BallinaAktualitetHap siparin "Sofra Dardane", Besnik Dushaj: Bashkon në Bajram Curri artistë nga...

Hap siparin “Sofra Dardane”, Besnik Dushaj: Bashkon në Bajram Curri artistë nga trevat e kombit shqiptar

Nata e parë e Sofrës Dardane, këtij festivali të bukur të kthyer në një traditë të përvitshme, që bashkon në qytetin e Bajram Currit artistë nga të gjitha krahinat dhe trevat e kombit shqiptar. Një falenderim i përzemërt për organizatorët, artistët dhe të gjithë pjesëmarrësit, që ia shtuan bukurinë sot Tropojës! Ju ftoj të dashur miq t’i bashkoheni këtij aktiviteti të bukur dhe në dy ditët në vazhdim!

FJALA E KRYETARIT TE BASHKISE SE TROPOJES BESNIK DUSHAJ NE SOFREN DARDANE

Të dashur qytetarë të Tropojës!

I nderuar President i Unionit Artistik të kombit shqiptar, Z. Azgan Haklaj!

Të nderuar artistë që keni ardhur nga krahina të ndryshme!

Mirë se erdhët në Tropojë, në Sofrën Dardane!

Si çdo vit edhe në këtë fillim qershori ju mbushët me energjitë, ngjyrat e artin tuaj të madh qytetin tonë të bukur në prehër të Alpeve.

Ne e ndjejmë që me praninë tuaj jo vetëm që na jepni kënaqësi, por na bëni edhe një nder të madh në promovimin e mrekullive tona turistike.

Ju për ne mbeteni emisarët më të shkëlqyer që në çdo vit përçoni tek vendet dhe qytetet tuaja vetitë e larta të tropojanëve, vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore, si besnikërinë, mikpritjen, bujarinë dhe virtyte të tjera të mëdha të kultivuara ndër shekuj.

Me vallet dhe këngët tuaja në qytetin tonë ju vini në dy momente të mëdha të historisë së kombit tonë, në ditën e madhe të 141 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe në prag të 20 vjetorit të Lirisë së Kosovës.

Të dashur artistë dhe artdashës, që keni ardhur nga shumë treva të vendit!

Ju urojmë që t’i kaloni këto ditë sa më bukur e të mbeteni sa më të kënaqur! Natyrisht që dua t’ju përcjell edhe një dëshirë të bashkëqytetarëve të mi: kur të shkoni në krahinat e qytetet tuaja, të frymëzoni dhe të përcillni për në Tropojë, Valbonë, Curraj Epër, Lumë të Gashit, në bjeshkët tona e kudo në këtë parajsë tokësore të bekuar nga Zoti, sa më shumë vizitorë.

T’u tregoni bashkëqytetarëve tuaj atje ku jetoni, se në këtë qytet të bukur e kudo ku shkuat në Tropojë, ju patë se me çfarë dashurie e respekti i rrethon populli i Tropojës artistët dhe vlerat e mëdha të historisë e kulturës.

Duhet t’u thoni se :- “Kcimi i Tropojës”, me histori prej shekujsh në bjeshkët tona, po bëhet gati për të qënë pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s.

Dhe se këngët tona dhe këngëtarët e famshëm të Tropojës janë kthyer në zëdhënës të fuqishëm të jetës dhe historisë së Tropojës, por dhe të kombit tonë.

Pjesëmarrës tënderuar!

Do jemi këto tre ditë në një festival unikal, në Sofrën Dardane, që organizohet nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, dhe mbështetet fort nga bashkia jonë, për vlerat e veçanta artistike, për atmosferën e jashtëzakonshme festive që sjell në qytetin tonë, në bashkinë tonë.

Gjej rastin të falenderoj organizatorët, sponsorët dhe të gjithë ata që punuan në përgatitjen e këtij eventi kaq të bukur.

Gjithashtu i bashkohem urimit e të gjithë bashkëqytetarëve të mi për të gjithë artistët pjesëmarrës.

U lumtë goja dhe u këndoftë zemra brez pas brezi, ju këngëtarë dhe valltarë të Sofrës Dardane! Suksese!

Faleminderit!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular