BallinaTe tjeraE ardhmja e Facebook

E ardhmja e Facebook

Mark Zuckerberg dëshiron të krijojë WeChat për Perëndimin. Ai do të mundohet që ta shndërrojë shërbimin e mesazheve të rrjetit social në diçka të ngjashme me mega aplikacionin kinez

Në kohën e lirë, Mark Zuckerberg i pëlqen të vrapojë. Në vitin 2016, shefi i Facebook u zotua se do të vraponte 587 km dhe ia doli që ta përfundojë sfidën e marrë përsipër në korrik të po atij viti. Ai nuk i praktikon artet marciale, por vetëpërmbajtja dhe qetësia që tregon thuajse çdo herë, të bën të mendosh që ai është mjeshtër i një arti të ngjashëm si ai i aikido.

Një qetësi dhe një vetëpërmbajtje e tillë do t’i shërbejë sidomos në jetën profesionale, sidomos tani që po përpiqet që të kthejë energjinë e kundërshtarëve të tij kundër tyre. Kur në fillim të marsit të këtij viti, ai njoftoi se Facebook do të ndiqte një “model të ri të përqendruar në privatësinë e klientëve të tij të rrjeteve sociale”, i cili do të përfshinte mesazhe të koduara, të cilat as edhe vetë Marku apo drejtues të tjerë të firmës nuk mund t’i shkodonin, vëzhguesit e interpretuan këtë si lëvizje mbrojtëse.

Disa e interpretuan si një lëvizje të vonuar ndaj zemërimit që kishte përfshirë përdoruesit e këtij rrjeti social mbi abuzimet që ai kishte bërë në lidhje me shpërdorimin e të dhënave të tyre personale. Të tjerë e shohin këtë si një plan për të bashkuar shërbimet e mesazheve të Messenger dhe WhatsApp, si një mënyrë për ta vështirësuar ndarjen e këtyre rrjeteve në të ardhmen. Kjo kërkesë, sipas tyre, është me urdhër të disa politikanëve amerikanë. Të tjerë e shohin këtë lëvizje si një mënyrë që Facebook të mbrojë veten nga përgjegjësitë e përmbajtjeve të dhunshme, duke qenë se tani Facebook nuk do të ketë më akses për të lexuar asnjë prej tyre.

Gjatë fjalimit që Mark Zuckerberg mbajti në konferencën vjetore të firmës së tij në San Jose, në fund të muajit të kaluar, ai tha se lëvizjet e tij të fundit nuk kanë të bëjnë me një tërheqje nga ana e tij, apo e stafit për të shmangur përgjegjësitë por, në fakt, me rikrijimin e rrjeteve sociale, këtë herë rreth mesazheve. “E ardhmja është private”, tha ai me një ton bindës. Edhe pse ai ndoshta nuk do ta pranojë kurrë në publik faktin se ai është i prirë për ta shndërruar Facebook në një version perëndimor të WeChat-it, aplikacionit kinez që ofron shërbime të ndryshme nëpërmjet celularit, nga shkëmbimet e bisedave te pagesat e ndryshme, duke e shndërruar atë në një prej aplikacioneve më të përdorura në Kinë. Edhe premtimi tjetër i z. Zuckerberg për të ruajtur informacionet e përdoruesve vetëm në vendet që respektojnë rregullat e shtetit ligjor, të lë të nënkuptosh se ai është bashkuar me disa prej ideologjive të tregut kinez, ku disa prej drejtuesve këmbëngulin se firmat perëndimore duhet t’i mbajnë të gjitha të dhënat në nivel lokal.

Më i vjetër. Më i mençur?

Biznesi kryesor i Facebook po maturohet. Marzhi i fitimit operativ në 42%, duke përjashtuar gjobën e mundshme me vlerë prej 3 miliardë dollarësh amerikanë, që pritet të vendoset nga Komisioni Federal i Tregtisë në Amerikë, padyshim që ngjall zili për cilëndo firmë teknologjike kudo në botë. Në tremujorin e fundit, të ardhurat u rritën me 26% krahasuar me vitin e kaluar, duke tejkaluar 15 miliardë dollarë. E megjithatë, numri i përdoruesve të këtij rrjeti nuk po shënon rritje. Në disa shtete, veçanërisht në ato europiane, prej kohësh ai nuk ka mbetur në të njëjtat nivele me vitet e mëparshme.

Të rinjtë e ditëve të sotme preferojnë më shumë rrjetet sociale, të cilat janë më “private” dhe të krijojnë mundësinë e postimeve 24-orëshe, si Snapchat, i cili nxori për herë të parë postimet, mesazhet dhe fotot të cilat qëndronin të postuara vetëm për 24 orë dhe më pas hiqeshin nga vetë rrjeti, gjë të cilën edhe Facebook nuk vonoi që ta kopjonte. Më shumë se 500 milionë përdorues të Instagram, Messenger dhe WhatsApp tani bëjnë postime vetëm 24-orëshe (që njihen si stories).

Një ndër dëshirat më të mëdha të z. Zuckerberg në lidhje me krijimin e platformës së tij të re është që ajo të bëhet aq e domosdoshme për përdoruesit perëndimorë, sa edhe WeChat për përdoruesit në Kinë. Disa elemente të platformës së re ekzistojnë tashmë; WhatsApp po teston një shërbim për kryerjen e pagesave në Indi, ndërkohë që disa elemente shërbejnë dhe mundësojnë kryerjen e blerjeve në Instagram që u publikuan në San Jose. Edhe pse të gjitha këto nuk po shkojnë sipas një plani të paracaktuar biznesi, konturet e vizionit të z. Zuckerberg po marrin një formë sa të qartë. 34-vjeçari tani po tregohet më i kujdesshëm sesa ka qenë dhe ka vepruar në të kaluarën, kur udhëhiqej nga motoja “vepro shpejt dhe tejkalo çdo limit”.

Ai tani po i mendon mirë hapat që do të hedhë në të ardhmen. Këtë ai po mundohet ta reflektojë edhe në “ndërrimet e platformave”, të cilat janë procese shumë të ndërlikuara dhe për të pasur sukses, i duhet që të kalojë një sërë pengesash. E para është ajo teknologjike. Facebook dëshiron që një përdorues i Instagram të jetë në gjendje t’i dërgojë direkt një mesazh një mikut të tij në WhatsApp. Por realizimi i saj, sidomos për këto shërbime, dhe kur kemi të bëjmë me një total të kombinuar prej 2.7 miliardë përdoruesish dhe kodesh nga burime të ndryshme, paraqet një sfidë të vështirë për programuesit.

Chris Cox, një prej talenteve të Facebook, dhe një prej personave më të besuar të Zuckerberg, thuhet se është larguar nga kjo kompani në mars të këtij viti, sepse mendonte se kjo gjë nuk mund të realizohej. Sfida e dytë është ajo ekonomike. Duke qenë se ju nuk mund të publikoni më reklama të ndryshme në varësi të grupmoshave, sepse algoritmet tuaja nuk do të kenë akses më në postimet e përdoruesve, atëherë kjo platformë e re do të ketë nevojë për një mënyrë të re për të gjeneruar para. Nga WeChat-i kinez nuk gjenerohen të ardhura sepse Tencent, pronari i saj, gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave nga lojërat online. Por nëse Facebook do të ndjekë shembullin e WeChat, por në të njëjtën kohë të ruajë edhe nivelin e tij të fitimeve, atëherë atij i duhet me patjetër të gjejë burime të tjera, nga të cilat mund të gjenerojë të ardhura, si marrja e një përqindje të caktuar fitimi për çdo blerje, ashtu siç veprojnë edhe kompanitë e caktuara që lëshojnë karta krediti. Sfida e fundit ka të bëjë me çështjet që lidhen me privatësinë dhe konkurrencën.

Z. Zuckerberg e pranon se shumë njerëz vazhdojnë të jenë skeptikë për sinqeritetin e Facebook, pavarësisht postimeve dhe deklaratave të z. Zuckerberg, që u drejtohej qeverive të vendeve të ndryshme që të vendosnin rregulla të ndryshme për përdorimin e rrjeteve sociale. Ata janë të bindur se Facebook do të vazhdojë të mbledhë sërish të dhëna prej tyre. Sipas, Zuckerberg, duke qenë se shërbimet e Facebook janë kundrejt asnjë pagese, atëherë ai thotë se nuk është duke i shfrytëzuar përdoruesit si një mënyrë për të gjeneruar para. Ka edhe argumente si ato që mbështesin idenë se një rrjet social dominues është shumë më i lehtë për t’u kontrolluar sesa rrjete të tjera më të vogla dhe se ka një kapacitet më të lartë financiar dhe teknik për t’i mbajtur larg dhe për t’i mbrojtur përdoruesit nga përmbajtjet e dëmshme dhe të dhunshme.

Kjo do të ishte edhe një goditje kundër aplikacionit kinez WeChat, i cili mund të dalë edhe jashtë Kinës, duke sjellë me vete edhe mbikëqyrjen e shtetit kinez. Artikulli i Zuckerbergut në Washington Post duket si një përpjekje e ngjashme me atë të Kingsbury Commitment të vitit 1913, kur AT&T, asokohe monopoli i industrisë telefonike në Amerikë, pranoi mbikëqyrjen e qeverisë dhe ra dakord që të ndajë disa prej bizneseve, në këmbim që të mos shkatërrohej fare.

Por ndryshe nga AT&T, shtrirja e Facebook e kalon Amerikën dhe përfshin një gamë gjithnjë e më të madhe industrish, nga ato të reklamave e deri tek ato financiare. Facebook i duhet që të përballet me politikanët, me rregullatorët dhe me kompani të tjera rivale. Nëse të gjithë kundërshtarët e tij bëhen bashkë, atëherë qetësia dhe vetëpërmbajtja edhe e një prej mjeshtërve më të mëdhenj të arteve marciale aikido, nuk do të bënte shumë punë, sepse lufta për t’i mbajtur ato larg do të ishte e vështirë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular