Intervistë me z. Sadi Hoti, specialist për sigurinë
-Hapja i fushatës elektorale pa opozitën sjell shqetësimin se rendi e siguria kombëtare do cenohen si në 1997. A rrezikojmë një ’97 të dytë?
Jo. Për shumë arsye revolucioni komunist i ’97 nuk ka asnjë lidhje me atë ndodh sot. Më kryesorja, nisur nga faktorët dhe aktorët, ’97 ka ndodhur me votimet e vitit 2013, sot përjetohen pasojat. Fatmirësisht 2013 ishte “97 kadifeje”, megjithëse dëmi është më i madh. Përplasjet që ndodhin herë pas here në protestat e opozitës nuk janë strategji e organizatorëve, por pasojë e konflikteve të shumta që qeveria ka me grupe e shtresa të popullsisë. Shashkat e fishekzjarrët nuk duhet të përdoren ndaj institucioneve, megjithatë nuk janë kallashnikovë apo granat-hedhës. Veçanërisht punonjësit e policisë në detyrë, të paarmatosur përballë protestuesve, apo të infiltruar, nuk duhet të preken. Ato janë rrogëtarë në detyrë ditën e protestës dhe në detyra të tjera në funksion të sigurisë së jetës e pronës së qytetarëve në ditë normale pune. Vendosja në ato pozicione nga drejtuesit është e qëllimshme për të shkaktuar përplasje ekstreme e krijuar imazhin e cenimit të sigurisë. Largimi i një kryeministri nuk do të thotë destabilitet dhe cenim të sigurisë kombëtare, e kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme nuk është e paligjshme.
-Si do të jetë ky qershor?
Qershori duhet të jetë një muaj reflektimi për politikanët, por edhe për institucionet e sigurisë. I ashtuquajturi Principi i IV i Nurembergut, megjithëse bën fjalë për krime lufte, është një kambanë reflektimi. Mbrojtja me justifikimin se ”po zbatojmë urdhrat” nuk shpëton asnjë nga ndjekja penale. Urdhrat e paligjshëm nuk zbatohen, në të kundërt ndan përgjegjësinë me atë që ka dhënë urdhrin. Mitingjet e opozitës janë shoqëruar me akte dhunë të pajustifikueshme të policisë, manipulime dosjesh e arrestime të pamotivuara. Kjo është vetëm maja e ajsbergut, ka edhe shumë veprime të tjera hetimore e informativo-gjurmuese që kryhen “në hije” e akoma nuk dihet si dhe sa është shkelur ligji. Pjesa me e madhe e punonjësve të institucioneve të sigurisë, nuk duan ta shohin veten përballë demonstruesve që kërkojnë diçka të drejtë, ndërsa shefat milionere nga korrupsioni fshihen në zyra ose i nxisin nga mbrapa. Skena e spitalit ushtarak, ku eprori shtyn vartësin si leckë për ta kundërvënë me një politikan të opozitës, tregon tension, degradim dhe amatorizëm. Në qoftë se ai “shef” nuk zhduket nga radhët e policisë, vartësit qyqar i ngelet dorëheqja ose poshtërimi.
-Kush mban përgjegjësi për këtë situatë në policinë e shtetit?
Ka disa vite që policia “shkëlqen” vetëm kur shkel ligjin. Përgjegjësi penale mbajnë drejtorët e përgjithshëm dhe përgjegjësi politike kryeministri. Ministrat që mbulojnë policinë janë vegla të bindura që përzgjidhen, emërohen e udhëzohen në funksion të planeve të kryeministrit, një herë i duhet rrugaç, me pas i kompromentuar, me vonë pa “shtyllë kurrizore”, e në vazhdim do shohim…
-Opozita ka deklaruar se nuk do të lejojë zgjedhje fasade, si do të reagojnë instrumentet që ka në dispozicion qeveria për të garantuar zhvillimin e zgjedhjeve?
Nuk mund të bëhen zgjedhje duke mbrojtur me polici qendrat e votimit nga qytetarët që duan të votojnë të lirë. Institucionet e sigurisë po keqpërdoren, resurset njerëzore e financiare po devijohen kundër opozitës në vend të prioriteteve reale të luftës krimit. Në Shqipëri pozita dhe opozita kanë numër përkrahësish të përafërt. Historia e një milion votave ose “shuplakave” nuk qëndron, këtë e dinë mirë edhe socialistët e thjeshtë. Në qoftë se opozita do të bllokojë rreth 5500 qendra votimi, imagjinoni sa do të jetë numri i personave të ndaluar nga policia? Kemi të bëjmë me një reagim të përmasave të mëdha, një kundërshtim masiv. Deputetët socialistë e kanë në dorë zgjidhjen, e jo institucionet e sigurisë. Kryeministri është një votë, ato që ndajnë përgjegjësinë me të janë ministrat, por jo të gjithë deputetet. Ato duhet të mendohen mirë para se të shkojnë në votime me 30 qershor, sidomos kryeministri. Ai i ka të gjitha mundësitë të mos i shohë protestat e opozitës vetëm nga mediat që janë në librin e tij të pagesave, apo nga ekrani që ka krijuar vete kur ishte ministër kulture e ndoshta vazhdon të jetë aksioner.
-Ministri Lleshaj ka deklaruar se do garantojë zgjedhjet. A mendoni se ka informacion të mjaftueshëm për të bërë një deklaratë të tillë?
Se nuk do të jetë normale ajo ditë e në vazhdim, besoj këtë ministri e di. Uroj që të dijë më shumë. Ka akoma kohë për vendime të drejta dhe të arsyeshme. Në këtë situatë me shumë ide, propozime, hamendësime e skema, disa janë të qarta; kryeministri Rama që është shkaktari, nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes, as si kryetar i PS, aq më pak si kryeministër, roli i ndërkombëtarëve është “qetësues” e jo “shërues”, pra i përkohshëm, dhe zgjedhjet e lira garantohen nga institucione të sigurisë të lira dhe jo vet;m nga politika. Në qoftë se nuk thyhet në kohë rrethi vicioz i deformimit të vullnetit të votuesve, para të pista – vota – pushtet – favore – para të pista, angazhimi i opozitës do të shkojë kot. Votat do të blihen më herët se data e zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë do të hartojnë reportet e shpëlara pa asnjë efekt, “mbreti vdiq” dhe “rroftë mbreti”. Shqipëria i ka institucionet, mjafton që atyre t’u lihet dorë e lirë të zbatojnë ligjin pa dallim, duke u hequr presionin politik të drejtuesve politik apo mercenare. Kështu do të shmangen kontestimet e rezultateve, mundësohet gjithëpërfshirja në votime dhe qeveria e re të paktën me mosnjohje zgjedhjesh nuk do të kërcënohet. Historia në diktaturë e demokraci na ka mësuar se “djalli” fshihet në kutitë e votimit, stabiliteti e siguria dalin që andej.