Komisioneri në ikje i zgjerimit në Bashkimin Europian, Johannes Hahn në një intervistë për median austriake “Der Standard” ka treguar se Shqipëria është shumë pas në procesin e hapjes së negociatave. Duke listuar disa arsye, Komisioneri Hahn tregon se një ndër pengesat kryesore është mungesa e dialogut politik në Shqipëri, ndërsa thotë se brenda familjes së madhe të BE ka një perceptim tjetër për fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut.
Më tej, Hahn thotë se Shqipëria e vuan shumë faktin e opozitës e cila nuk është në parlament si dhe nuk harron të përmend edhe procedurën e nisur të Komisionit Hetimor për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta për çështjen e zhdekretimit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Jemi ende duke punuar që t’i çojmë të dy vendet në negociata. Por nuk është sekret se ndjesia mes shteteve anëtare për Maqedoninë e Veriut është thjesht më e mirë. Të dy vendet i kanë përmbushur kriteret e kërkuara si kusht nga anëtarët e bllokut. Për këtë arsye, kemi bërë një rekomandim për të dyja. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk ka arritur vetëm reformat e kërkuara, por edhe marrëveshjen historike të Prespës e po kështu, edhe traktatin e miqësisë së mirë me Bullgarinë. Për Shqipërinë, për fat të keq, në plan të parë tani janë problemet si mungesa e opozitës në parlament, fakti që qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu, si dhe procedura për shkarkimin e Presidentit. Sigurisht, vendet anëtare të BE-së vlerësojnë gjithashtu situatën e përgjithshme politike.”-tha Johannes Hahn.