Nga Gani Mehmetaj
Labët me grupin polifonik e kishin pushtuar Kështjellën ilire të Prizrenit. Zëri i këngëtarëve shpërndahej në errësirë, i përkëdhelte muret e vjetra, vërshonte qetas hyrjen kryesore, mbase jehona e këngës pikëllimtare shpërndahej nëpër rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Zëri i parë i labit me qeleshe, herë ngrihej sikur lëshonte kushtrimin, herë ishte lirik, ndërsa pastaj ndiqej nga zëra të tjerë që e plotësonin, e forconin, bënin që të të kthenin shekuj prapa, atëherë kur kënga këndohej me afshe e emocione.
Atmosfera në brendësinë e kështjellës, ishte e pazakonshme, qetësuese, si në përralla. Koha qe ndalur. Dritat e mbrëmjes e skenografia, të rregulluara me shije, të ofronin intimitet e mistikë, me muret e vjetra, me rrënojat e pallateve e themelet e restauruara. Pjesa më e madhe e kureshtarëve atë mbrëmje ishin të rinj, dardanë e të huaj. Stina e verës është e këndshme në qytetin e Prizrenit. Vetëm Kështjella e Dardanisë në Nish (me dyer madhështore të restauruara), që e rindërtoi Konstantini i Madh, i bën konkurrencë me hapësirën e përshtatur për manifestime kulturore e ngjarje të shënuara. Por për visoret përtej kështjellës nuk ia kalon mbase asnjë kështjellë e Ilirisë.
Pamja e qytetit nga kështjella është më mbresëlënëse, të ofron kënaqësi të veçantë mbrëmjeve me ndriçim, të shpalosë gërmimet arkeologjike që nxorën në sipërfaqe kulturën materiale e shpirtërore të ilirëve, të ringjallë botën antike ilire, lugina shkëlqen me lumin e dritave. Kështjella ishte vetëm pjesë e qytetit të vjetër, me vazhdimësi qytetërimi. Në bërthamën e qytetit të vjetër janë zbuluar termo- objekte të ngrohjes qendrore, pagëzimore, vendbanime antike etj. Jeta e mirëfilltë është zhvilluar në qytet. Është përshtypje e përgjithshme se ngado që të gërmosh do të dalin objekte të vjetra, faltore, objekte kulti e stoli.
Rruga nga Fontana (Shatërvani) te portat kryesore është më e rrëpinjtë se sa në Gjirokastër, Berat apo Artanë. Shatërvani është pika ku takohen të rinjtë, ishte vendi ku dikur këngëtarët e aktorët ilirë bënin shfaqje para të pranishmëve, të mençurit (filozofët) bënin debate në freskun e natës, apo pasditeve, ushtarakët e sundimtarët mblidhnin ushtarë pasi e lëshonin kushtrimin nga maja e kështjellës. Lumbardhi i jep sharmë të veçantë, e bën qytetin më të bukur në shtetin e ri të Dardanisë. Urat me harqe të duken si të vinin drejt nga antika, elegante e të rënda njëkohësisht. Muret e gurta që e frenojnë ujin e rrëmbyer vjeshtës e pranverës i japin pamjen e qytetit piktoresk.
Kush nuk ka dëgjuar për Marashin? Sa këngë u janë kënduar dashurive të fshehta e vendtakimeve të të rinjve në fundjavët e famshme, kur dilej me një zymbyl me ushqime e me një beze të bardhë shtroje në bar. Kush nuk ka dëgjuar për Zambakun e Prizrenit e për këngët e vjetra qytetare shqiptare? Po për Rrapin më të vjetër në vend? Natyra është një perlë që i rrethon vendbanimet.
Qyteti i Lumbardhit është larg nga deti, por e ka klimën mesdhetare, sharmin e qyteteve të Mesdheut dhe kulturën e butësinë karakteristike të kësaj hapësire gjeografike. Kush nuk i ka shijuar ujin e ftohtë të krojeve të qytetit. Po rrjedha e ujit që bie nga shkëmbi? Kur shkel rrugëve të shtruara me gurë lumi se si e ndiejnë veten, të kujton diçka që s’e gjen më askund tjetër.
Prizreni është kryeqyteti historik i shqiptarëve, qyteti i dhjetëra aktorëve të famshëm, që i dhanë filmit e teatrit vepra me vlerë. Prizreni është qyteti i Bekim Fehmiut, me mallin e të cilit ai vdiq, por e la me fjalë që hiri i trupit të tij të hidhej në Lumbardh me një ritual të veçantë, që u bë. Rufaitë, helvetitë e dhjetëra sekte të tjera mistike iraniane e të Lindjes së Mesme, erdhën me pushtuesin otoman, u ngulitën dhe krijuan çerdhet e tyre. Çelën faltoret-teqetë, ku e bënin ritualin e shpimit me thika e me shpata në natën e veçantë që zgjat deri në mëngjes. Bërthama e vendbanimit, qyteti i moçëm, ka faltore të vjetra e të reja, aty ku dikur ndërtuan ilirët, aty ku e rindërtoi pastaj qytetin Justiniani dardan. Faltoret më të reja janë ndërtuar mbi faltoret e vjetra. Në qytet stili evropian
lufton për jetë a vdekje me orientin frymëzënës. Faltoret përpiqen ta dëshmojnë praninë e tyre natën e ditën. Kishat bizantine, uzurpuesit, klerikët serbë i kanë futur në rrethoja e barrikada, ua kanë marrë shqiptarëve, sikur duan të izolohen jo vetëm nga vendësit. Kisha katolike ishte seli ipeshkvore që nga antika. Pastaj erdhën minaret e xhamive, hamamet e teqetë. Në kohë të caktuara secila prej tyre thërret besimtarët në meshë a në falje. Xhamitë janë më të zhurmshme dhe më të shumta. Secila minare bën garë me tjetrën, ndërsa njëqind altoparlantë nga minaret mikun tim nga Tirana, që erdhi për herë të parë në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e tronditën në pesë të mëngjesit. Mori t’i ankohej të parit të myslimanëve për këtë shqetësim gjumi, por e qetësuan. Kot që i thua! Nuk je i pari vizitor që ankohesh në zhurmën e altipartlantëve! “Pse duhet ta zgjojnë tërë qytetin në pesë të mëngjesit? Ky është terror”, më ankohej mua, thuajse mund të ndërhyja te zyrtarët përkatës. Zhurmat e altoparlantëve nuk të lënë të dëgjosh as zërin e filmave në kinematë verore. Nga fjalët e mikut një natë vere, kureshtja më cyti të futesha brenda rrethojave të një xhamie, ku shiteshin rrobat, zbukurime të grave, burrave e mallra të lira si në Çarshinë e Stambollit. Xhamia ishte një pazar i vogël brenda Prizrenit. Një pjesë e qytetit përpiqet ta imitojë Stambollin e vjetër, nuk shkëputet dot nga mesjeta anadollake.
Prizreni ka vazhdimësi nga parahistoria. Kështjella e vjetër, e vendosur mbi një kodër, që e mbizotëron qytetin, nga të dhënat arkeologjike e hulumtimet e rastit dëshmon se qyteti ishte i banuar tri mijë vjet më parë. Prokopi i Cezarës në shekullin V pas Krishtit e përmend me emrin Peterzen. Arkeologë e kronika të moçme e lidhin me qytetin antik Theranda. Në mesin e kështjellave të rimëkëmbura nga perandori Justinian përmendet me emrin Kështjella e Petrizenit, që e zëvendësoi emërtimin e mëparshëm Theranda. ndërkaq, në burimet bizantine është quajtur Prisdriana.
Prizreni ishte qendër e rëndësishme tregtie e prodhimi, seli e Ipeshkvisë katolike dardane-arbërore, seli princore, nyjë që lidhte rrugën antike Nish- Shkup- Lezhë. Kur u ndanë dy perandoritë, Prizreni i takoi Kostandinopojës, pastaj u qeveris nga sundimtarë arbërorë, e më vonë u pushtua nga turqit e serbët.
Marin Bici, Gjergj Bardhi e Pjetër Mazreku: pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua digjnin shtëpitë e kishat
Prizreni ishte qytet i rregulluar me pallate, objekte pasunarësh e sundimtarësh, kisha paleokristiane, kisha katolike, por edhe kisha të stilit bizantin. Shumica e kishave pastaj janë shndërruar në xhami, me ardhjen e pushtuesit osman. Janë një mori kishash katolike apo bizantine, si Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjëjve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, ndërsa Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës janë rindërtuar mbi themelet e kishave arbërore. Kisha e Shën Premtës ishte kishë katolike, e ndërtuar mbi themelet e kishës paleokristiane, pastaj ishte bazilikë bizantine, ndërsa shumë shekuj më parë ishte faltore ilire, pra tempull pagan, që iu përkushtua hyjneshës ilire të pëlleshmërisë e lindjes. Më vonë u bë xhami- “Xhuma xhamia”.
Në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanisë prodhonte e eksportonte metale fisnike, punime nga ari e argjendi. Pas pushtimit nga Perandoria Romake, u bë pjesë e zinxhirit të metropoleve me rëndësi ekonomike e strategjike. Bizanti e sundimtarët vendës sërish e këndellën pas sulmeve të furishme të sllavëve e bullgarëve. Madje edhe nën sundimin e Perandorisë Osmane, sipas Hahnit, ishte qytet më i madh se Shkodra, Janina e Novobërda.
Argjendarët, filigranët ilirë që nga antika e mbajtën këtë zeje. Edhe sot janë shqiptarët katolikë ata që e kultivojnë me përkushtim argjendarinë e punimeve mjeshtërore, duke e trashëguar zejen e të parëve. Një pjesë e tyre janë shpërndarë në bregdetin kroat e në brendësi, pastaj në Slloveni, Çeki e Sllovaki, madje edhe në Austri e Zvicër. Punimet e tyre artistike e kanë pushtuar jo vetëm gadishullin.
Por të rralla janë qytetet në Dardani që kanë pësuar sulme e goditje më të mëdha se sa Prizreni. Disa herë gjatë historisë prizrenasit me rrethinë janë përpjekur të dalin nga zgjedha, të konsolidohen, të dëbojnë pushtuesin, të krijojnë mëvetësinë. E nisi Pjetër Bogdani, e vazhdoi kreu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur sërish u mëtua që ky qytet të shpallej kryeqytet i Shqipërisë. Gjykimet më famëkëqija ndaj nacionalistëve e atdhetarëve pas hyrjes së trupave serbo-malazeze në Prizren u bënë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u bë kryeqytet i Kosovës, por shumë shpejt administrata u bart në Prishtinë.
Qyteti i Lumbardhit (një lumë malor i rrëmbyeshëm), ka pësuar goditje shkombëtarizuese gjatë historisë më shumë se çdo qytet tjetër i Dardanisë. Vala e parë goditëse ishte ardhja egërshane e pushtuesve osmanë. Kishat katolike arbërore i shndërruan në xhami, kishat bizantine janë përpjekur t’ ua japin në dorëzim sllavëve: bullgarëve e serbëve. Priftërinjtë shqiptarë Marin Bici, Gjergj Bardhi, Pjetër Mazreku etj. raportonin për pushtuesit osmanë se si vrisnin arbërorë, katolikë, se si ua digjnin shtëpitë e kishat.
Vala e dytë goditëse ishte pas disfatës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur për disa kohë u bë kryeqytet i Shqipërisë, koordinoi dhe organizoi kryengritjen deri në Janinë e Prevezë, mblodhi të parët e krahinave shqiptare për një shtet unik etj. Ishte qendër shpirtërore për shqiptarët edhe gjatë pushtimit turk. Nga të dhënat statistikore e kronistët e kohës pak para ikjes së Perandorisë Osmane, qyteti me rrethinë e kishte shumicën absolute të popullatës shqiptare. Kolonët serbë erdhën me pushtuesin, d.m.th. pas vitit 1913, kurse një pjesë të shiptarëve të robëruar i shndërruan në turq apo i dëbuan në Turqi. Shqiptarët katolikë i vunë në thumb, i dëbuan apo i izoluan. Megjithatë, çdo lëvizje kulturore, politike e kombëtare ishte e lidhur me shqiptarët katolikë: shkollat e para shqipe, muzika, letërsia, teatri. Teatri ka filluar aktivitetin në shekullin XIX, ndërsa ishin mësuesit e priftërinjtë e shkollave shqipe, ata që ua mësuan nxënësve artin dramatik. Një nga kontribuuesit e parë, që tregoi suksesin e këtyre shfaqjeve, ishte Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi, që të dy ishin mësuesit e parë në shkollat e Prizrenit.
Kultura shqiptare e letërsia për Dardani janë të lidhura ngushtë me shqiptarët katolikë, duke nisur nga Pjetër Bogdani. Disa historianë duan ta nxjerrin Gjergj Kastriotin me prejardhje nga rrethet e Prizrenit. Autori i “Çetës së Profetëve”, Pjetër Bogdani, ishte nga Guri i Hasit. Bogdani thuhet se u nis nga Prizreni me mijëra ushtarë arbërorë dhe e çliroi Prishtinën nga turqit.
Shqiptarët katolikë të Prizrenit i kanë dhënë vulë të veçantë qytetit në këngë, letërsi e teatër. Janë po aq meritorë mu si shqiptarët katolikë të Shkupit, me të cilët kanë komunikuar, kanë bërë tregti e kanë pasur lidhje farefisnore. Vulën shqiptare të pasluftës ata ia dhanë qytetit kur Prizreni për një kohë të shkurtër u bë kryeqytet i Kosovës.
Ashtu sikurse nga presionet e ndryshme, shqiptarët katolikë e braktisën Prizrenin, kaptinë edhe më e dhimbshme janë shqiptarët ortodoksë, të cilët në njëqindvjetëshin e fundit janë shkrirë në serbë a bullgarë, madje edhe gjuhën ua morën, sepse meshën ua impononin në gjuhën sllave, kishën ua morën serbët, kështu që nuk patën shumë mundësi zgjedhjeje.
Nëpër katalogë propagandistikë, Vikipedia, emisione televizive etj., qarqet antishqiptare përpiqen që Prizrenin t’ua paraqesin të huajve me këmbëngulje kinse është qytet i kulturave e etnive të ndryshme, një lloj vëllazërim-bashkimi i tipit të Jugosllavisë socialiste. Këto qarqe antishqiptare, të fuqishme në medie e në institucione shtetërore, nuk ia kanë falur Prizrenit pse e mori guximin të bëhej strumbullari i Shqipërisë etnike. Por Prizreni është qytet po aq shqiptar si Prishtina, Gjakova ose Peja. Elita intelektuale e artistike shqiptare në Prishtinë nga Prizreni erdhi.
Prizreni ende është nën terrorin e propagandës e shantazheve të Turqisë. Deklarata famëkeqe e kryetarit turk, Erdogan, “Kosova është Turqi”, u dha nga Prizreni.
Pavarësisht deklaratës delirante, Prizreni mbetet krenaria kombëtare, kryeqyteti historik i shqiptarëve, ku edhe më tutje labët do t’ia thonë këngës polifonike, në majë të kështjellës ilire. Zambaku i Prizrenit do të jehojë deri në Marash e tutje në Zym.