Data 13 Tetor, e caktuar nga presidenti për zgjedhjet vendore, i duket e papërshtatshme kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi. Në emisionin “Ditari” në A2 CNN, megjithatë, Shehu sqaron se ata do të respektojnë vendimin kreut të shtetit, edhe pse synimi i opozitës është krijimi i një qeverie tranzotore.
“Në zgjedhje do të shkohet detyrimisht, pasi nuk kemi kërkuar shkëmbim pushteti. Por, unë gjykoj që 13 Tetori nuk është data e përshtatshme pasi është shumë afër për t’u plotësuar pretendimet tona. Ne kemi pretenduar për një qeveri tranzitore. Por, na pëlqen apo nuk na pëlqen, duhet shkuar në datën 13 Tetor në zgjedhje, pasi e ka dekretuar Presidenti”, tha Shehi.
Në lidhje me vijimësinë e aksionit opozitar, Shehi deklaroi: “Kemi mbushur sheshin 10 herë, por nuk u kemi ofruar mbështetësve se çfarë do të bëjmë me shtetin tonë. A do të thotë zoti Basha që kryeministri nuk do të ketë më shumë se dy mandate? A do t’i balancojmë pushtetet mes Kryeministrit dhe Presidentit? Duhet të ndërtojmë një matricë politike që ai tjetri që do të vijë nesër në vend të Ramës, të mos na dalë si Edi Rama. Mbi shtetin e ri shqiptar duhet ndërtuar një politikë e re, një ligj zgjedhor ndryshe që shqiptarët të votojnë flamurin e partisë dhe njeriun. Basha ka nisur ta bëjë këtë dhe unë pres që të jetë edhe më i vendosur në këtë linjë, në mënyrë që të mos u ofrojmë shqiptarëve mirazhin e mirëqenies dhe lugën bosh. Duhet t’u japim mundësi shqiptarëve që të mbushin lugën vetë”.
Kur u pyet nëse do të ketë protesta së afërmi, Dashamir Shehi theksoi se tani nuk është koha e duhur. “Protestat duhet të vijnë duke u rritur, por do të ishte absurde që në mes të gushtit të presim që të ketë protesta. Me vjeshtën do të ketë rritje të intensitetit të protestave. Opozita ka edhe detyrën që të sqarojë opinionin ndërkombëtar se si janë zgjedhjet me Edi Ramën dhe të përmirësohet raporti me ta, pasi e kam thënë edhe herë tjetër, që shpesh kemi gabuar”, sqaroi Shehi.