BallinaAktualitet3 vjet nga puthja Lu-Vlahutin, sistemi i drejtësisë ende në kaos

3 vjet nga puthja Lu-Vlahutin, sistemi i drejtësisë ende në kaos

spot_img
spot_img

Nuk ka asnjë dyshim se mesnata e 21 korrikut 2016 ka hyrë në historinë e Shqipërisë. Në parlamentin shqiptar do të miratohej si rrallëherë me 140 vota të të pranishmëve një nga një reformat më të kontestuara dhe më të përfolura, ajo në sistemin e drejtësisë.

Në ato ditë të nxehta korriku do të mbahen mend ecejaket e ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe koleges së tij të BE-së, kroates kokëkuqe Romana Vlahutin. Zyra e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në katin e dytë të godinës në qendër të Tiranës ishte vënë në fokus të dhjetra skenarëve që binin e ngriheshin për mënyrën se si do të funksiononte sistemi i drejtësisë.

Ato ditë u dëgjuan për herë të parë edhe për Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo dhe institucioneve të reja si SPAK, BKH, KED, KLGJ, KLP, etj. E fundit pengesë ishte paragrafi 88 i Komisionit të Venecias që sipas opozitës ishte tjetërsuar nga mazhoranca për të vënë në dorë institucionet e reja. Zgjidhja u gjet te konsensusi që duhet të lishin palët për të ngritur këto institucione.

Rezultati ishte 140 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, por nuk munguan edhe denoncimet e deputetëve të ndryshëm që kishin marrë telefonata kërcënuese nga selia e rrugës së Elbasanit se në rast të votës kundër do të konsideroheshin “të padëshirueshëm” për SHBA-të.

Në atë seancë kryeministri Rama mbajti një fjalim vlerësues dhe premtues se kjo reformë “do të çelë siparin e një revolucioni në sistemin e drejtësisë” dhe se “gjykatësit e prokurorët e korruptuar do i fshinte fshesa e vetingut”.

Në krahun tjetër lideri demokrat Lulzim Basha tha se “reforma në drejtësi ishte një ogur i mire për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit europian”. Të dy akuzuan njëri – tjetrin për krijimin e pengesave të qëllimta.

Ishte reforma në drejtësi që shënoi thyerjet e para të forta mes koalicionit që qeveriste vendin në atë kohë mes PS-së dhe LSI-së. U pranua edhe më vonë nga vetë Rama se ato ditë qeveria gati u rrëzua. E famshme ishte përplasja publike mes kreut të Kuvendit, Meta dhe kreut të komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj që drejtonte edhe komisionin e posaçëm të kësaj reformë.

Në mediat dhe portalet pro-qeveritare thellohej ideja se kundër reformës në drejtësi po punon Meta dhe Berisha që sipas tyre i trembeshin “drejtësisë së re”. Një vit para zgjedhjes së Presidentit nuk munguan as zërat për krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin në zgjedhje.

Më vonë edhe Meta ka zbuluar disa gjëra nga ajo që diskutohej në zyrën e tij në prani të ambasadorëve të huaj. “Me ambasadorët kam pasur gjithmonë takime me dëshmitarë”– thoshte Meta më vonë për të treguar se nuk kishte luajtur nën rrogoz.

Po ku është sot reforma në drejtësi?

Nuk do të shkonte gjatë dhe konsensusi historik i mesnatës së 21 korrikut do të harrohej. Me afrimin e zgjedhjeve të 2017-ës, opozita doli nga parlamenti për të vijuar aksionin e saj në një çadër të ngritur përpara kryeministrisë. Në parlament, ngritja e institucioneve të reja nisi të zvarritej dhe në shumë raste mazhoranca e interpretoi ligjin në mënyra të ndryshme për të zhbllokuar situatat.

Ngritja e Këshillit të Emërimeve në drejtësi që duhet të ishte një institucion bipartizan u bë në mënyrë të njëanshme, por ndërkombëtarët heshtën. Më pas u shpik edhe një post i ri, ai i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në një sallë të mbushur me tym, mazhoranca zgjodhi Arta Markun në vend të Adriatik Llallës.

Më pas do të niste Vetingu, por nisja e këtij procesi nga kupola e sistemit ka lënë tashmë vendin pa institucione të rëndësishme siç janë Gjykata, Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Oerd Bylykbashi, njëri prej hartuesve të kësaj reforme nga opozita thotë sot se ajo që kemi sot është “fruti i fundit i hidhur i reformës së 2016”.

“Sot nuk kemi më Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Euramalius paska propozuar që mund të emërohen gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Larte sa për të emëruar 3 anëtarët që i duhen Ramës në Gjykatë Kushtetuese. Te përzihen rropullitë vetëm ta mendosh. Më herët kemi parë se si KLGJ dhe KLP u kapën duke vënë në to persona kryekëput të lidhur me PS. Janë këta që do të caktojnë gjyqtaret dhe prokurorët‎ e ardhshëm që do zëvendësojnë ata që po ikin nga vetingu. Do te krijojnë gardën pretoriane të Ramës në Drejtësi, që ta ruajnë atë në 10-15 vitet e ardhshme nga drejtësia për maskarallëqet që po bën sot pa fund. Vetingun e kapën sepse në listën e kandidateve kishin aplikuar vetëm të majtë ndërkohë që Opozita ishte ne çadër” – shkruan Bylykbashi.

Tani sytë janë te SPAK, Struktura e Posaçme Anti-Korrpsion që pretendohet të arrestojë zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive. Tashmë nuk janë më as ambasadorët Lu dhe Vlahutin që rrëzëllenin në lozhën e sallës së seancave plenare atë mbrëmje korriku. Reforma në drejtësi mbushi 3 vjet, por shqiptarët e kanë parë vetëm në letër ndërsa politika vazhdon ta përdorë për konsumin e saj të përditshëm duke ia përmendur njëri – tjetrit sa herë nuk kanë diçka për të thënë. ©LAPSI.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular