përkeqësua nga fryrja pa kriter e administratës, kurse shpenzimet për investime pësuan rënie drastike. Lista e bashkive debitore
Në maj të vitit 2016, gjykata e dënoi me arrest me burg ish-kryebashkiakun e Kukësit, me akuzën se kishte shpërdoruar rreth 45 milionë lekë nga fondet e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të sponsorizuar ekipin e futbollit të qytetit. Sot, pothuajse të gjitha njësitë e pushtetit vendor, ish-komunat dhe të gjitha bashkitë vijojnë të ndjekin të njëjtën praktikë, duke mos i paguar sigurimet shoqërore, të cilat në hierarkinë e shpenzimeve janë të parat që duhet të paguhen si një detyrim që rrjedh nga ligji.
Nëpërmjet një kërkesë për të drejtë informimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vuri në dispozicion për Monitor, një listë, ku të gjitha bashkitë dhe ish komunat rezultojnë me detyrime tatimore, kryesisht për sigurimet shoqërore të papaguara. Në fund të vitit 2018 borxhet e papaguara të sigurimeve shoqërore arritwn në 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro, dhe një pjesë e konsiderueshme e tij i përket pushtetit vendor. Tatimet nuk e raportuan veçmas borxhin e krijuar nga vendoret duke e konsideruar si të dhënë konfindenciale, duke referuar ligjin për procedurat tatimore. (shiko tabelën lista e Bashkive debitorë).
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve aktualisht ka vënë masën e ekzekutimit me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara për bashkitë e Libohovës, Memaliajt, Përmetit, Tepelenës, Pustecit, Sukthit, Himarës, Poliçanit, Fushë-Krujës, Krujës, Kavajës, Rrogozhinës dhe Divjakës, por debitorë në tatime janë të gjitha bashkitë e vendit.
Burimet zyrtare në DPT pohuan se borxhi i bashkive dhe komunave përbëhet nga sigurimet shoqërore të papaguara.
Në këndvështrimin ligjor, Tatimet duhet të veprojnë për bashkitë njësoj si për bizneset, duke iu konfiskuar llogaritë bankare dhe duke iu shitur sendet me vlerë për të mbuluar detyrimet, por në praktikë, kjo nuk ndodh. “Nëse një bashki nuk paguan dot sigurimet shoqërore, për ekspertët e financave kanë rënë kambanat se ajo bashki rrezikon faliment real”, pohon ekonomisti i njohur, Arben Malaj, ish Ministër i Financave. Sipas tij, në një demokraci funksionale dhe në një shtet ligjor, bashkitë, ashtu siç çdo njësi tjetër e qeverisjes së vendit, duhet të përballen me riskun e falimentimit.
Beqir Nuredini, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës tha se, shkak për gjendjen financiare ishte bllokimi i parakohshëm i pagesave nga thesari i qeverisë qendrore vitin e kaluar. Gjatë vitit 2018, pagesat nga thesari ndaj pushtetit vendor u bllokuan që në muajin nëntor, kur afati në vitet e kaluara ishte 15 dhjetor, teksa çelja e buxhetit të ri u krye vonë në janar. Bllokimi i veprimeve me thesarin për një periudhë më shumë se dymujore, krijoi borxhe të prapambetura, tha zoti Nuredini, i cili shpjegoi se shlyerjet janë duke u bërë.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, shpjegoi se mospagesa e sigurimeve shoqërore nga bashkitë është e patolerueshme. Ai tha se planifikimi i një buxheti të një institucioni publik, siç është dhe bashkia, bëhet bazuar në rregulla dhe ligje, dhe qartësisht planifikimi i shpenzimeve fillon me paga dhe sigurime shoqërore që janë të pandara.
“Nuk bëhet pagesa e pagës pa bërë pagesën për sigurime shoqërore sipas përqindjes që cakton ligji. Zyrat e financave në bashki, këshilli bashkiak dhe auditët e brendshëm duhet marrin përgjegjësitë”, shtoi zoti Haxhimali. Por teksa decentralizimi fiskal është rritur pas reformës territoriale, buxhetimi dhe auditimi i brendshëm në strukturat e pushtetit vendor ka mangësi të theksuar në disa raste, sipas një analize të Programit të Kombeve të Bashkuara (PNUD). Ministria e Financave, nga ana e saj, pohon se strukturat e pushtetit vendor shpesh nuk janë korrekte për sjelljen e listë-pagesave në Thesar dhe abuzojnë me udhëzimet që kanë të bëjnë me pagesat nga Thesari.
Bashkitë në “faliment”, nga fryrja e strukturave
Në shumicën e qyteteve kryesore, bashkia është punëdhënësi më i madh. Mungesa e ekonomisë së shkallës, largimi masiv i popullisë e ka vënë në vështirësi sektorin privat për t’u zhvilluar me ritme të qëndrueshme, teksa sektori publik dhe pushteti lokal janë punëdhënësit kryesorë. Kur u bë reforma territoriale në vitin 2015, analizat paraprake nga Ministria e Financave parashikonin që të kurseheshin mbi 60 milionë euro nga shkurtimi i administratës së komunave.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Bashkive, pushteti vendor kishte të punësuar më 2018 rreth 33,500 punonjës nga 22,000 në vitin 2015, ose 11 mijë e 500 punonjës më shumë. Nga transferimi i funksioneve të reja nuk janë më shumë se 10 mijë punonjës. Edhe pa transferimin e funksioneve të reja (arsimi parashkollor, administrimi i pyjeve, mirëmbajtja, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri etj.) administrata e bashkive është më e fryrë se para reformës.
Për këtë arsye, bashkitë në të gjithë vendin kanë dështuar të paguajnë sigurimet shoqërore për punonjësit. Për shkak të kësaj situate, kriza në disa bashki mund të përshkruhet si faliment, pasi tatimet kanë nisur procedurat e sekuestros në disa prej tyre. Problemet financiare të pushtetit vendor në disa raste kanë përkeqwsuar nga pushteti qendror, i cili ka transferuar funksionet e administratës, por jo të gjitha fondet për administrimin e tyre.
Sipas një Raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit transferimi i funksioneve ka krijuar një problematikë shtesë në administrimin financiar të bashkive. Në nivel kombëtar që nga viti 2017, gati 7,300 edukatorë dhe staf mbështetës që punojnë në institucionet e arsimit parashkollor dhe para-universitar menaxhohen nga bashkitë. Në vitin 2016, Bashkisë Shkodër i është transferuar funksioni i administrimit të fondit për arsimin parauniversitar.
Në transfertën specifike të vitit 2016 janë akorduar fondet për personelin edukativ dhe ndihmës të arsimit parashkollor, si dhe fondet për personelin ndihmës të arsimit parauniversitar. Në këtë transfertë për Bashkinë e Shkodrës nuk ishin përfshirë fondet për paga dhe sigurime shoqërore (jo në vlerën e plotë të kërkuar për t’u transferuar) të personelit (punonjës dhe edukator) dhe shpenzimet operative për konviktet.
Një situatë e ngjashme janë edhe bashkitë e tjera, të cilat në mungesë të zgjidhjeve, nuk kanë mundur të përmbushin detyrimet tatimore në lidhje me sigurimet shoqërore, duke i vënë ato teorikisht në situatë falimenti.
Numri i bashkive që nuk paguajnë sigurimet u shtua pas reformës
Sipas një listë zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që u sigurua nëpërmjet të drejtës për informim, të gjitha bashkitë janë debitorë për mospagesë sigurimesh. Lista është zgjeruar më tej pas reformës territoriale. Mirëpo lista e tatimeve përfshin aktualisht mbi qindra ente dhe institucione shtetërore që nuk i kanë paguar sigurimet për punonjësit.
Në listën e institucioneve, debitorë janë shumë ndërmarrje shtetërore të ujësjellësit që nuk i kanë bërë pagesat e sigurimeve.
Nëse një biznes është në vështirësi për pagesat e detyrimeve tatimore, të parat në radhë që duhet të paguhen janë sigurimet. Kjo vlen edhe për institucionet shtetërore. Sipas ligjit për procedurat tatimore, pagesat e kontributeve të sigurimeve dhe të detyrimeve tatimore bëhen sipas kësaj radhe:
a) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore;
b) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit;
c) kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore;
ç) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit;
d) tatimet;
dh) kamatëvonesat,
e) gjobat dhe në fund, kostot administrative.
Edhe kur detyrimet arkëtohen me forcë, pasi të kenë përfunduar seancat gjyqësore, të parat që shlyhen janë detyrimet e sigurimeve.
Por në rastin e shtetit, kjo radhë nuk funksionon, pasi ndaj ndërmarrjeve të ujësjellësit, bashkive dhe agjencive rajonale nuk është marrë asnjë masë paralizuese apo bllokuese, edhe pse nuk i kanë paguar sigurimet. Ekspertet e ISSH këshillojnë se të gjithë punonjësit e shtetit duhet të verifikojnë në mënyrë rutinë nëse institucioni i tyre është duke i derdhur në të vërtetë sigurimet që po i ndalon nga paga. Për gjashtë vitet e fundit, këto verifikime mund të bëhen online në portalin e E-Albania. Ata këshillojnë që, këto verifikime duhet të bëhen me patjetër nga punonjësit në prag pensioni në mënyrë që ato të zgjidhin problemin e krijuar, duke qenë ende në punë.
Në fund të vitit 2018, borxhet e akumuluara në tatime në formën e sigurimeve shoqërore të papaguara arritën në 13.8 miliardë lekë, ose 108 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, këto detyrime u zgjeruan me 20 milionë euro gjatë 2018-s ose me 18%.
Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre bllokohen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut.
Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar”, pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin. Ekspertë të ISSH pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mospagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.
Haxhimali: Reforma Territoriale nuk e përmbushi misionin për shpenzimet e personelit
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, e konsideron alarmante mospagesën e sigurimeve shoqërore nga ana e Bashkive. Ai thotë se ligji nuk lejon asnjë pagesë pa bërë pagesën për sigurime shoqërore sipas përqindjes që cakton ligji.
Zyrat e financave në bashki, Këshilli Bashkiak dhe auditët e brendshëm duhet marrin përgjegjësitë, tha ai. Objektivi i reformës për të kursyer 60-80 milionë euro nga ulja e shpenzimeve të personelit nuk është përmbushur aspak. Haxhimali tha se sot, në fakt, numri i punonjësve është rritur shumë. Aktualisht bashkitë punësojnë rreth 33,500 persona në total nga 22,000 që ishin në vitin 2015 para se të bëhej reforma.
Zoti Haxhimali, aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka listuar të gjitha bashkitë dhe ish komunat si debitorë dhe ka vënë në masë sekuestro 13 bashki në të gjithë vendin, për mospagesë të sigurimeve shoqërore. Pse duhet të arrijë bilanci i një bashkie në këtë pikë?
Po është një lajm shumë i keq. Vërtet bashkitë janë në vështirësi financiare, pasi ato nuk po marrin buxhet të mjaftueshëm nga qeveria për të përmbushur funksionet dhe shërbimet publike lokale. Nga ana tjetër, njësitë vendore nuk po arrijnë të rrisin buxhetet e tyre nga të ardhurat e veta (taksa tarifë vendore), por asnjë nga këto vështirësi nuk e justifikon mospagesën e sigurimeve shoqërore.
Buxheti dhe planifikimi i një buxheti të një institucioni publik, siç është dhe bashkia, bëhet bazuar në rregulla dhe ligje, dhe qartësisht planifikimi i shpenzimeve fillon me paga dhe sigurime shoqërore që janë të pandara. Nuk bëhet pagesa e pagës pa bërë pagesën për sigurime shoqërore sipas përqindjes që cakton ligji. Zyrat e financave në bashki, këshilli bashkiak dhe auditët e brendshëm duhet të marrin përgjegjësitë.
Jam i habitur me faktin se si e kanë lejuar këtë situatë degët e Thesarit. Thesari është një filtër që duhet të kujdeset dhe të shtyjë bashkitë të procedojnë me sigurimet shoqërore së pari, para se të certifikonin shpenzime të tjera.
Këto bashki, siç ju thoni referuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duhet të rishikojnë buxhetet dhe të ulin shpenzimet aty ku munden dhe të sigurojnë fondin për sigurime. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet t’i asistojë dhe të bashkëpunojë me këto bashki dhe të bien dakord për një plan për ta mbyllur këtë problem, pasi asnjë i punësuar nuk duhet të preket nga kjo situatë.
Si ka ndikuar reforma territoriale në menaxhimin financiar të bashkive?
Reforma territoriale pati objektiva të tjera në fakt. U prit që krijimi i 61 njësive të reja administrative do të sillte menaxhim më të mirë, buxhete qendrore dhe vendore më të mëdha, menaxhim burimesh njerëzore dhe kapacitete profesionale më efektive dhe eficiente si dhe paga më të mira. Të gjitha këto në sinergji do të siguronin më shumë shërbime publike dhe administrative.
Megjithëse ka pasur një progres në rritjen e buxhetit për bashkitë 5-6% më shumë në 2019 se sa një vit më parë, apo 1% e PBB nga transferta e pakushtëzuar, mbetemi sërish vendi i fundit në rajon për buxhetet që kanë bashkitë në dispozicion për tërë gamën e shërbimeve.
Lidhur me ndikimin në financa, reforma nuk ka sjellë ndonjë ndryshim thelbësor, edhe pse kemi një ligj të financave të vetëqeverisjes vendore që më së shumti disiplinon sistemin vendor të financave.
Bilanci i përgjithshëm i buxhetit vendor tregon për një vijimësi në rritje për shpenzimet e personelit të bashkive, pa marrë në konsideratë transferimin e funksioneve, ndërkohë që priteshin shkurtime. Pse po ndodh kjo?
Edhe ky objektiv i reformës për të kursyer 60-80 milionë euro nga ulja e shpenzimeve të personelit nuk është përmbushur aspak. Çfarë kemi sot? Sot, në fakt, numri i punonjësve është rritur shumë. Aktualisht, bashkitë punësojnë rreth 33,500 persona në total nga 22,000 që ishin në vitin 2015, para se të bëhej reforma.
A është rritur autonomia financiare e pushtetit vendor pas reformës?
Decentralizimi fiskal nënkupton transferimin e përgjegjësisë për të kryer shpenzime dhe për të mbledhur të ardhura drejt qeverive vendore. Autonomia fiskale dhe financiare merr kuptim kur kemi decentralizim fiskal real dhe kur përmbushen këto kushte:
• Transferim të mjeteve financiare kombëtare te pushteti vendor;
• Transferimin e përgjegjësive dhe së drejtës së kryerjes së shpenzimeve;
• Rritjen e të ardhurave të qeverisjes vendore;
• Autoritet i plotë në përcaktimin/vënien e taksave dhe tarifave vendore dhe shpenzimet; dhe
• Një kuadër ligjor që mundëson huamarrjen vendore.
Të tilla përkufizime janë përdorur para dhe pas reformës, por ende mbeten problem dhe sot zyrtarët vendorë ngrenë po të njëjtën problematikë të mungesës së decentralizimit dhe autonomisë financiare.
Por a është kuptuar drejt decentralizimi fiskal dhe a ka vullnet për të shkuar drejt tij?
Unë mendoj se jo? Duhet të ndryshojmë shumë në thelb sistemin, duke filluar nga ai qendror dhe vendor. Reformave duhet t’ju japim përmbajtje dhe struktura para se t’i lustrojmë me forma.
A është përmirësuar qeverisja dhe eficenca e bashkive pas reformës?
Sot kemi bashki të mëdha si strukturë administrative. Kemi bashki me buxhete, me një rritje të lehtë nga 2015 në 2019. Kemi bashki me numër më të madh punonjësish krahasuar me vitin 2015, para reformës. Por sot, bashkitë me gjithë projektet e tyre, sidomos të zgjedhurit e këtij mandati kanë ndeshur sfida dhe vështirësi, që nuk po arrijnë të përmbushin misionin e tyre.
Përmirësimi i qeverisjes matet me nëse qytetarët marrin më shumë shërbime publike, kanë më shumë ujë në shtëpitë e tyre, qendrat, rrugët dhe fshatrat janë më të pastra, ka zhvillim ekonomik vendor, ka hapje të vendeve të punës, gjenerim të të ardhurave nga zgjerimi bazës së taksave dhe jo rritja e tyre, ka më shumë shërbime sociale dhe strehim të të pastrehëve.