Edi Rama ka ngritur një skenar që ditën e nesërme të mbledhë Këshillin monopartiak të Bashkisë Shkodër të dalë nga votimet e 30 qershorit.
Siç flitet, Rama ka urdhëruar që Këshilli Bashkiak nesër në Shkodër të zgjedhë një nënkryetar Bashkie që ti jepen kompetencat e kryetarit.
Ky skenar i Ramës nuk mund të bëhet realitet, pasi nuk e lejon ligji numër 139 për ‘Qeverisjen Vendore’.
Në këtë ligj thuhet se kryetari aktual i Bashkisë qëndron në detyrë deri në betimin e pasardhësit të tij.
Këtu është edhe fakti që Rama nuk mund të emërojë një kryetar, pas dorëheqjes së kandidatit Valdrin Pjetri, sepse nuk ka një kandidat për tu betuar dhe më pas ky kryetar ti kalojë kompetencat nënkryetarit.
Në nenin 59 pika 3, ligji për bashkitë përcakton qartë që:
‘Kryetari i bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga kryetari i bashkisë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bashkisë’.
Pra nënkryetarët e Bashkisë i përcakton kryetari, që i bie që Këshilli monopartiak i Edi Ramës nuk mund të emërojë nënkryetarë, por këtë e ka në dorë kryebashkiakja aktuale Voltana Ademi.
Gjithashtu edhe Neni 61 i po këtij ligji përcakton qartë se kur nënkryetari mund të marrë kompetencat e kryetarit.
Neni 61 pika 5 dhe 6 sqarojnë se kur një nënkryetar bashkie merr kompetencat e kryetarit:
5. Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
6. Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e 27 votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.
Pra me ligjin aktual, këshilli mononpartiak i Edi Ramës nuk mund të caktojë dot një nënkryetar në vend të Voltana Ademit, pasi fillimisht nuk ka emëruar një kryetar, që ti dorëzojë detyrën nënkryetarit.