Një aksident tragjik i pak ditëve më parë në zemër të Tiranës iu mori jetën dy të rinjve dhe plagosi tre të tjerë, ndërsa ishin duke punuar për rikonstruktimin e një pallati në kryeqytet.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 gusht, kur të rinjtë që ndodheshin mbi skelat e firmës “Skela Syla”, ranë nga lartësia e katit të gjashtë, pas shembjes së saj nga mungesa e sigurisë.
Por tërheq vëmendjen një postim në rrjetet sociale i një prej viktimave të aksidentit në fjalë.
“Siguria është e para. Dorezat e veshura”, do të shkruante Ergysi në një postim të tijin në Facebook më 23 korrik.
Ergys Brahimi, djalë i vetëm i familjes me katër anëtarë, u përcoll sot në orën 11:00 për në banesën e fundit.
Viktima të ngjarjes së rëndë mbetën Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës.