Presidenti Ilir Meta ka folur me superlativa për institucionin që ai drejton duke u shprehur se, ka punuar në mënyrë aktive për zgjidhjen e krizës duke theksuar se ka qenë i vetmi në këtë rast.
“I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për zgjidhjen e krizës për fat të keq është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës. Më vjen shumë keq, si për maxhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend të tregonte përgjegjësi ka bërë të kundërtën. Ashtu sikurse opozita, me listën e dëshirave të pafundme, që shpesh dalin jashtë realitetit, e ka bërë të pamundur përfshirjen në institucione”, është shprehur presidenti Meta.
Gjatë intervistës së tij për A2, kreu u shpreh se ndërkombëtarët janë sjellë në mënyrë helmuese me Shqipërinë duke mos dhënë asnjë kontribut për përmbushjen e detyrimeve.
“Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme, tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut që Shqipëria të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE dhe që duhet ta ndihmojnë Shqipërinë të çelë negociatat me BE”, deklaroi presidenti Ilir Meta.