Grupi i Qendrës së Djathtë i përbërë nga disa parti të opozitës (PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ) , u është drejtuar përmes një deklarate për shtyp qytetarëve, duke u kërkuar që të mos bëhen pjesë e procesit zgjedhor më 30 qershor.
Në deklaratë theksohet se Shqipëria pas tre dekadash, rrezikon të humbasë pluralizmin politik. Sipas grupimit, zgjedhjet e 30 qershorit janë antidemokratike, antikushtetuese dhe në shkelje të hapur me dekretin presidencial.
Njoftimi i Grupimit të Qendrës së Djathtë:
Të nderuar qytetarë, si rrallëherë në këto tri dekada, vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që kërcënon një arritje të shenjtë për çdo popull: Pluralizmin politik.
Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake.
Fasada institucionale me të cilën kanë veshur kapjen e tri pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po përdoret për të simuluar ligjshmërinë në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.
Përballë kësaj organizate, vlerat morale të së cilës u shpalosën qartë në sytë e gjithë botës nga përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild, e vetmja alternativë është qëndresa qytetare.
Për këtë arsye, Grupimi i Qendrës së Djathtë, në unison me opozitën e bashkuar, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bëhen pjesë e procesit farsë të 30 Qershorit dhe të refuzojnë me neveri votime antikushtetuese dhe antidemokratike.
Ne inkurajojmë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim, për të bërë, as më shumë dhe as më pak sesa atë që bëjnë të gjithë popujt liridashës, nga të cilët ne frymëzohemi kur demokracia është në rrezik!