Nuk ka më histori, nuk ka më shanse për Borusian e Dortmundit që të rikuperojë! Bundesliga ul siparin dhe titulli shkon në Bavari me Bajernin e Mynihut që kurorëzohet për herë të 29-të në historinë e tij kampion i Gjermanisë. Ky është titulli i parë për Robert Kovaç si trajner, që pavarësisht suksesit, mund të mos i jepet besim për sezonin e ardhshëm. Ky është dhe titulli i fundit për një brez lojtarësh që në Bavari janë shndërruar në legjenda, mbi të gjitha për dyshen Riberi-Roben, idhuj të tifozërisë bavareze.
Ky vit do të mbahet mend gjatë nga tifozët e Bajernit, që kanë shijuar një përmbysje të pabesueshme ndaj Borusias së Dortmundit, me bavarezët që mbyllën kampionatin në javën e fundit me +2 pikë nga rivalët verdhezinj. Bajerni mposhti në “Allianz Arena” 5-1 Ajntrahtin e Frankfurtit, duke e mbyllur sezonin me 78 pikë, 2 më shumë sesa Borusia që nga ana e saj mposhti “adashen” nga Gladbahu me rezultatin 2-0. Padyshim, tifozëve bavarezë u kanë shijuar më shumë golat e Frank Riberis dhe Arjen Robenit, që lanë shenjën e tyre dhe në ndeshjen e fundit të titullit kampion.