BallinaShendetSa mund të ndikojnë sëmundjet e syve në krijimtarinë e piktorëve

Sa mund të ndikojnë sëmundjet e syve në krijimtarinë e piktorëve

spot_img
spot_img

Nga Enkela Cela Hrdlickova
SYTË  DHE PIKTORËT
Për një artist shikimi është shumë i rëndësishëm. Ne rrallë mendojmë për rëndësinë e cilësisë së pamjes të një artisti. Për një piktor shikimi është shumë më tepër sesa thjesht pamja e një peizazhi apo një objekti. Ata kanë stilin e tyre të pikturës, i cili mund të ndikohet shumë nga talenti i tyre dhe në një masë të madhe edhe nga cilësia e shikimit. Ekzistenca e stileve të ndryshme njihet nga historia e pikturës. Okulistika nuk mund të shpjegojë artin, por nga ana tjetër nuk mund mos përfillet ndikimi i gjendjes së përgjithshme shëndetësore, duke përfshirë këtu dhe gjendjen e syve, në veprimtarinë e piktorëve. Karakteristikat normale dhe anormale të syve mund të ndikojnë në veprën krijuese të tyre. Retina dhe nervi i syrit luajnë një rol të madh për perceptimin e kontrastit i cili është një element themelor në krijimtarinë e piktorit dhe ndikimi i tij është i dukshëm në të gjithë historinë e artit. Perceptimi i ditës ose i natës krijohet vetëm për shkak të mënyrës se si retina përshtatet dhe reagon nga drita. Përpunimi i ngjyrave është gjithashtu një proces kompleks. Megjithatë nuk mund të pohojmë që sëmundjet e syve të piktorëve të diagnostikohen vetëm në bazë të vlerësimit të veprës së një artisti. Piktorët janë të lirëqëtë krijojnë sipas dëshirës dhe talentit te tyre.

Në okulistikë, sëmundjet refraktive më të shpeshta janë miopia, hypermetropia dhe astigmatizmi. Miopia nënkupton pamjen e shkurtër, d.m.th. personi sheh mirë në distancë të shkurtër, por shikimi është i paqartë në largësi. Miopia mund të korrigjohet me lente dioptrike bikonkale. Në hypermetropi, në të kundërtën, pacientët shohin mirë në distanca të largëta dhe jo aq mirë në distanca të shkurtra.Pas moshës 45 vjeç, për shkak të dobësimit të aftësisë së lentes për tu akomoduar fillojnë vështirësitë për të parë nga afër. Hypermetropia mund të kompensohet me lente konvenkse. Astigmatizmi vjen nga fjala greke stigma, që do të thotë “pikë” . Një sy astigmatik sheh një pikë si një linjë të shtrembëruar dhe mund të kompensohet me lente torike.  Korrigjimi i problemeve refraktive filloi në shekullin e 13-të, në Venecia ku u krijuan lentet për korrigjimin e prezbiopisë. Në atë kohë, vetëm kisha ishte në gjendje të paguante dhe korrigjimi i prezbiopisë ishte një privilegj i njerëzve të pasur. Për të korrigjuar miopinë, njerëzve iu desh të prisnin edhe dy shekuj. Për të korrigjuar astigmatizmin edhe më shumë, derisa ligjet e optikës të zbuloheshin dhe u përshkrueshin nga të famshmit Newton dhe Descartes.

Ekziston një histori e gjatë që argumenton se çrregullimet e pamjes së disa artistëve të veçantë kanë ndikuar në veprat e tyre. Disa kanëargumentuar se udhëheqësit e lëvizjes impresioniste ishin miopë dhe se pamja e tyre, kur nuk përdorin syze, mund të shpjegojë stilin e tyre të gjerë dhe të vrullshëm.

Mbështetja e provave të këtyre çrregullimeve dhe ndikimi i tyre në veprat artistike është shpesh një spekulim, për shkak të mungesës së të dhënave klinike për të mbështetur diagnozën.

Në rastin kur sëmundja e syrit dokumentohet nga okulisti, është e pranueshme të analizohet ndikimi i sëmundjeve të syrit te mënyra e pikturimit.

Si okulistë, ne merremi me problematikën e crregullimeve të shikimit dhe është e arsyeshme të pyesim nëse këto sëmundje kanë mundësi të ndikojnë në karakteristikat e veprës së një artisti apo është thjesht stil individual i një artisti.

Këtu më poshtë, do të flasim për disa piktorë të njohur të cilët kanë pasur crregullime me sytë dhe iu është kushtuar më shumë vëmendje nga ana e kritikëve dhe okulistëve.

El Greco

El Greco (1541-1614) është një nga piktorët më të veçantë midis piktorëve mesjetarë. Ai lindi në Kretë, e cila në atë kohë bënte pjesë në Republikëne Venecias. Në moshën 27 vjeçare,  u zhvendos në Venecia, ku kaloi 3 vjet duke mësuar pikturën. Ai ka punuar në studione Tintorettos. Në vitin 1570, u shpërngul në Romë, ku vëzhgoi pikturat e Raphaelit dhe Michelangelos. Rreth vitit 1575, u largua nga Roma dhe u shpërngul në Spanjë. Shkaku i mundshëm pse la Romën ishte epidemia e murtajës, Më pas, ai jetoi në Spanjë, në Toledo, afër Madridit dhe mori emrin El Greco, që do të thotë grek. Në veprat e tij, ai pikturonte kryesisht figura vertikale të zgjatura në një atmosferë mistike dhe fetare. Shumë nga figurat e tij – Shën Gjon Pagëzori dhe Magdalena e Penduar, madje edhe autoportreti i tij janë figura të zgjatura  Në fillim të viteve 1900, një okulist doli me një shpjegim se piktori vuante nga një astigmatizëm i rëndë  i cili “e shtrin” objektin që shikon vertikalisht. Me fjalë të tjera, El Greco ishte thjesht duke pikturuar atë që shikonte. Astigmatizmi zakonisht rezulton kur kornea – sipërfaqja e përparme e syrit, nuk është sferike, por ka forme epileptike. Kjo ide mbeti e popullarizuar në gjirin e kritikëve dhe historianëve përthuajse një shekull.

Sot dihet që e vërteta është ndryshe. Në fushën e okulistikës është e njohur që njerëzit me astigmatizëm kanë aftësinë të përshtaten me këtë gjendje optike të syrit dhe janë njësoj të aftë si personat e tjerë që nuk kanë astigmatizëm, që të vizatojnë objekte në përmasa reale, normale megjithëse e shikojnë objektin të deformuar.

El Greco thjesht ka pikturuar në një stil tê veçantë dhe jo për shkak të sëmundjes refraktive të syrit të ashquajtur astigmatizëm.

El Greco: St. Andrew dhe St. Francis (cc. 1575).

Claude Monet

Në gjysmën e dytë e shekullit XIX, u shfaq një stil i ri, impresionizmi. Ky stil u konsiderua  revolucionar dhe radikal. Ne vend të skenave fetare, artistët e pikturojnë jetën reale, siçështë, siç janë urat, parqet, lokomotivat, industria dhe njerëzit e zakonshëm.

Impresionizmi u emërua sipas një pikture të Claude Monet (1840-1926) të titulluar «Impression, soleil levant ». Piktori francez Claude Monet, një themelues i pikturës impresioniste franceze njihet më së miri për pikturat e kopshtit të tij dhe pellgut të zambakeve në Giverny. Monet njihet për metodën për të pikturuar të njejtën skenë shumë herë në mënyrë që të kapte ndikimin e ndryshimit të dritës dhe kalimin e stinëve.

Monet ka pasur një katarakt (perde e syrit) i cili ka lënë gjurmë dhe mund të ndiqet në veprat e tij artistike. Kur u bë 66 vjeç, filloj te ndjente shenjat e para të kataraktit. Ai kishte vështirësi të dallonte nuancat e imta të ngjyrave. Me kalimin e kohës, shikimi i tij kishte rënë në mënyrë dramatike, por kishte frikë të bënte operacion.

Nga 1914-1915, filloitë ankohej se ngjyrat nuk kishin më të njejtin intensitet dhe se pikturat e tij po bëheshin gjithnjë e më të errëta. Për të shmangur gabimet në zgjedhjen e ngjyrave, Monet filloi të etiketonte tubat e tij të bojës dhe të mbante një rregull të rreptë në paletat e tij.

Më vonë, e pranoi ndërhyrjen kirurgjikale të kataraktit. Në atë kohë, kirurgjia e kataraktit ishte mjaft komplekse dhe rudimentare në krahasim me metodat që përdoren sot. Lentet intraokulare nuk ekzistonin, kështu që rehabilitimi i shikimit ishte i dobët. Pacientët vinin syze me xhama shumë të trasha, të cilat shkaktonin vështirësi në pamje dhe në perceptimin e ngjyrave. Cilësia e shikimit pas operacionit nuk ishte e mjaftueshme për një piktor në atë kohë. Pas operacionit, Monet pati probleme, zhvilloj një katarakt sekondar që duhej të operohej përsëri. Ai kishte depresion për një periudhë të gjatë për shkak të shikimit të tij të dobët dhe i ka shkruajtur letra ankimi kirurgut i tij Dr. Charles Coutela. Gradualisht pamja u përmirësua në 60%, por duhet të mbante syze me një korrigjim +10.0 + 4.0 × 90 °. Për shkak të ndryshimit të madh të dioptrive në mes të dy syve, kishte vështirësi të shihte me të dy sytë së bashku. Ai nuk pranoi të operonte syrin e majtë. Përfundimisht, vuri syze, por gjithmonë ankohej për vështirësitë me ngjyrat. Më vonë, u mësua me syzet dhe Monet ishte në gjendje të vazhdonte të pikturonte deri në vdekje. Monet ishte në gjendje të përfundojë serinë e zambakëve të ujit, e cila mund të shihet sot në Muzeun Orangerie në Paris. Spektakli i tij i fundit është shfaqur në Muzeun Marmottan në Paris. Në pikturat e tij të mëvonshme, mund të vërehet ndryshimi në tonalitet.Të gjitha fotografitë janë të errëta dhe detajet e bukura janë të ashpra. Pas operacionit të kataraktit, ngjyrat u bënë me detaje më të lehta dhe të bukura.

Claude Monet: Ura japonese 1899  Claude Monet: Ura japonese 1921

Rembrandt van Rijn

Rembrandt van Rijn (1606-1669) ishte një piktor i njohur holandez. Ai e filloi karrierën e tij në Leiden, dhe pastaj u zhvendos në Amsterdam ku u bë i famshëm brenda një kohe mjaft të shkurtër. Për një periudhë të gjatë, stili i tij i vecantë u interpretua si rrjedhojë e problemeve me sytë. Në autoportretet e tij, duket se një sy kthehet pak jashtë. Disa autorë hodhën hipotezën se ai mund të ketë pasurstrabizëm (sytë e shtrembër). Me kalimin e moshës mund të ketë zhvilluar një katarakt, duke shkaktuar një keqësim të shikimit dhe ndryshime në përdorimin e ngjyrave. Pikturat e tij u bënë me të errta në krahasim me veprat e tija të krijuara në moshën e re. Problemet e syve të cituara në literaturë në lidhje me strukturat periorbitale (rreth syrit) të Rembrandtit u hodhën poshtë nga një studim i gjerë në vitin 2016. Rembrandti është një shembull i mirë ku tregohet se jo gjithmonë sëmundjet e syve mund të ndikojnë në cilësinë e veprës së një piktori. Edhe nëse ka paturdisaprobleme me sytë, të cilat ishin kryesisht të lidhura me moshën, ai ishte në gjendje të vazhdonte artin e tij deri në vdekje. Tonaliteti i pikturave të tija ndryshuan, por ai ishte në gjendje të pikturonte hollësitë e bukura edhe në vitet e mëvonshme. Autorët besojnë se të gjitha ndryshimet e paraqitura në portretet e Rembrandtit përfaqësojnë ndryshime fiziologjike të moshës ose stilistike dhe nuk paraqesin shenja ose simptoma të sëmundjeve të syve.

François Ravier

François Ravier  (1814-1895) ishte i famshëm për pikturat e tij romantike të peizazhit. Në moshën 69-vjeçare, përjetoi një dhimbje dhe humbje të shikimit në syrin e majtë. Ravier kishte zhvilluar një glaukomë neovaskulare dhe dhimbjet ishin të vazhdueshme, kështu që syri i majtë duhej të hiqej. Ai e quajti veten me humor “Ciklop me njësy”. Megjithëse ishte monokulus (me një sy),gjë që ndikon në shikimin tridimensional, ai e vazhdoi krijimtarinë e tij të pikturave në natyrë. Në moshën 74-vjeçare,  zhvilloi katarakt në syrin e djathtë. Nuk ka të dhëna se si ndikoi në artin e tij, por ai vazhdoi të punojë deri në vitin e fundit të jetës.

Edgar Degas

Edgar degas (Paris, 1834 – Paris, 1917) një impresionist francez, i famshëm për portretet dhe balerinat e tij, kishte një degjenerim të trashëguar makular. Ne vitin 1870, në moshen 36 vjecare, kur ishte ushtar në luftën franko-prusiane, vuri re që nuk shikonte qendrën e objektit me syrin e djathtë. Më vonë vuri re që e shqetësonte drita e cila e detyronte të punonte në ambiente të mbyllura. Me kalimin e kohës problemi me shikimin po bëhej më i rëndë dhe kapi edhe syrin e majtë. Pas një periudhe, Degas pati një turbullim të shikimit qendror që quhet skotomë. Pikturimi po bëhej shumë i vështirë sepse i duhej të pikturonte rreth skotomës së tij.

Kjo eshte pamja kur shfaqet skotoma centrale

Degas u detyrua të zëvendësonte përdorimin e vajrave me pastelet, të cilat ishin më të lehta për tu punuar pasi kërkonin më pak saktësi. Më vonë zbuloi se ishte më e lehtë për të pikturuar subjektet e marra nga fotografitë. Në krahasim me veprat e mëparshme, veprat e tija po bëheshin gjithnjë e më të turbullta, të paqarta dhe kishin një humbje të qartësisë së formës.

Në vitin 1891, në moshën 57 vjeçare, shikimi nga afër u keqësua kaq shumë sa nuk mund të lexonte më. Degas kishte gjithashtu vështirësi edhe në njohjen e ngjyrave. Më vonë në veprat e Degasë dominonte ngjyra e kuqe. Ngjyra blu përdorej shumë më rrallë. Ai përpiqej të zgjedhte ngjyrat më të forta, sepse i perceptonte ngjyrat me intensitet të dobët. Duke filluar nga viti 1903 shikimi u keqësua kaq shumë, sa vendosi t’i kthehej skulpturës. Degas kërkoi ndihmë te okulistiti Edmond Landolt, i cili diagnostikoi “chorioretinopati”, një term i përdorur zakonisht për të përshkruar një sërë gjendjesh ku është karakteristike humbja e hershme e pamjes qendrore. Humbja e hershme e pamjes qendrore, dallimi i vështirë i ngjyrave, shqetësimi i dritës së fortë tregon se Degasi kishte degjenerimin të trashëguar makular. Kushëriri i tij i parë, Estelle Musson de Gas në moshën 25 vjeçare humbi shikimin në një sy dhe në moshën 32 vjeçare ishte i verbër nga të dy sytë. Ka mundësi që disa nga veprat madhështore të Degassi artist t’i mvishen çrregullimeve të tij me sytë. Ndikimin e sëmundjes së syve në pikturat e tij e ka përshkruar më së miri Renoir : « Në qoftë se do kishte vdekur në moshën 50 vjeçare, ai do të mbahej mend vetem si një artist i talentuar, asgjë më shumë » .

Edgar Degas, Balerinat,1878 Edgar Degas Balerinat, 1905

Problemet okulare mund të japin një dimension tjetër të piktorit dhe kanë rëndësi në përcaktimin e stilit të artistit. Në periudhën e veçantë të jetës së disa piktorëve sëmundjet e syve mund të kenë ndikim të madh në llojin e tyre te pikturave dhe në punën artistike.

Dr. Enkela Cela Hrdlickova PhD

Klinika Evropiane e Syrit Lexum

Klinika e okulistikës

Spitali Universitar Vinohradi

Pragë, Republika e Çekisë

[email protected]

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular