BallinaAktualitetRaporti i Brukselit/Shqipëria diferencohet nga Maqedonia për negociatat. Ja dallimet...

Raporti i Brukselit/Shqipëria diferencohet nga Maqedonia për negociatat. Ja dallimet…

Sot në Bruksel është lexuar raport progresi që ka konkluduar me sugjerimin e përsëritur edhe vjet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, pavarësisht lajmit pozitiv, një sy i vëmendëshëm shikon në filigran një regres të dukshëm për vendin tonë në raport me fqinjin lindor. Dhe kjo duket qartë po të bëhet një krahasim mes raporteve të 2018 që u publikuan vjet në prill për të dy vendet dhe atyre që janë shpallur sot.

Lapsi.al e ka bërë dhe aty vërehet se rekomandimi i hapjes së negociatave me Shkupin pothuajse është përsëritur me “copy paste”, ndërsa ai për Shqipërinë ka ndryshuar goxha. Natyrisht në raport është goditur rruga për dalje nga sistemi e opozitës, por në konkluzione është shtuar nevoja për konsensus politik dhe nevojëa për sukses bindës në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.

Një lloj diferencimi të Shqipërisë e kanë përmendur javët e fundit edhe shumë analistë perendimorë. Komisioneri për zgjerimin Hanes Han gjithashtu tha së fundi se Maqedonia e Veriut nuk ka pse mbahet peng për hapjen e negociatave për nga vende që nuk kanë ecur dot me të njëjtin ritëm si ajo. Kryeministri Edi Rama është justifikuar gjithmonë me alibinë se janë ekstremistët ksenofobë në Europë që po bëhen pengesë për përparimin e Ballkanit Perendimor drejt BE. Por nëse Komisioni Europian në raport e diferencon Shkupin nga Tirana dhe nëse ndodh më e keqja që negociatat këtë verë ti happen vetëm Maqedonisë, kjo do të përbënte rënien e alibisë së dytë, pas gënjeshtrës të thënë që vjet se ato u hapën që qershorin e shkuar.

Raporti 2018 për Shqipërinë

Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kryesore (reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe respektimi i të drejtave të njeriut) për hapjen e negociatave të pranimit. Në dritën e progresit të arritur, Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar momentumin e krijuar prej reformës në fushën kyçe të shtetit të së drejtës, në veçanti në të gjitha pesë prioritetet kyçe për të vazhduar me dhënien e rezultateve konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve (vetting). Për të mbështetur këtë, Komisioni do të zbatojë qasjen e përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend.

Raporti 2019 për Shqipërinë

Në dritën e progresit domethënës të arritur dhe të kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor të vitit 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Për të mbështetur momentumin e reformës, Komisioni do të zbatojë një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vazhdojë të shënojë gjurmë solide në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, duke tejkauar polarizimin aktual dhe duke demonstruar vullnet politik për të kapërcyer ndarjet partiake, është gjithashtu e nevojshme për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga vendi.

Raporti 2018 për Maqedoninë

Pas një periudhe të vështirë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, më në fund e kapërceu krizën e saj të thellë politike, me mbështetjen ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian. Vullneti politik për të ecur përpara është edhe një herë i qartë dhe vihet re një ndryshim pozitiv në opinionin politik të shoqërisë, mungesa e të cilit ka qenë një pengesë e madhe për realizimin e reformave në vitet e fundit…

Në dritën e progresit të arritur, Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke ruajtur dhe thelluar momentumin aktual të krijuar nga prioritetet urgjente të reformës, vendimtare për përparimin e mëtejshëm të vendit. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të zbatojë qasjen e përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend.

Raporti 2019 për Maqedoninë

Marrëveshja historike e arritur me Greqinë i dha fund një konflikti të gjatë dhe është një shembull pajtimi për rajonin dhe Evropën në tërësi. Komisioni pret implementimin e vazhdueshëm të Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë. Pas disa vjetësh stanjacioni, rritja ekonomike u ripërtëri me 2.7% në 2018-n dhe papunësia pati një tren në ulje, por mbetet ende e lartë. Qeveria miratoi reformat e tatimit mbi të ardhurat dhe pensionet, mori masa të mëtejshme për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe për të rritur transparencën. Megjithatë, mungesat e punonjësve të kualifikuar, sfidat strukturore në mjedisin e biznesit dhe mangësitë e investimeve në infrastructure, pengojnë konkurrencën dhe integrimin e kompanive vendase në korpusin e vlerave globale.

Në dritën e progresit të arritur dhe të kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor të vitit 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut. Për të mbështetur momentumin e reformës, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular