Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se Presidenti i Republikës duhet të ridekretojë datën e zgjedhjeve, duke i shtyrë kësisoj ato.
Manjani shkruan se nuk gjen asnjë problem Kushtetues, nga ana formale nëse Presidenti, nisur nga fakti që dekreti i Tij për zgjedhjet lokale nuk po zbatohet, të rifillonte proçesin e ri dekretimit të një date tjetër zgjedhore.
Postimi i Manjanit:
Pa dyshim, fillimi nga Presidenti i Republikës i një procesi ri-dekretimi të datës së zgjedhjeve lokale, do ishte krejt normal në këtë situatë anormale që gjendet vendi. Unë jam dakord me konstatimin e Tij të para dy ditëve që “…. parimet kushtetuese prevalojnë ndaj çdo formaliteti…”
Ligjërisht, do kisha preferuar që këtë pohim ta kishte bërë Gjykata Kushtetuese. Por edhe Presidenti i Republikës ka terren ta zbatojë këtë sentencë.
Në fund të fundit, ai nuk është instanca e fundit që interpreton Kushtetutën, por është zbatues i saj. Përgjatë zbatimi, bën pa dyshim edhe interpretuesin e saj në shkallë të parë. Pra, asnjë problem Kushtetues, nga ana formale, nuk do të gjeja nëse Presidenti, nisur nga fakti që dekreti i Tij për zgjedhjet lokale nuk po zbatohet, të rifillonte proçesin e ri dekretimit të një date tjetër zgjedhore.
Se të themi të vërtetën dekreti përcakton datën e zgjedhjeve dhe jo datën e votimit. Që këtu dekreti ka rënë. Të mos hyjmë pastaj tek veprimtaria gjysmake e KQZ dhe tek mosregjistrimi i opozitës në zgjedhje.
Këto janë arësye të forta për të detyruar Kryetarin e Shtetit të rikonsiderojë anulimin e një dekreti që nuk zbatohet.
Pa dyshim që ky proçes ri-dekretimi nuk mund të jetë vetëm juridik. Në radhë të parë ai është një proçes politik, por edhe Kushtetues.
Parimet e shtetit demokratik dhe të sundimit të ligjit janë cenuar rëndë. Kushtetuta nuk mund të katandiset si afat procedural, siç na fton Kryeministri.
Pasi shkel rëndë trupin e shpirtin e saj, asnjë kuptim nuk kanë më afatet… Ndaj ri-dekretimi i datës së zgjedhjeve lokale mbetet e vetmja zgjidhje.
Pa dyshim, jo të gjithë janë dakord me këtë zgjidhje in-extremis, por s’ka tjetër. Aq më tepër kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese. Precedent për këtë rast ka. Është ri-dekretimi i zgjedhjeve të 2007 dhe të 2017. Ndaj, Presidenti duhet ta rimarrë këtë precedent.