BallinaAktualitetPërgjimet e ‘Bild’, LSI: Ora e hakmarrjes se popullit erdhi, Rama dhe...

Përgjimet e ‘Bild’, LSI: Ora e hakmarrjes se popullit erdhi, Rama dhe ministrat e të largohen për 24 orë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas publikimit të gjashtë përgjimeve të reja që implikojnë zyrtarë të PS me kreun e bandës kriminale të Avdylajve për shitblerjen e votave në zgjedhjet e 2017-ës.

Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka kërkuar largimin e qeverisë Rama, pasi sipas tij referuar përgjimeve, ai erdhi në pushtet me vota të vjedhura.

Deklarata:

Të nderuar qytetarë! Sot Shqipëria ndodhet në një nga momentet e saj më të vështira dhe në udhëkryqet e saj më të rrezikshme. Përfundimisht nga përgjimet zyrtare të Prokurorisë, të bëra publike nga media më e madhe evropiane “Bild”, del qartë, hapur dhe pastër se si kriminelët kanë vjedhur votat, se si kjo qeveri është ndërtuar mbi votat e vjedhura nga kriminelët, se si kriminelët telekomandojnë pushtetin, se si kriminelët imponojnë pushtetin, se si kriminelët qeverisin këtë vend nëpërmjet të dërguarve të tyre që nga zyra e kryeministrit Edi Rama dhe deri tek ministrat, kryetarët e bashkive, drejtorët gjithëfarësh. Sot shqiptarët panë qartë që ata që punojnë dhe nuk votojnë Rilindjen e Edi Ramës largohen nga puna dhe mbeten pa bukën e gojës. Shqiptarët panë se si pushteti dhe kriminelët puthen dhe dashurohen me njëri-tjetrin, pasi janë produkte reciproke të njëri-tjetrit. Përfundimisht çdo shqiptar e ka të qartë, që kur troket në dyert e shtetit të Rilindjes, zëre se ka trokitur në dyert e kriminelëve. Dhe është në mëshirën e tyre për të zgjidhur hallin që ka. Përfundimisht kemi një shtet, i cili ka vdekur, ka rënë, është shembur përdhe, pasi Rilindja ja ka shitur shtetin kriminelëve. Sot është dita për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga ky pushtet.

Të nderuar qytetarë!

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij që nga ky çast nuk mund të qëndrojnë më as 24 orë në zyrat e tyre. Qëndrimi i mëtejshëm, qoftë edhe një orë në zyrat e tyre është thjesht dhe vetëm krim shtetëror, është puç shtetëror, është grabitje shtetërore e pushtetit në mënyrën më të paligjshme dhe më antikushtetuese. Është shumë e qartë që në rast se këta nuk largohen urgjentisht nga zyrat e tyre, është krejtësisht legjitime që populli shqiptar i cili ka votuar dhe voton pushtetin që del nga vota e tij, nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të qeveriset nga kriminelët, të cilët, është tashmë shumë e qartë që janë ata që qeverisin në këtë vend.

Ndaj populli ka të drejtën e tij legjitime të mbajë të gjithë qëndrimet që ai shikon të arsyeshme, me të gjitha instrumentet dhe mjetet që ai shikon të arsyeshme për të bërë as më shumë e as më pak, pra për të vendosur pushtetin e tij në këtë vend. Koha e kriminelëve në pushtet ka mbaruar. Çdo sekondë e mëtejshme e tyre është krim, është atentat, është puç ndaj qytetarëve të ndershëm. Betejën e kanë fituar qytetarët e ndershëm. Betejën e fitoi e vërteta, megjithëse kjo e vërtetë erdhi nga jashtë Shqipërisë. Do ishte mirë që të vinte nga media shqiptare. Është një e vërtetë e cila duhet të buçasë fort në veshin e të gjithë atyre që flasin shqip, por edhe të atyre që flasin anglisht, për të parë sesi është shembur përdhe institucioni i zgjedhjeve dhe i votës së lirë në Shqipëri, dhe ka rilindur falë kësaj shembje në dhe të pushtetit të lirë, ka rilindur pushteti më i zi dhe më i shëmtuar se kurrë.

Prandaj, ora ë së vërtetës ka trokitur. Këta qeveritarë dhe ky kryeministër duhet të braktisin zyrat e tyre një orë e më parë, pasi ora e hakmarrjes popullore ka ardhur. Faleminderit të gjithëve!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular