Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi në një lidhje telefonike për emisionin “Tempora” në RTV Ora i pyetur nga gazetarja Sonila Meço nëse do të votojnë të enjten për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, nuk dha një përgjigje të prerë, por ftoi qytetarët të ndjekin seancën parlamentare.
Nëse bëhet fjalë për një tërheqje të qeverisë apo jo nga shkarkimi i Metës, kjo mbetet për tu parë.
Pjesë nga biseda në studio:
Shalsi: Duhet ta ngrejmë nivelin e debatit në realisht çfarë nuk shkon në Shqipëri. Sepse realisht ato që po thuhen nëpër banaqe nuk janë ato që po shqetësojnë shqiptarët. Ndaj kriza është e stisur.
Meço: Jua lëmë shqiptarëve që ta thonë atë që i shqetëson. Do ta kërkoni shkarkimin e Ilir Metës të enjten.
Shalsi: Ditën e enjte kemi parashikuar një mocion me debat. Është caktuar një minutazh i caktuar ku forcat në mazhorancë dhe opozitë, do të flasin.
Meço: Ju do të nisni procedurat si mazhorancë për shkarkimin e presidentit të Republikës, ditën e enjte,. Po apo jo?
Shalsi: Duroni deri të enjtën. Ndiqni seancën parlamentare të së enjtës. Do keni kohë të kuptoni edhe se çfarë do bëhet. E rëndësishme është që duhet të flasim për reformën në drejtësi.