Ka zgjatur më shumë se 1 orë mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila pasoi një takim të Bashës me aleatët e saj, për të ashtuquajturin aksion opozitar, pasi Presidenti i vendit Ilir Meta shfuqizoi dekretin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Kryesia ka marrë një sërë vendimesh por më i rëndësishmi mes tyre është ai për t’i propozuar Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në çdo Bashki.
“Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”,- sqaron Kryesia e PD.
Ndërkaq, kryedemokrati Lulzim Basha ka përseritur qëndrimin e tij se nuk ka negociata me Edi Ramën kryeministër. Më herët, qëndrimin e Bashës e përqafuan edhe aleatët e tij, me të cilët zhvilloi një mbledhje.