Në një intervistë për Ora News, ish deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri, teksa ka komentuar situatën politike në vend, është shprehur se, kjo është vera e fundit e Edi Ramës si kryeministër.
“Është stina e fundit e tij, grahmat e fundit, tik-taku është finali. Populli do ti japë përgjigjen, ne jemi në këmbë”, deklaroi Strazimiri.
Votimet monopartiake të 30 qershorit ish deputeti i cilëson jo vetëm jopluraliste por edhe të paligjshme.
“Nuk ka pothuajse asnjë bashki nga 61 që janë që nuk ju del numri i votave të fituara nga kryetari më i madh se numri i pjesëmarrësve në zgjedhje”, vijon ish deputeti demokrat.
Sa i përket dekretit të presidentit Ilir Meta që, zgjedhjet të bëhen më 13 tetor, Strazimiri jep këtë përgjigje:
“Çështja nuk është data. 30 qershori nuk dështoi se opozitës nuk i pëlqente data, por mungesa e garancive totale absolute e çdo force politike që nuk është pjesë e pushtetit monopartiak.Prapë çështja nuk është te data. Çështja është një dhe e vetme: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, ato ku votuesi vërtet të zgjedhë. A mund të organizohen ato me datë 13 tetor? Çështjen nuk e kam te data. Nëse ky ikën nesër dhe i hapet rrugë një procesi, mbase 13 tetori do të ishte një datë. Mund të ishte dhe 11 tetori dhe 19 tetori. Aktualisht akti i fundit i botuar në Fletoren Zyrtare është anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit. Dekret tjetër i Presidentit nuk është botuar”.