Tre persona mbetën të plagosur mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar të Vlorës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 19:30 në një lokal te kabinat e Plazhit të Vjetër.
Të plagosurit janë Arben Brahimaj 40 vjeç, pronar i lokalit dhe një tjetër biznesi në qendër të qytetit, djali i tij 18 vjeçar Brikelo Brahimaj dhe nipi Olsi Beqiri.
Plagë më të rënda ka marrë Arben Brahimaj, me disa plumba në krahëror. Ai ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës. Ndërsa i biri dhe nipi janë qëlluar në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se sulmi me armë është kryer nga dy persona, të cilët i identifikon si E.XH e Sh.L. Menjëherë pas ngjarjes ata janë larguar me mjetin e tyre drejt Pyllit të Sodës.
“Në momentin e konfliktit të tre personat, babai, i biri dhe nipi kanë qenë në lokal duke pirë kafe. Atentatorët kanë zgjedhur dhe momentin e duhur kur në zonë nuk ka pasur shumë njerëz” raporton gazetari Edi Ruçi.
Policia e Vlorës është vënë në ndjekje të tyre. Në ndihmë të saj kanë shkuar dhe Delta Forcë e FNSH e Fierit.Paraprakisht sipas bluve ngjarja ka ndodhur për motive banale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit.
Policia kontrolle në banesën e pronarit të plagosur
Policia e Vlorës së bashku me grupin hetimor kanë shkuar dhe po kryejnë kontrolle në shtëpine e shtetasit Arben Brahimaj, i cili ka mbetur i plagosur.
Precedentët
Në nëntor të vitit 2018, Brikelo Brahimaj, u përfshi në një mkonflikt me një të ri dhe u qëllua me armë zjarri në këmbë prej tij. Dy muaj më vonë, në janar 2019, policia arrestoi autorin e plagosjes Ergest Beqiraj.
Po në janar, në derën e lokalit në pronësi të Arben Brahimaj u gjetën 200 gramë tritol i lidhur me fitil, por nuk ishte ndezur.