Klubi i Prodhuesve të Kosovës i pohoi “Monitor” se ka reaguar disa herë ndaj të gjitha barrierave, të cilat po e pengojnë funksionimin e tregut të përbashkët Shqipëri – Kosovë.
Duke kujtuar që Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të CEFTA-s, ku të dyja kanë nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë dhe rrjedhimisht, të dyja duhet të aplikojnë tregtinë e lirë. Tregu i CEFTA-s, në fokus të vet, ka stimulimin e tregtisë, investimeve dhe krijimin e një tregu të gjerë për të gjitha vendet e rajonit.
Astrit Panxha, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës njëherazi edhe kryetar i Forumit Mbarë Kombëtar i Biznesit tha se, gjatë disa takimeve të përbashkëta në mes të prodhuesve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, disa herë janë shtruar kërkesat që prodhuesit e Kosovës kanë ndaj qeverisë së Shqipërisë, si:
1- Heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport Kosovë-Shqipëri.
2- Njohja e certifikimeve dhe analizave fito-sanitare të të gjithë produkteve që u nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave.
3- Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve.
4- Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 22.5 EUR vajtje/ardhje për kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
5- Heqja e të gjitha barrierave, duke përfshirë edhe akcizën për birrën.
Panxha tha se, gjatë takimit të fundit, u bë edhe prezantimi i marrëdhënieve tregtare në mes të këtyre dy vendeve, u cek që pengesat kryesore për prodhuesit kosovarë në eksport janë barriera jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare iu kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fito-sanitar dhe veterinar.
Procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, pagesa në Rrugën e Kombit, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, zbatimi i normës të lartë të akcizës për sektorin e birrës, janë disa nga pengesat, të cilat e rrisin koston e prodhimit, por edhe e ulin nivelin e konkurrueshmërisë së produkteve të Kosovës në tregun e Shqipërisë.
Ai tha se, Klubi i Prodhuesve muaj më parë, pati paralajmëruar edhe protestë për bllokimin e pikës doganore me Shqipërinë, por që kjo protestë u shty me shpresën që qeveria e Shqipërisë të ketë kohën për reflektim për zgjidhjen e barrierave tregtare, por që protesta ende mbetet si një mundësi reagimi.
Ndërsa, në takimin e fundit në mes të qeverive, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kërkoi që prodhimet e të dy vendeve të trajtohen njësoj, në të kundërtën siç tha ai, qeveria e Kosovës do të kushtëzohej që të marrë masa reciprociteti me Shqipërinë.