BallinaKryesore50 mijë familje janë nxjerrë nga ndihma ekonomike 5 vitet e fundit,...

50 mijë familje janë nxjerrë nga ndihma ekonomike 5 vitet e fundit, 27 mijë vetëm në 2018-n

spot_img
spot_img

Në fund të vitit 2018, numri i familjeve që merrnin ndihmë ekonomike ishte rreth 54 mijë, sipas të dhënave të fundit që janë publikuar nga INSTAT dhe i referohen Shërbimit Social Shtetëror. Ky është numri më i ulët i familjeve, që marrin ndihmë ekonomike, që prej vitit 1998, kur INSTAT raporton të dhënat (në 1999-n është raportuar numri rekord prej 149 mijë familjesh).

Në raport me 2017-n, numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike ishte 33% më i ulët, ose gati 27 mijë familje më pak. Që prej vitit 2013, numri i familjeve në skemën e ndihmës ekonomike  është reduktuar vazhdimisht, duke rënë me rreth 50 mijë në 5 vitet e fundit, përgjysmim në raport me 2013-n.

Sipas strukturës së familjes, 35% e atyre që marrin ndihmë ishin me 4 anëtarë dhe 25% me 5 anëtarë, sipas të dhënave për 2018-n. Rënien më të madhe në raport me vitin e mëparshëm e shënuan familjet me 1 dhe 2 pjesëtarë, numri it ë cilave u reduktua me 64 dhe 67% përkatësisht. Për familjet nga 4-6 pjesëtarë, rënia ishte nga 23-30% (shih tabelën).

Krahas rënies së numrit të familjeve me një të tretën, është reduktuar dhe fondi i ndihmës ekonomike, që në 2018-n ra me 18% në krahasim me 2017-n.

Reforma e ndihmës ekonomike

Në shkurt të 2018-s, aplikimi i sistemit të ri të Ndihmës Ekonomike nxorri nga skema disa mijëra familje duke ulur me më shumë se 1 të tretën numrin e familjeve që përfitonin.

Në atë kohë shumë prej familjeve shprehën ankesën se ishin përjashtuar me pa të drejtë dhe se kriteret e përdorura nuk ishin tregues realë të situatës. Kjo bëri që bashkitë të mbyteshin me ankimime, të cilat i transferoheshin më pas Ministrisë së Mbrojtjes Sociale e cila është edhe përgjegjësja për projektin. Por nga ajo kohë duket se edhe vetë institucionet kanë konstatuar se numri i familjeve të varfra është më i madh sesa ajo që sistemi ka “mbajtur” falë plotësimit të kritereve.

Ndërsa një raport i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konkluduar se skema e ndihmës ekonomike nuk është efektive për zbutjen e varfërisë. Sipas KLSH, shuma e përcaktuar nga skema e Ndihmës Ekonomike nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri. “Në Shqipëri nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat dhe studimet e përkujdesit social. Skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, si instrument i MSHMS dhe institucioneve të varësisë për përkujdesjen sociale, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre. Ineficienca e sistemit elektronik lidhet me aplikimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila nuk është vlerësuar në bazë të kushteve koherente të familjeve në nevojë. Mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit dhe me studime dinamike për riintegrimin e individëve në shoqëri”, thuhet në raport.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular