BallinaAktualitetKrishtërimi, sipas Bergoglio-s do të jetë tashmë diçka tjetër, që do të...

Krishtërimi, sipas Bergoglio-s do të jetë tashmë diçka tjetër, që do të shitet më lirë në treg

Nga Marcello Pera

(Il Foglio, 1 gusht 2019)

Një debat i madh zhvillohet brenda Kishës Katolike, por edhe në mjediset laike në Itali e gjetkë lidhur me politikat e Bergoglio-s (Papa Françeskut) në krye të Kishës. Pas mbylljes së Institutit universitar “Gjon Pali II”, Marcello Pera, një filozof dhe politikan i njohur, ish-president i Senatit Italian në vitet 2001-2006, ka ndërhyrë në debat dhe përmes një letre publike për Il Foglio-n ka denoncuar jo vetëm mënyrat se si po qeveriset brenda Vatikanit, por edhe për ndryshimet që kohë pas kohe po tentohet të bëhen në doktrinën e Kishës Katolike. Marcello Pera është bashkëautor i librit “Pa rrënjë”, së bashku me kardinalin Jozef Ratzinger (Papa Emeritus), si dhe ka shkruar parathënien e librit të Ratzinger “Europa e Benediktit”, pak muaj para se ai të bëhej Papë, në vitin 2008. Debati ka jehonë në të gjithë botën dhe publiku shqiptar ka gjithashtu interes të njihet më nga afër me një polemikë që parashikohet të vazhdojë gjatë.

Më poshtë, edhe përkthimi i shkrimit, publikuar sot tek Il Foglio.

Ilir Nikolla

***

Le të arsyetojmë si laikë, krejt në kuptimin që kjo fjalë ngërthen sot, pra, si jobesimtarë që vlerësojnë se Kisha dhe besimi janë e duhet të jenë të ndara nga politika, shoqëria civile dhe shteti ligjor. E ç’mund të themi për mbylljen e Institutit “Gjon Pali II” prej Papa Françeskut, “i mirëinformuari” Paglia (Vincenzo, shën i përkth)? Thuajse asgjë. Nëse Kisha është bashkësia private e besimtarëve në Krisht, me ligjet dhe statutet e veta, atëhere për ne laikët, Papa, që është prijësi, ka të drejtë të bëjë çfarë mendon se është më e mira: të ndërtojë universitete, institute apo akademi sipas imazhit që ka në mendje. Të thërrasë nëpër kadedra miqtë e ndjekësit e tij, të promovojë kë të mendojë ai vetë. Gjithashtu edhe të pushojë nga puna kë të dojë, të hedhë në kthetrat e urisë të gjithë ata që nuk e mendojnë si ai. Bile, edhe të jetë arrogant ndaj të gjithë atyre që shfaqin rezistencë apo edhe vetëm dyshime, apo edhe që vetëm thjesht kërkojnë shpjegime, në mënyrë që të të binden. Ne na mbetet vetëm ta duartrokasim se po shkapet gjithçka apo ta qortojmë se s’po rrënon aq sa duhet, ta admirojmë se po e përdor pushtetin në mënyrë të shkathët apo ta kritikojmë se ky përdorim pushteti është në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat Papa i predikon. Por në fund të fundit, ne s’kemi zë në këtë kapitull e jemi të detyruar t’i falemi thënies, së cilës Ai i falet: “Kisha është e imja dhe e drejtoj vetë”.

Po provojmë tani të arsyetojmë si “christifideles laici” (besimtarë laikë), siç i thërriste Gjon Pali II. Këta janë njerëz disi të veçantë. Janë laikë sepse nuk kanë rrobën dhe funksionet e klerit, ose edhe se në mënyrë domethënëse klasifikohen laikë sepse nuk dinë a nuk janë të sigurtë se i përkasin Kishës, apo se nuk e quajnë shfaqjen tek Kisha, tek institucionet, ritet dhe ceremonitë e saj një gjë thelbësore.

“Por gjithsesi mbeten të krishterë. Besojnë se ekziston rruga e shpëtimit nëpërmjet Krishtit, përshembull çmojnë mesazhin moral e shpirtëror të Krishtit, konfirmojnë se ky mesazh i ka ndryshuar fytyrën historisë, ka zbutur shpirtrat, ka plazmuar shoqëritë, i ka bërë njerëzit më vëllazërorë me njëri-tjetrin. Pra, në mënyrë të përmbledhur, “christifideles laici” e koniderojnë Krishtërimin një të mirë për njerëzimin dhe mendojnë se zhdukja e tij apo edhe thjesht margjinalizimi i tij, do të ishte një dëm i pallogaritshëm për civilizimin tonë.      

Për të përdorur një metaforë ungjillizuese, “besimtarët laikë” e shohin vreshtën e Zotit me bindjen se ajo jep fryte të mira, me admirimin për lodhjen dhe përkushtimin e atyre që punojnë aty dhe me shpresën se kjo punë e mirë do të vijojë. Këta janë si ata njerëz që edhe pse s’kanë marrë pjesë në ndërtimin e një katedraleje të bukur, apo edhe pse s’e kanë frekuentuar asnjëherë, për arsyet e tyre, asnjëherë s’do të pranonin ta shembnin a modifikonin atë, sepse besojnë se krejt panorama e qytetit, panorama shpirtërore, morale, civile e politike do të përdhosej.

Pra, nga këndvështrimi i “christifideles laici” (besimtarëve laikë), ajo që Papa Françesku bën në shtëpinë e tij na përket që ç’ke me të, sepse ajo është edhe shtëpia jonë. Nëse ai e trondit traditën, edhe ne ndihemi të tronditur. Nëse ai e ndërron doktrinën, edhe ne ndihemi shpirtërisht të varfëruar. Nëse ai përdor shkopin, ne gjithashtu ndihemi të dhunuar. E kur ai ai i pushon docentët e një shkolle dhe i detyron të bredhin rrugëve për të lypur letra rekomandimi, ne të gjithë jemi në të drejtën tonë të ndihemi të fyer e të preokupuar. Jo sepse kjo nuk është demokratike, por se nuk është e krishterë. Personalisht ndihem mjaft i shqetësuar. Them se Papa Françesku është shtyrë deri në pikën që kufizohet me herezinë, e sigurisht, po endet në territorin doktrinar që është fushë e protestanëve. Mendoj se fjalët e tij për dashurinë për tjetrin dhe për imazhi i shpirtmirit jo gjithmonë përkojnë me qëllimet e ushtrimit të pushtetit, edhe në mënyrë të egër bile. Ai po dëshiron me vendosmëri një krishtërim korrekt, ase për të përdorur një mbiemër rrufjan e vrasës, një krishtërim “të përditësuar”. Një peshkop i rëndësishëm ma shpjegoi kështu një ditë këtë punë: “Kemi predikuar prej vitesh vlerat e panegociueshme, dhe shiheni rezultatin, kishat tona janë bosh, asnjë s’na ndjek më. Prandaj, ne duhet të dalim dhe të shkojmë t’i rimarrim njerëzit atje jashtë, duke folur me gjuhën e tyre e duke dëgjuar nevojat e tyre”.

Në fakt as nuk e perceptonte dot i shkreti peshkop se kjo është fiks ajo që duan të bëjnë laikët antikristianë: t’u japin të krishterëve një aparat të huaj për ta, ta shndërrojnë në një predikim pa vija të kuqe, konformist, oportunist, e në fund të fundit të panevojshëm e humbës. Laikët “christifideles” (besimtarë) mendojnë në fakt krejt të kundërtën, se krishtërimi është një fe ekzigjente, që kundërshton e nuk i shkon për shtat çdo gjëje në botë, që e sheh shekullarizimin gjithsesi si një realitet të tëhuajtëzuar, çfarëdolloj regjimi politik qoftë ai, që pranon se një regjim mund të jetë më i mirë se një tjetër, por që e di se asnjëri s’është më i miri i të gjithëve, sepse regjimi më i mirë gjendet jashtë realiteti shekullar. Kristologjia e besimtarëve në Krishtin që sakrifikohet në kryq për Të Vërtetën, nuk matet me sa mbështetës ka. Por kjo e Papa Françeskut ngjan më shumë me një kristologji të tregut social. Social, sepse bredh pas nevojave të popullit, tregut, dhe që përshtat ofertën në bazë të kërkesës së popullit.

Ç’alamet njeriu ky Krisht kësisoj, që padyshim, po të ishte këtu sot e të shihte çfarë nami kërkesash ka për abort, eutanazi, liri seksuale, drejtësi sociale, të drejta njeriu, kapitalizëm libertin, ekologji, etj, etj, do të përditësohej e do të fliste në mënyrë krejt tjetër. Të mjerët ju? Jo, do thoshte “bëni si t’ua marrë mendja, në ndërgjegjen tuaj”. “Do meritosh Ferrin? Jo, do thoshte “je i mirëkuptuar, i justifikuar, i falur”. “Po vjen Dita e Gjykimit? Jooooo, para Gjykimit, do vijë Mëshira. “Mëkati origjinal është i pashlyeshëm e vetëm hiri im do të të shpëtojë”? Jo, jo, “mëkatit origjinal do t’i gjendet gjithmonë një ilaç me vepra të mira”.

E prandaj në rend të ditës vijnë dyert e hapura, polemikat me ministrat e krerët e shteteve, favorizimi për disa parti politike e pranimi pa kufi i emigrantëve të varfër. Pak pelagjianizëm, pak herezi që s’ka nevojë për sakrificën e Krishtit veç mirë mund të sjellë.

Jam i sigurtë se krishtërimi do të mbijetojë. Për besimtarët, do të mbijetojë sepse është fjala e Zotit. Për “christifideles”, laikët besimtarë do të mbijetojë sepse frytet e Vreshtës së Zotit do të çmohen në jetë të jetëve. Veçse s’mund të rri pa thënë se krishtërimi pas Bergoglio-s do të jetë një gjë krejt tjetër; më i lehtë, më i praktikueshëm, më i thjeshtë, më i kollajtë, më i arritshëm. Me fjalë të tjera, një krishtërim me një treg të lirë.

P.S: Mes të përjashtuarve nga Instituti “Gjon Pali II” është edhe Stanislaw Grygiel. E njoh prej vitesh e jemi miq. Për të mund të përsëris atë çka më tha një miku ynë i përbashkët: “Stan e nisi karrierën e tij si roje nate në vitet ’50, sepse nuk arrinte të gjente dot punë, meqë pat refuzuar të firmoste me shërbimin sekret komunist, dhe po e përfundon rrugëve 60 vjet më vonë, vetëm se refuzon të çmojë Amoris laetitia (enciklika e parë e Bergogio-s, shën, i përkth”).

Papa-Francesco.jpg

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular